Për Harald V të Norvegjisë, populli është një i vetëm edhe kur njerëzit vijnë nga anë të ndryshme të globit, besojnë secili në zotin e vet apo dashurojnë në mënyra të ndryshme VIDEO
Romë, 8 shtator 2016 – “Nuk është e thjeshtë të thuash nga vijmë, cilës kombësi i përkasim. Shtëpia është atje ku kemi zemrën, që nuk mund të vihet gjithnjë brenda kufinjsh të përcaktuar”. Fjalë mbreti.
Harald V i Norvegjisë më 1 shtator ftoi në oborret e Pallatit Mbretëror në Olso mbi 1500 persona, përpara të cilëve mbajti një fjalim. Videoja, falë edhe rrjeteve sociale, ka kapërcyer kufinjtë e mbretërisë së tij e po shpërndahet nga mijëra vetë në mbarë botën.
Kush janë norvegjezët? Pyet mbreti që në 79 vjet jetë ka parë sa shumë kanë ndryshuar nënshtetasit e tij. e arrin në përfundimin se mund të jesh një popull i vetëm edhe pse arrihet nga të katër anët e botës, ndiqen shumë besime fetare apo dashurohet në mënyra të ndryshme.
“Norvegjezët – tha sovrani – vijnë nga veriu, nga qendra e nga jugu e nga të gjitha rajonet e tjera. Janë edhe imigrantë nga Afganistani, Pakistani, Polonia, Suedia, Somalia dhe Siria. Gjyshërit e mi migruan nga Anglia dhe Danimarka 110 vjet më parë”.
“Norvegjezët janë vajza që duan vajzat, djem që duan djemtë, djem e vajza që duan njëri-tjetrin”. E jo vetëm kaq, “Norvegjezët besojnë në Zot, Allah, në gjithçka e në asgjë”. “Me pak fjalë, ti je norvegjez, ne jemi norvegjeë”.
“Shpresa ime më e madhe për Norvegjinë – përfundoi Harald V – është që do të kujdesemi për njëri tjetrin. Që do të jemi të aftë të ndërtojmë akoma këtë vend mbi besimin, vëllazërinë e mbi zemërgjerësinë.Që, me gjithë dallimet që kemi mes nesh, do të jemi gjithnjë një popull i vetëm. Që Norvegjia është një”.