in

Tërmeti në Itali që duhet të shkundë Tiranën

Zoti mos e sjelltë tërmetin në Tiranë! Profesionistët “pesimistë” kanë frikë të parashikojnë se çfarë pamjeje mund të ketë kryeqyteti ballkanas, kësaj ane të Adriatikut plot me rërë të zënë nga ndërtimet kuturu. Por me siguri, atëherë nuk do të ketë kullë në këmbë që të mbajë kambanën që do të bjerë për të gjithë
Nga Lorenc Vangjeli

Ora në kambanoren e Amatriçes, në Itali, ka mbetur e fiksuar në orën 03.37 minuta. Nata ka qenë e tmerrshme në atë komunë dhe gjetkë në vendin fqinjë kur një tërmet i fuqishëm rrafshoi qindra shtëpi banimi e godina të tjera dhe mbi të gjitha, duke shkaktuar një bilanc të përgjakur viktimash. Fatkeqësisht një bilanc ende provizor në numrin e atyre që kanë humbur jetën, e atyre që janë plagosur dhe tek gjithkush që u gjet i përfshirë në atë tragjedi natyrore me një jetë që duke nisur nga e djeshmja, nuk do të jetë më kurrë si më parë. Sepse minimalisht gjithkush ka pasur shumë për të humbur në atë tragjedi. Humbën kujtimet e të djeshmes nën rrënoja dhe e bënë të ardhmen më të dëshpëruar.

Deri dje në mëngjes në Tiranën e gdhirë përgjumësh në epilog pushimesh vere, shumë pak mund të kishin dëgjuar për Amatriçen italiane. Mbas fatkeqësisë, e gjithë media vendase, e shkruar apo me figurë, i kushtoi shumë kohë asaj. Fillimisht duke treguar çfarë kishte ngjarë, më pas duke treguar dhe për shqiptarët e përfshirë në të dhe më pas, edhe me ngushëllimet dhe solidaritetin njerëzor që politika dërgon në bregun tjetër të Adriatikut.

Ai breg sot ngjan shumë i afërt më këtë anë të detit që ndan dy vendet. Jo vetëm sepse fatkeqësitë nuk ndajnë, por bashkojnë, por edhe sepse fatkeqësitë në thelb janë pësime që duhet të prodhojnë mësime. Në rastin e Tiranës këto mësime mund të jenë drithëruese. Tërmetet ende nuk parashikohen dhe nuk ka asgjë në botë që t’i parandalojë. Njeriu mund të bëjë të kundërtën e tyre; të ofrojë mundësi që ato të ndodhin me veprimet apo dhe mosveprimet e tij.

Ndaj tërmeteve nuk ka mundësi të shpiket diçka që t’i bëjë më pak të egër, më pak të frikshëm apo më pak të dëmshëm. Ndaj tyre ka vetëm një shans për t’i dhënë mbijetesës një shans më shumë: të ndërtohet mirë. Të ndërtohet me cilësi. Të funksionojnë një mijë e një hallka që shoqërojnë industrinë e ndërtimit si një biznes privat dhe si detyrim shtetëror i të gjithë pushteteve. Ato janë hallka që nisin me themelet dhe studimet gjeofizike të terrenit, me cilësinë e produkteve të ndërtimit dhe nuk mbyllen deri në respektimin pa kushte të kushteve të lejes së ndërtimit. Ka ndodhur një gjë e tillë në Tiranë, në Durrës, Vlorë e gjetkë? Absolutisht jo!

Dhe kjo gjë ngjall frikë. Në gjendje normale dhe në ditë normale tërmeti ngjan më i largët se fundi i botës. Por herët a vonë, fundi i botës vjen dhe atëherë gjithkush duhet të jetë i përgatitur sepse ai nuk bën dallim dhe nuk diskriminon sepse godet gjithkënd! Edhe ndërtuesin, edhe abuzuesin, edhe qytetarin, edhe këdo. Për këto arsye, tërmeti italian duhet të shkundë fort dhe Tiranën. Jo vetëm me solidaritet ndaj viktimave matanë Adriatikut, por me ankth për brigjet e kësaj ane të detit. Ku shpesh themelet janë hapur në rërë dhe jo vetëm në kuptim figurativ. Ku shpesh godinat janë lartuar si kallama në kënetë. Ku shpesh muret dridhen dhe nga teshtima e fqinjit. Ndërtimi në Shqipëri, në shumë raste është bërë me ngut, në këmbë dhe sot për nesër. Ende sot e kësaj dite në Tiranë ka vetëm një kambanore dhe për fat të keq, ora e saj ka mbetur ende në shifrat: fito me çdo kusht dhe me çdo kusht maksimizo fitimin. Zoti mos e sjelltë tërmetin në Tiranë! Profesionistët “pesimistë” kanë frikë të parashikojnë se çfarë pamje mund të ketë kryeqyteti ballkanas, kësaj ane të Adriatikut plot me rrërë të zënë nga ndërtimet kuturu. Por me siguri, atëherë nuk do të ketë kullë në këmbë që të mbajë kambanën që do të bjerë për të gjithë.

Botuar në Javanews

 

 

 

 

 

 

 

Mbërrin kartë blerjesh për më të varfërit, përjashtohen shumë imigrantë

Mrekulli që nuk shkakton aksident, 13 km autostradë në drejtim të gabuar