in

Taksa mbi lejet e qëndrimit. E paligjshme prej gjashtë muajsh, por qeveria hesht

E hedhur poshtë nga Gjykata e Drejtësisë më 2 shtator 2015, akoma nuk është modifikuar. Renzi&Co nuk ndihen e ndërkaq imigrantët vazhdojnë të paguajnë nga 80 deri në 200 euro

Romë, 2 mars 2016 – Taksa mbi lejet e qëndrimit është “e ekzagjeruar”, përbën “pengesë” për të drejtat e imigrantëve, nuk përputhet me normat evropiane. Me pak fjalë është një barrë e padrejtë që duhet rishikuar.

Gjykata e Drejtësisë së BE-së e ka thënë prej plot gjashtë muajsh. Nuk ka asnjë korrespondencë mes 80, 100 apo 200 eurove që të huajt në Itali janë të detyruar të paguajnë dhe shpenzimeve që shteti bën për lëshimin e dokumenteve. Gjysma e atyre parave, veç të tjerash, përfundon për financimin e riatdhesimeve, pra nuk shkon aspak në të mirë të imigrantëve të rregullt.

Sentenca është 2 shtatorit 2015, e çfarë ka ndryshuar gjatë kësaj kohe? Asgjë. Kush duhet të kërkojë apo të përtërijë lejen e qëndrimit është akoma i detyruar të derdhë 80, 100 apo 200 euro sipas kohëzgjatjes së dokumentit, natyrisht përveç mëse 70 eurove që shkojnë për pullë-taksën, koston e dokumentit elektronik dhe shërbimin postar.

Pas sentencës pritej një ndërhyrje e qeverisë Renzi, në mënyrë që të ulej menjëherë taksa e sjellë në fuqi nga qendra e djathtë në vitin 2009. Por prej gjashtë muajsh në qeveri bëjnë sukur s’ka ndodhur gjë, e ndoshta presin që të shprehet edhe TAR i Lazios që kishte kërkuar mendimin e Gjykatës së Drejtësisë ndërsa ishte duke shqyrtuar një ankimim të paraqitur nga Inca Cgil.

Edhe Parlamenti i ka thënë qeverisë të vihet në lëvizje.

Më 19 dhjetorin e shkuar, në Dhomën e Deputetëve, ndërsa miratohej ligji i qëndrueshmërisë, qeveria pranoi rendin e ditës (nënshkrues i parë deputeti PD Giuseppe Guerini) që e angazhonte “të vlerësonte mundësinë e vlerësimit [formulë e kujdesshme e qesharake, që u fut pikërisht nga ekzekutivi] në brendësi të normave kombëtare në fuqi, mënyrën e një zbatimi korrekt të sentencës së Gjykatës së Drejtësisë”. E që atëherë qeveria ka arritur “të vlerësojë mundësinë e vlerësimit”? As që bëhet fjalë.

Më 11 shkurt e provoi edhe deputetja Marilena Fabbri (PD) me një kërkesë drejtuar ministrit të Brendshëm Alfano, me të cilën e pyet “nëse e konsideron urgjente të ndërmarrë masa për modifikimin e normativës kombëtare në fuqi” për “të favorizuar zbatimin e drejtë të sentencës së Gjykatës së Drejtësisë”. Përgjigjja e Alfanos? Akoma nuk ka mbërritur. E ndërkaq, imigrantët vazhdojnë të paguajnë taksën mbi lejet e qëndrimit, edhe pse gjykata është shprehur kundër saj.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Mogherini nesër në Tiranë, për përmbushjen e 5 përparësive kyçe

Ermonela Jaho në garë për çmimin e publikut në International Opera Awards