Piccinini: “Është shumë e dyshimtë shpejtësia me të cilën përgjigjet Këshilli i Shtetit, edhe pse Kuesturat kishin modifikuar tashmë procedurat duke iu përshtatur sentencës së TAR-it. Kush jeton, punon e paguan taksat në Itali nuk meriton një trajtim të tillë”
Romë, 15 shtator 2016 – “Me një shpejtësi të habitshme dhe të dyshimtë, presidenti i seksionit të tretë të Këshillit të Shtetit, pak orë pas depozitimit të ankimit të Qeverisë e pa dëgjuar fare arsyet e sindikatës CGIL dhe patronatit INCA, ka marrë përsipër përgjegjësinë të pezullojë, i vetëm, pasojat e sentencës së TAR-it të 24 majit të shkuar” që hiqte kontributin mbi lejen e qëndrimit. Kështu ngre zërin Morena Piccinini, presidente e patronatit INCA.
“Lind pyetja – pohon ajo – me çfarë motivohet gjithë kjo shpejtësi e panevojshme kur argumentet e paraqitura nga Avokatura e Shtetit janë sheshit të kapërcyera nga faktet. Avokatura duket sikur nuk di që procedurat e Questurave janë modifikuar tashmë pikërisht për të mundësuar lëshimin e lejeve të qëndrimit edhe për ata që nuk kanë derdhur kontributin. Atëherë për ç’arsye thuhet se ka urgjencë për të pezulluar efektet e sentencës duke qenë se bie argumenti kryesor që ka të bëjë me vështirësinë e përshtatjes së procedurave?”.
“E përsërisim – këmbëngul presidentja – kjo shpejtësi është shumë e dyshimtë pikërisht sepse flasim për të drejtat e imigrantëve. Ngremë pyetjen nëse do të ishin kaq të shpejtë nëse çështja do të ishte e një natyre tjetër. Është pikërisht me këtë vendim të djeshëm që krijohet kaos në administrimin e kërkesave të lejeve të qëndrimit; të paktën deri më 13 tetor, datë e seancës së parë në Këshillin e Shtetit, e ndoshta edhe më gjatë”.
Sipas Piccinini-t, “qytetarët imigrantë që jetojnë, punojnë, derdhin kontribute dhe taksa në Itali nuk meritojnë këtë trajtim nga shteti”. “Si INCA do të mbështesim e tutelojmë në çdo seli institucionale, politike e gyqësore, të drejtat e këtyre qytetarëve dhe afirmimin e një parimi që Gjykata evropiane e Drejtësisë ka njohur. E qeveria italiane, në vend që të respektojë në këtë aspekt Gjykatën evropiane, tregon se as që e vë ujin në zjarr”.
Kthehet taksa e lejeqëndrimit, Këshilli i Shtetit pezullon sentencën e TAR-it