in

Të martohesh për dokumente

Nga shtypi shqiptar

Janë quajtur burrë e grua para ligjit dhe shoqërisë jo për dashuri, por për të marrë një leje qëndrimi në një vend të huaj. Në këto vite janë të shumtë shqiptarët që martohen me të huaj për t’u pajisur me dokument në vendin ku kanë emigruar. Në të shumtën e rasteve janë ndier të detyruar të bëjnë këtë gjë për çështje mbijetese. Por çfarë vjen pas kësaj…? Shumë shpejt ata ndahen e deri sa arrijnë në këtë pikë, kalojnë një sërë proçedurash, jo gjithmonë të lehta apo të këndshme për t’u ndjekur.
Duke iu referuar gjykatës së Tiranës ne kemi arritur të nxjerrim disa të dhëna. Këtë vit janë paraqitur 5 kërkesa për divorce nga ato që njërin prej partnerëve e kanë të huaj. Ajo që të bie në sy është se martesa më e gjatë rezulton ajo mes B.N., nga Tropoja i datëlindjes 1952 dhe shtetases angleze E.B., e datëlindjes 1963, që ka zgjatur 5 vjet! Ndërsa, ajo më shkurtra rezulton e një shtetase britanike e martuar me një përmetar. Sipas kopjeve të vendimeve, me përjashtim të njërit prej tyre, në të cilin thuhet shprehimisht se martesa është bërë për efekt dokumentesh, çiftet e tjerë pretendojnë në deklarime se muajt e parë çdo gjë ka shkuar mirë po më pas… mjalti ka mbaruar!

Ndër shkaqet e përfundimit në dyert e gjykatës radhiten: mungesa e tolerancës apo e respektit reciprok, mospërputhje karakteresh, dhe mospërshtatja me realitetin shqiptar. Këto arsye e kanë bërë të pamundur bashkëjetesën në çift, sipas deklarimeve.

Megjithatë, mjafton të lexosh pak historinë dhe rrethanat e martesave që të kuptosh që këto martesa kanë qenë për efekt dokumentacioni. Disa kanë bashkëjetuar shumë pak. Nga këto 5 çështje, për të cilat kemi vendimet gjyqësore, asnjëra nuk është zgjidhur me pajtim dhe po ashtu asnjeri prej çifteve nuk ka pasur fëmijë.

Shtetaset, me të cilët janë lidhur më shumë djemtë “e dashuruar” nga Shqipëria, janë nga Kanadaja, Gjermania, Britania, vende këto ku është  më e vështirë të marrësh një leje qëndrimi. Por, këto vendime nuk janë të parat për të cilët gjykata e kryeqytetit ka vendosur vulën e divorcit të çifteve me një partner të huaj.

Sipas statistikave në arkivin e këtij organi janë të paktën 30 çifte me fabul të tillë që ndahen çdo vit.

Të tjera raste nga viti i kaluar publikohen në vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit. Në momentin që sigurohen dokumentet e qëndrimit, në Shqipëri dhe në vendin ku jeton çifti kryhen procedurat e divorcit. Procedurat janë të thjeshta dhe janë çështje që nuk zgjasin shumë, maksimumi me dy seanca mbyllet i gjithë procesi. Divorci është në marrëveshje të dy palëve dhe çiftet zakonisht nuk kanë fëmijë dhe pasuri për të ndarë.

Dy nga shtetet më të “infektuara” janë Anglia dhe Gjermania. Aktualisht në Britaninë e Madhe ndodhen rreth 120 mijë emigrantë shqipfolës. Pjesa më e madhe janë nga Shqipëria, më pas Kosova dhe Maqedonia. Nga ky numër vërtet i lartë, rreth 20 mijë prej tyre jetojnë në Londër. Por të kesh dokumente britanike qëndrimi është shumë e vështirë. Kush ia arrin kalon nëpër këto etapa: në fillim merr një vizë 2-vjeçare, më pas një lejeqëndrim të përhershëm dhe në fazën e tretë shtetësinë. Gjithsesi shumë emigrantë pasi kanë aplikuar, u është mohuar viza në Gjykatën e Shkallës së Parë. Por kjo nuk do të thotë se ata i kanë humbur shpresat. Për të zgjatur më shumë procedurat, rëndom emigrantët e dërgojnë çështjen e tyre në Apel. Gjatë kësaj kohe ligji i mbron duke u garantuar qëndrimin në vend, deri në marrjen e sentencës së formës së prerë. Dhe për të shmangur peripeci të kësaj natyre, kërkohen të tjera forma për të mbijetuar.

Por ligji anglez parashikon se një person përfiton vizë afatgjatë ose shtetësinë nëse martohet me një shtetas britanik. Këtë “fat” e kanë pasur edhe një pjesë e vajzave të vendeve të lindjes, kryesisht polake. Tashmë ligjërisht angleze, ato janë të gatshme që kundrejt një pagese që shkon 5-6 mijë paund, “të ndihmojnë” shqiptarët, duke u martuar.

Por kjo industri fitimprurëse që i detyron shqiptarët jo vetëm të martohen zyrtarisht por edhe të japin shuma të mëdha nga xhepi i tyre, është nuhatur edhe nga shtetaset angleze. Ndërsa lindoret e kanë tarifën më të ulët, anglezet kërkojnë deri në 10 mijë paund për t’i hyrë kësaj aventure që atyre nuk është se u kushton shumë. Për të përfituar dokumentet nuk mjafton vetëm martesa në Angli, pasi kjo kërkon edhe të tjera andralla. Çifti duhet të vijë në Shqipëri dhe të celebrohet. Dosja, që të të jetë sa më e plotë, ka nevojë edhe për disa foto që tregojnë një ceremoni martesore, përveç një dëshmie nga zyrat e gjendjes civile se çifti i lumtur është martuar.

Entela Resuli, Shekulli

Rrënojat e Kukësit të vjetër mbi akullin e liqenit

Përurohet në Romë cikli i veprimtarive “Vendi përballë” – Photogallery