in

Taulant  Ligori, romancieri  beratas  që  rrëfen  ’97-n

Nga Gjergji Kajana

Viti 1997 është një prej atyre viteve që shënojnë një vijë ndarëse në jetën e vendit tonë. Atë kohë Shqipëria u gjend pranë humnerës së humbjes së zgjatur të ekzistencës shtetërore: institucionet e saj administrative, ndërgjegja civile kombëtare dhe shumë-shumë jetë njerëzore fatkeqësisht humbën nën breshëritë e plumbit. Ato ngjarje të dhunshme, të përjetuara në kapje reale në Berat, i kanë dhënë frymëzim shkrimit të një romani prej Taulant Ligorit, ish-student në “La Sapienza” të Romës. Romani ka titullin gazetaresk “Berati. Kronikë nga ‘97” dhe është botuar para një viti në Shqipëri prej shtëpisë botuese OMSCA-1.

Heroi i romanit është një djalë dymbëdhjetëvjeçar, Erjoni. Vepra është shkruar në vetë të parë dhe filtrohet e gjitha nga ndërgjegjja e protagonistit. Erjoni po mbaron klasën e shtatë fillore kur në mars të vitit 1997 në Berat dhe në Shqipëri konflikti shoqëror lidhur me falimentimin e firmave piramidale degradon me plaçkitjen e reparteve ushtarake nga ana e popullsisë civile. Në situatën e re të krijuar, me mbylljen e shkollave dhe fillimin e të shtënave të frikshme dhe vrastare, personazhi, mes mendimesh dhe shprehish vetjake, është i detyruar të pësojë dramën psikologjike e materiale të kohës dhe të vërë në dyshim gjithë fëmijërinë e tij të jetuar deri në atë moment. Ndahet me dy shokët e tij më të ngushtë: njëri emigron në Greqi me familjen dhe tjetri në Francë, pasi ishte rrëmbyer më parë në mes të lagjes nga njerëz të njohur të tij dhe shpëtuar më pas në rrethana dramatike. Erjoni nis të frekuentohet me Albanin, një shok më të madh të lagjes, i cili po e përjeton krejt ndryshe situatën: ka shumë më pak mendime ekzistenciale sesa Erjoni dhe rri i armatosur. Bashkë me Albanin, Erjoni nis ta jetojë qytetin dhe ngjarjet mafioze në tjetër mënyrë, nëpërmjet një serie aventurash që arrijnë deri në kufirin e një riti fillues drejt jetës së krimit. Pas ristabilizimit të vështirë të jetës shoqërore me ndërrimet politike në muajin qershor, e ardhmja e tij, nën shoqërinë e Albanit, mbetet e hapur po aq sa ai vit.

Taulant përshëndetje. Mund të prezantoheni shkurt para lexuesve të Shqiptarit të Italisë?

Përshëndetje dhe ju falënderoj për interesin kulturor të gazetës suaj për të publikuar këtë intervistë.

Unë kam lindur në vitin 1985 në qytetin e Beratit, ku kam kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën deri në vitin 2004, vit kur – si shumë të rinj të tjerë shqiptarë që sapo kishin përfunduar gjimnazin – arrita të fitojë një vizë studimi për në Itali, në universitetin La Sapienza të Romës, dega Letërsi. Atëherë isha 19 vjeç dhe duke u regjistruar në universitet gjeta mundësinë për të ndjekur pasionin tim për letërsinë. Ashtu siç e prisja, takimi me mjedisin kulturor dhe arsimor të universitetit La Sapienza qe shumë pozitiv dhe e shtoi akoma më tepër tek unë vullnetin dhe dëshirën për të thelluar dijet e mia letrare. Një mbresë të veçantë më ka lënë takimi dhe leksionet me profesorë të rangut ndërkombëtar si dhe prania në fakultetin e Letërsisë e Institutit të Gjuhës Shqipe, ku gjeta rastin e veçantë për të shtuar edhe dijen mbi gjuhën dhe kulturën tonë. Pasi përfundova studimet për Letërsi Moderne Evropiane, ndoqa edhe studimet magjistrale dyvjeçare për Gjuhësi, te po i njëjti universitet, duke i mbaruar në vitin 2010 me një tezë eksperimentale mbi fonetikën e gjuhës shqipe.

Kur e keni zbuluar vokacionin tuaj letrar e kur ju lindi ideja për librin mbi vitin ’97?

Kur nisa të bëj kërkime dhe të zhvilloj dijeni mbi shkencën e narratologjisë dhe teknikave të rrëfimit edhe pas mbarimit të studimeve universitare. Ndërsa ideja për romanin mbi vitin 1997 buron nga më tepër se një frymëzim. Pikësëpari ajo ka lindur nga dallimi i madh mes realitetit shqiptar të jetuar nga unë deri në atë kohë dhe realitetit të ri që gjeta në ambientin universitar në Itali. Ideja, e ushqyer nga kujtime dhe mbresa të forta që binin ndesh edhe më thekshëm me realitetin e ri, ka lindur nga dëshira dhe vullneti im personal për t’i dhënë zë dhe për ta denoncuar atë vit të rëndë për Shqipërinë, që fati e deshi të ishte pjesë e fëmijërisë sime. Jam përpjekur ta përmbledh esencën e atij viti në formë letrare me qëllimin për t’ia lënë si dëshmi dhe trashëgimi letërsisë dhe shoqërisë shqiptare. Romani, jo pa qëllim i shkruar në vetë të parë, mund të konsiderohet fare mirë edhe si një pjesë e autobiografisë së fëmijërisë sime.

Cili është mendimi juaj për impaktin social te ’97-s mbi Beratin e Shqipërinë?

Impakti shoqëror i vitit ’97 qe shumë i rëndë jo vetëm për përhapjen e armëve dhe numrin e viktimave dhe të dëmeve të tjera që la pas, por edhe për faktin që shumë shqiptarëve iu zbeh besimi për të qëndruar në vendin e tyre. Po me atë vit nisën valë të reja migrimesh që shpurën shumë e shumë shqiptarë jashtë atdheut. Shumë i rëndësishëm dhe dramatik qe edhe impakti psikologjik dhe përhapja e fenomenit të gangsterizmit në një gjeneratë të tërë të rinjsh, e cila është edhe një prej temave kryesore që kam trajtuar në romanin tim.

Shqipëria sot nuk është ajo e ’97-s. Ku i vini re ndryshimet?

Shqipëria e sotme, për fat të mirë, është ndryshe dhe më e mirë se ajo e vitit 1997, pasi nuk luhet më me armë dhe nuk rrezikohet përditë jeta. Ndryshimet i shikoj te fakti që shteti është rimëkëmbur sadopak dhe njerëzit nuk janë më në dorë të bandave të armatosura si atëherë.

Çfarë i mungon sipas jush, mbi të gjitha, shoqërisë shqiptare sot?

Jam i mendimit që kriza kulturore është edhe më e rëndë dhe bashkëshkaktare e krizës ekonomike. Ndoshta shkaktari kryesor dhe më i rëndë. Në nder të përpjekjeve të bëra deri tani për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe të njerëzve që i kanë kryer ato nuk kam se si mos të marr si një shembull dramatik për këtë arsyetim mungesën e një klase politike të shëndoshë e cila mund ta udhëhiqte vendin në mënyrën më të mirë të mundshme kulturalisht dhe ekonomikisht. Edhe pse mund të duket disi naive dhe fëmijërore, në të vërtetë nuk arrij dot t’i jap një përgjigje të mjaftueshme pyetjes se përse politikanët tanë dhe ambienti nga ata burojnë nuk zgjedhin përulësinë dhe varfërinë materiale të tyre në shërbim të pasurisë shpirtërore dhe materiale të shoqërisë. Pra nëse të gjithë politikanët dhe burimet e tyre, që fundja i kanë rrënjët në shoqëri dhe vijnë nga shoqëria – ndaj e vendos krizën kulturore si një ndër shkaktarët kryesor të mungesës së mirëqënies dhe nënkuptojë me të zbehje ose mungesë vlerash etike dhe trashëgimore dhe mungesë dije – do të mendonin kështu, a nuk do të ishim më mirë?

A e ndiqni letërsinë bashkëkohore shqiptare?

Për fat të keq, duke qenë jashtë vendit, nuk kam patur shumë mundësi për ta ndjekur letërsinë shqiptare bashkëkohore, por kam arritur të gjej në ndonjë bibliotekë të Romës vepra të mira në gjuhën shqipe të autorëve Dhimitër Xhuvani dhe Fatos Kongoli. Ndërsa kur kthehem në Shqipëri, interesohem rregullisht për risitë letrare.

A keni plane të reja letrare?

Planet e një shkrimtari ndonjëherë janë të paparashikueshme sepse varen shumë prej frymëzimeve që mund t’i vijnë, por kam dëshirë të botoj një ditë në Shqipëri një manual mbi artin e bukur të shkrimtarisë, për t’u ardhur në ndihmë sadopak atyre të apasionuarve si unë që e duan letërsinë dhe kanë dëshirë të shkruajnë.

 

Link to origin. Confronto, accoglienza e identità secondo l’artista kosovara Majlinda Kelmendi

Link to origin. La nota artista kosovara Majlinda Kelmendi per la prima volta a Roma