in

Taksa mbi lejeqëndrimin, qeveria mendon ta ulë, por vetëm për kartën e qëndrimit

Zbritje nga 200 në 116 €, sa ç’është për pasaportat, dhe rimbursim forfetar për të gjithë ata që kanë paguar deri tani. Kështu Qeveria mendon të shmangë procedurën për shkelje të nisur nga Brukseli

Romë, 24 tetor 2016 – Flitet pak, por kontributi për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit nuk vihet në diskutim vetëm nga ankesa e paraqitur nga INCA e CGIL, mbi të cilën pritet të shprehet Këshilli i Shtetit.  Edhe Komisioni Evropian ka nisur prej kohësh një procedurë shkeljeje kundër Italisë, sepse, sipas tij, të detyrosh të huajt të paguajnë 200 euro për kartën e qëndrimit (lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë) është në kundërshtim me normat evropiane (direktiva 2003/109/BE).

Kundërshtimet e Brukselit renditen në një relacion të përcjellë prillin e shkuar Dhomës së Deputetëve nga ministri i Ekonomisë Pier Carlo Padoan. Komisioni konsideron të tepruar atë shifër, dhe vë në dukje që “e drejta e qëndrimit” e të huajve qëndrues afatgjatë,  “nuk mund të varet nga detyrime që janë shumë më të larta se ato që qytetarët e BE-së paguajnë për lëshimin e një karte identiteti, që kushton vetëm 5,42  euro. 

Procedura e shkeljes është akoma në fazën fillestare: në shkurt 2015 Komisioni ka hapur çështje për vonesë (messa in mora) të Italisë e që nga ajo kohë Roma e Brukseli po bisedojnë si të zgjidhin çështjen pa shkuar në Gjykatën e Drejtësisë. “Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Brendshme – lexohet në relacion – po punojnë për një modifikim të dekretit ministerial të 6 tetorit 2011”, që ka sjellë në fuqi kontributin mbi lejet e qëndrimit. Për çfarë modifikimi është fjala? E mbi këtë pikë nuk ka informacion zyrtar .

Meqë kundërshtimet e Komisionit Evropian kanë të bëjnë vetëm me qëndruesit afatgjatë, qeveria është e gatshme të ndryshojë kontributin për kartën e qëndrimit. Ta ulë nga 200 në 116 €, duke e barazuar kështu jo me koston e kartës së identitetit por me atë të pasaportës. Veç kësaj, duket se qeveria po mendon për një rimbursim aforfepër ata që e kanë paguar.

Kush ka tjetër lloj lejeqëndrimi, apo gjysma e të huajve në Itali, përjashtohen nga kjo ndërhyrje e qeverisë. Do të vazhdojnë të paguajnë 80 apo 100 € sipas kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit e nuk do të kenë të drejtën e asnjë lloj rimbursimi.

Procedura e shkeljes mbi taksën e lejeqëndrimeve është një nga pikat në rend të ditës të një mbledhjeje që do të mbahet këtë javë në Këshillin e Ministrave pranë departamentit të Politikave Komunitare, në të cilën do të marrë pjesë një grup ekspertësh të drejtorisë së Imigracionit dhe Çështjeve të Brendshme të Komisionit Evropian.

E ndërsa negociatat mes Romës dhe Brukselit shkojnë përpara, pritet sentenca e Këshillit të Shtetit, që mund të sjellë të reja të tjera.

Elvio Pasca

 

Ambasadorja Anila Bitri: “Është koha të ngremë ura”

I dënuar për vrasje në Shqipëri, arrestohet në Monza pas 19 vjetësh