Një lajmërim i çuditshëm është vënë në Zyrën e Imigracionit. Por që konfirmon: paguhet sërish, edhe për të tërhequr lejet që tashmë janë gati
Milano, 22 shtator 2016 – Nuk i shpëtohet dot! Kush kërkon sot lëshimin ose përtëritjen e lejes së qëndrimit duhet të paguajë kontributin nga 80 deri në 200 €, kush e kërkoi gjatë muajve të shkuar nuk do ta marrë po nuk derdhi paratë.
Janë këto pasojat e dekretit të Këshillit të Shtetit që ka pezulluar, të paktën deri më 13 tetor, anulimin e taksës mbi lejet e qëndrimit të vendosur në maj nga TAR.
E konfirmon këtë gjë edhe një lajmërim i përkthyer në disa gjuhë, i sinjalizuar nga një lexuese e Stranieriinitalia.it, i varur prej disa ditëve në zyrën e imigracionit të Kuesturës së Milanos, në rrugën Montebello. Përmban tarifat (80 € për lejet me kohëzgjatje maksimumi një vit, 100 € deri në 2 vjet e 200 € për lejeqëndrimet BE për qëndruesit afatgjaë apo kartat e qëndrimit) dhe lajmëron që edhe për të tërhequr lejeqëndrimet e gatshme duhet bërë derdhja e parave (është fjala për ata që paraqitën kërkesën pas sentencës së TAR-it e me të drejtë nuk paguan kontributin siç parashikonte sentenca).
Por ajo që bie në sy është emri i ri që i vë Kuestura taksës mbbi lejet e qëndrimit: “Kontribut solidariteti”, sikur imigrantët të detyruar të paguajnë përsëri, po u kërkohet një vepër bamirësie. E për kë? Me siguri për arkat e shtetit, që pa paratë e tyre (rreth gjysmë miliardi euro nga 2012 deri më sot) nuk di nga t’ia mbajë.
EP