in

Të gjithë bashkë për Alketin – Nismat për mbledhjen e fondeve

Ka vetëm dy muaj kohë për t’i shpëtuar jetën Alketit, foshnjes jetim në Tiranë, që duhet operuar në Itali

Romë, 13 qershor 2012 – Njëzetmijë euro dhe maksimumi dy muaj kohë. Janë këto limitet nga të cilat varet jeta e vogëlushit Alket i cili aktualisht ndodhet në jetimoren e Tiranës. 14 muajsh, fëmijë fryt i një përdhunimi, i lindur me një keqformim në zemër. Jeta e këtij vogëlushi flokëverdhë duket si e destinuar të ketë një rrjedhë negative, një rrjedhë që tani shoqata Patronesse, e cila vepron pranë spitalit Salesi të Ancona, duket se ka vendosur t’i ndryshojë drejtimin.

Në Ancona u organizua një takim posaçërisht për t’i dhënë jehonë rastit dhe për të filluar fushatën e mbledhjes së fondeve. Milena Fiore (kryetare e shoqatës Patronesse), Clementina Merlo (Spai) shoqatë adoptimesh ndërkombëtare, Marco Pozzi (Drejtori i Repartit të kardiokirurgjisë pediatrie të Spitalit Riuniti-Torrette, Ancona) dhe Luigi Catalano (pronari i ndërmarrjes Edilcost).

Mjeku, që me ekipin e tij ka marrë përsipër operacionin, ka bërë të ditur se, sipas lajmeve që mbërrijnë nga Shqipëria, fëmija ka dy probleme në zemër: një “vrimë” dhe një difekt tjetër të lindur që i pengon daljen normale të gjakut nga ky organ. Problemet shëndetësore të Alketit janë konstatuar prej një viti, prandaj operacioni duhet të bëhet sa më shpejt. Kirurgu specifikoi se këto lloj difektesh mund të sjellin ndryshime të shpejta dhe është më mirë të veprohet urgjentisht, sepse nuk dihet se sa i mbetet për të jetuar. Ai shtoi se në rast ndërhyrjeje të shpejtë, fëmija nuk do të ketë asnjë pasojë gjatë jetës.

Milena Fiore, kryetare e shoqatës Patronesse tha hapur: “Jemi mbledhur këtu për të kërkuar ndihmë. Duhen 20 mijë euro dhe jemi të bindura që do arrijmë ta mbledhim këtë shumë”, sepse sipas saj solidariteti nuk njeh krizë.

Që ditën e prezantimit të fushatës, eksponentë të sportit kanë bërë të ditur se në kuadrin e një sërë aktivitetesh, do të mbledhin fonde për Alketin nëpërmjet shitjes së bluzave në ankand.

Luigi Catalano, i ndërmarrjes Edilcost që të shtunën feston përvjetorin e themelimit, shpreson të mbledhë një shumë të madhe. Rreth 200 të ftuarve do t’i kërkohet të japin kontributin e tyre për vogëlushin shqiptar.

Është hapur një llogari bankare pranë Unicredit Ancona me këto koordinata –

“Associazione Patronesse”
causale del versamento: “Dedicato a Alket”
IBAN  IT17G0200802619000102099102

Sapo të mblidhet shuma e nevojshme fëmija do të sillet në Itali dhe do të operohet brenda tre-katër ditësh.

Të dyja shoqatat, të kontaktuara drejtpërdrejt, na garantuan se shuma është e nevojshme për shpenzimet e  udhëtimit, operacionit dhe kurave të mëtejshme. Na rrëfejnë se shumën e parë prej 50 eurosh e ka dhënë një pensionist dhe se ndërkohë janë derdhur të holla edhe nga qytete të tjera italiane. Shpresa është që pasi t’i shpëtohet jeta, Alketi të adoptohet nga ndonjë familje në Itali.

Irida Cami

Apeli: Të gjithë bashkë për t’i shpëtuar jetën Alketit

Aty ku ekzistojnë njerëzit – Kur solidariteti dhe humanizmi kthehen në virtyt

 

Të gjithë bashkë për t’i shpëtuar jetën Alketit

I djegur përpara pak muajsh, njëvjeçari Klevin do të operohet Cesena