in

Të përgjuar nga qiradhënësi

Një histori e trishtë përgjimi është nxjerrë në dritë në transmisionin e fundit Le Iene: viktimat disa familje, shumica shqiptare, ndërsa përgjuesi, i zoti i shtëpisë që u kishte lëshuar me qira apartamentet.

Krejt rastësisht njëra prej familjeve, burrë e grua shqiptarë, zbulojnë që në dhomë të gjumit kanë një telekamerë të drejtuar mbi krevat që filmon gjithçka ndodh. Telekamera është fshehur në një prizë elektrike e kur çifti vendos një ditë të vërë kabllon e antenës për të pasur televizorin edhe në dhomë të gjumit, me teknikun që hap prizën zbulojnë të papriturën e hidhur. Brenda gjejnë telekamerën në funksionim. Ndërkaq i zoti i shtëpisë që jeton në të njëjtin pallat, duke qenë në përgjim, merr vesh menjëherë ç’ndodh në apartamentin e dhënë me qira dhe zbret menjëherë. Merr telekamerën dhe përpiqet ta shkatërrojë.

Çifti nuk e humb toruan: thërret menjëherë karabinierët dhe këta nuk kanë asnjë dyshim: janë përballë provës së një përgjimi të mirëfilltë të paautorizuar të privatëve.
Shumë shpejt del në dritë që familjet e përgjuara janë shtatë, që të gjitha në shtëpi të lëshuara me qira nga përgjuesi i tyre. Dhe telekamerat nuk ishin vetëm në dhomë të gjumit. Në njërën prej shtëpive, një nga  telekamerat ishte vendosur edhe në banjë, mbi dush, në një tjetër edhe në dhomën e gjumit të vajzave të mitura.

Duket se karabinierët kanë gjetur prova të tjera në një garazh të përgjuesit, por familjet shprehin frikën mos ka vënë ndonjë material të filmuar në web.
Gjithnjë sipas Le Iene, në qytetin e vogël të gjithë ishin në dijeni të këtij rasti, por asnjë nuk kishte parë ndonjë prej filmimeve në fjalë. Tani fjalën e kanë organet e drejtësisë.

Shiko programin Le Iene

 

Rreth 15% e shqiptarëve jeton në Itali

Veronesi: “Italia duhet të rishqyrtojë planet e saj bërthamore”