in

Taksa mbi lejet e qëndrimit “Ja pse është antikushtetuese”

Nuk lidhet me fuqinë kontribuuese të individëve të cilëve u kërkohet, detyron imigrantët e rregullt të paguajnë për veprimtari që janë në të mirë të të gjithëve, penalizon fashën më të dobët të të huajve. Disa nga pikat kryesore të padisë së paraqitur në TAR nga Inca dhe Cgil

Romë, 24 shkurt 2012 – “Kontributi për lëshimin dhe përtëritjen e lejeve të qëndrimit shkel Kushtetutën”. Këtë përmban në thelb padia e paraqitur më 22 shkurt në Gjykatën administrative të Lazios nga Inca  dhe Cgil. Ndaj patronati e sindikata kërkojnë anulimin e dekretit që i ka dhënë jetë taksës së re dhe që, në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës, pezullimin e pasojave të tij.

Ja si argumentojnë aksionin e tyre legal promovuesit e padisë:

“Kontributi është përcaktuar në bazë të kohëzgjatjes së lejeve të qëndrimit. Kështu që është krejtësisht e palidhur me fuqinë kontributive të të interesuarve, dhe duke qenë me “karakter tatimor”, shkel parimin e nenit 53 të Kushtetutës, që përcakton që të gjithë duhet të ndihmojnë në shpenzimet publike sipas aftësisë së tyre kontribuuese.

Duket qartë se duke qenë një kontribut i detyrueshëm i lidhur me kërkesën e lëshimit ose të përtëritjes së lejes së qëndrimit, kontributi në vetvete nuk përcakton asnjë simptomë pasurie, madje për destinacionin që ka, ai nuk ofron asnjë lloj avantazhi për të huajin që është i detyruar ta paguajë.

Për më tepër, kontributi është një taksë, veçanërisht e urryer, e paligjshme dhe diskriminuese, sepse godet vetën të huajt me qëndrim të rregullt, duke i detyruar të paguajnë për veprimtari që janë në të mirë të të gjithë komunitetit.

Në fakt, paratë e mbledhura nga kjo taksë, shkojnë në masën 50% në “Fondin e riatdhesimeve” (siç përcaktohet nga neni 14-bis i Tekstit Unik). Por ky Fond padyshim nuk është në favor të të huajit që po kërkon lejen e qëndrimit apo përtëritjen e saj, pasi ai mund të qëndrojë në Itali për kohë të pakufizuar.

Për më tepër, në këtë mënyrë shtetasit e huaj me qëndrim të rregullt ndihmojnë në masë më të madhe se taksapaguesit e tjerë në shpenzimet e riatdhesimeve, shpenzime këto të bëra jo në favor të të huajve por të të gjithë komunitetit, që për këtë arsye duhet të jenë në ngarkim të të gjithëve. Kostot e imigracionit të parregullt u vihen mbi kurriz në masë të konsiderueshme pikërisht të huajve që angazhohen e mundohen të respektojnë rregullat.

Konventa Organizatës Ndërkombëtare të Punës numër 143/75 ka përcaktuar që në rast të riatdhesimit, punonjësi dhe familja e tij nuk duhet të paguajnë kostot e riatdhesimit. E pra kur nuk lejohet që këto kosto t’u ngarkohen të huajve të parregullt duket akoma më e paarsyeshme që t’u ngarkohen të huajve me qëndrim të rregullt.

Akoma më e paarsyeshme dhe e paligjshme është që kostot e kundërshtimit të imigracionit të parregullt nuk u ngarkohen una tantum, por duhen paguar sa herë përtërihet leja e qëndrimit. Pra sa më shumë kohë të qëndrojë i huaji në Itali, aq më shumë duhet të paguajë.

Lidhur me përdorimin e gjysmës tjetër të parave të mbledhura nga k kontribut, që neni 14-bis i Tekstit Unik i dedikon për shpenzimet e lidhura me punën për përpunimin e praktikave të lëshimit dhe përtëritjes së lejeve të qëndrimit, duhet evidencuar që Dekreti ka diktuar parashikime pjesërisht të deformuara, duke i destinuar 70% të kësaj kuote veprimtarive që nuk kanë aspak të bëjnë me lëshimin e përtëritjen e lejeve të qëndrimit, që vetëm një pjesë të vogël do të shkojë realisht për qëllimin e përcaktuar, duke shkelur kështu edhe vetë Tekstin Unik.

Por edhe sikur dekreti të kishte respektuar çka përcaktohet në Tekstin Unik, nevojitet të theksohet që të huajt edhe pa taksën e re mbulojnë kostot e lidhura me procedurat e lejeve të qëndrimit, duke paguar 30 euro që i merren përmes Postave Italiane.

Prandaj duket i paligjshëm “publikimi” i taksës, për më tepër e ndryshueshme në bazë të kohëzgjatjes së dokumentit të qëndrimit (edhe kur puna për përpunimin e praktikave është krejtësisht e njëjtë), kur Teksti Unik parashikonte vetëm masën më të ulët e më të lartë të taksës.

Zgjedhja e përshkallëzimit të taksës sipas kohëzgjatjes është padyshim i paarsyeshëm dhe diskriminues pasi godet më shumë punonjësit e kontrata të paqëndrueshme pune, që përjetojnë një situatë ekonomike më të vështirë se të tjerët. Kjo gjë sepse i huaji me kontratë të përkohshme apo të llojit stinor detyrohet të përtërijë lejen e qëndrimit më shpesh se një herë në vit e duke paguar taksën për çdo përtëritje i duhet të nxjerrë nga xhepi (për të njëjtën periudhë kohe) shumë më tepër para se të huajt me lejeqëndrim njëvjeçar apo dyvjeçar”.

Konferencë në Tiranë mbi 20 vjet emigracion shqiptar në Itali

Orial Kolaj kampioni i ri italian i peshave gjysmë të rënda në boks