in

“Të zhgënjyer nga mosmbyllja e procesit teknik për sigurimin e votës emigrantëve”

Intervistë publicistit Gjergji Kajana mbi politikën shqiptare e emigracionin

Vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 qershorit që do të përcaktojnë kush do të jenë 140 përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend për katër vitet e ardhshme. Mbi arritjet e mangësitë e këtyre katër vjetëve të fundit, mbi fushatën e vakët elektorale, “të ndezur” nga fjalët e presidentit të zgjedhur të Republikës, mbi votën e emigrantëve, biseduam me publicistin Gjergji Kajana në Romë, që trajton çështje politike për media të ndryshme në Shqipëri e Itali.

Gjergji përshëndetje. Ju ishit ndër optimistët në 2013 kur kualicioni i majtë PS-LSI fitoi zgjedhjet shqiptare. Cilat janë gjërat që besoni se ata kanë bërë mirë, veçanërisht në drejtim të emigrantëve?

Në vitin 2013 Shqipëria ishte para një udhëkryqi: të lejohej vazhdimi i regjimit berishian duke e rilegjitimuar me votë apo të kthehej pllaka tek rrëzimi i tij për t’i besuar qeverisjen të majtëve. Besoja se berishizmi duhej rrëzuar nga pushteti, çka e kam shkruar edhe në këtë gazetë. Në 4 vjet qeverisje të majtë nuk jam penduar për atë besim dhe, në krahasimin me qeverisjen e mëparshme, do t’i jepja të majtëve notën kaluese në politikën e brendshme sepse atmosfera politike e sociale kombëtare ka humbur konfliktualitetin pre-2013, ekonomia nominale është rikthyer në rritje më të qendrueshme sesa atëherë e rruga drejt BE-së është në progres, jo e bllokuar. Gjërat më të mira janë lufta ndaj informalitetit me regjistrimin e bizneseve e detyrimin për pagesën e energjisë nga qytetarët, dy mënyra për të luftuar evazionin fiskal. Si shqiptar që ka parë e sheh me sytë e tij punën e zezë këtu në Itali besoj se formalizimi i punëtorëve prej regjistrimit të bizneseve në QKR, kryer në 2015, u jep këtyre bashkëkombasve dinjitet profesional e një CV kontributiv të cilit do t’ia shohin më tepër frytet në moshën e pensionit. Shqiptarët e varfër nuk e kanë kuptuar kurrë se dallimi mes punës joformale e asaj formale është themelor. Masë e mirë është pensioni social për shqiptarët mbi 70 vjeç që nuk kanë CV kontributesh gjatë jetës së tyre të mëparshme. Më pëlqen shumë edhe politika e jashtme, veçanërisht riafrimi i nevojshëm me Serbinë në kuadrin e nevojës për integrim të përbashkët të Ballkanit Perëndimor në BE e përpjekjet ndaj Athinës për njohjen e çështjes çame.
Ndaj emigrantëve kam lexuar se qeveria po mundohet të nënshkruajë marrëveshje për njohjen e pensioneve me shumë vende. Finalizimet do të ishin shumë të mirëpritura. Por, mbi të gjitha, për një të ri e shumë të tjerë si unë të ndërgjegjshëm për të drejtat politike do të ishte edhe më i mirëpritur finalizimi i njohjes e ushtrimit të të drejtës për votim në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të shqiptarëve që jetojnë jashtë. Kjo është e drejtë universale për të gjithë shqiptarët, garantuar nga neni 45 i Kushtetutës.

Mund të jeni më shpjegues në këtë pikë e të tentoni të vendosni pikat mbi “i” mbi mangësinë qeveritare në këtë pikë.

Shteti shqiptar nuk i mundëson shqiptarëve jashtë mundësinë për të votuar materialisht në vendet ku ata jetojnë. Ndërkohë neni 45 pika 1 e Kushtetutës sonë reciton: “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Gjatë fushatës së 2013-s kandidati për kryeministër Rama premtoi se kjo e drejtë do të arrihej përgjatë legjislaturës 2013-2017. Mundësimi i ushtrimit të kësaj të drejte arrihet teknikisht vetëm pasi të jetë kompletuar regjistrimi i shqiptarëve rezidentë jashtë Shqipërisë. Ligji që autorizon nisjen e këtij procesi regjistrimi është miratuar në Parlament në 2016. Regjistrimi nuk është finalizuar. Besoj se ky proces teknik ka padyshim kohët e vështirësitë e veta por si shqiptar që kërkon të ushtrojë të drejtën politike të votës jam thellësisht i zhgënjyer prej mosmbylljes së tij. Shpresoj të mos jem i vetmi.
Mangësia qeveritare është si në kohët e nisjes së procesit teknik që nis materializimin e ushtrimit të së drejtës, si në faktin praktik që e drejta nuk po materializohet. Rama është zotuar se premtimi do të mbahet në legjislaturën 2017-2021 nëse PS do të ketë timonin e qeverisë përsëri pas 25 qershorit. Kësaj here duhet patjetër që premtimi të mbahet sepse jemi të dhunuar në një të drejtë kushtetuese prej mosmbajtjes.

Besoni se do të merret seriozisht vota e emigrantëve?

Lajmërimi i nisjes së regjistrimit tregon kemi hyrë në binarët e seriozitetit por varet sa do të zgjasë rrugëtimi i këtij treni deri në destinacion. Kohët janë problem shumë i madh për ne. Shqiptarët jashtë kanë problemet e tyre ekonomike por janë kontributorë neto shumë-shumë të rëndësishëm në mirëqenien e Shqipërisë përmes dërgesave monetare në atdhe. Tani gjatë fushatës po lexoj se PDIU e Shpëtim Idrizit po propozon ngritjen e një ministrie për emigracionin.
Dëshiroj të shtroj edhe një ide: studentët shqiptarë jashtë a nuk mund të meritojnë një çmim monetar nga shteti ynë nëse diplomohen me maksimumin e vlerësimit akademik në vendet ku studiojnë? Ai çmim nuk do t’u ndryshojë jetën por është një mënyrë për t’i bërë të ndiejnë se janë pjesë e një komuniteti kombëtar. Vende të tjera financiojnë enkas programe studimi jashtë me qëllim rikthimin e trurit në atdhe pikërisht sepse rëndësia e trurit është e paçmueshme.

Mendoni se dikujt në Shqipëri i leverdis mosdhënia e të drejtës së votës migrantëve?

Po, e mendoj: u leverdis atyre politikanëve që nuk duan qendrime kritike sepse dihet që emigrantët janë më kritikë sesa shqiptarët brenda Shqipërisë në gjykimin e realitetit e mund të japin një votë opinioni bazuar në programin e partive, jo një votë interesi për vend pune apo një votë që lidhet me faktin se njohin personalisht këtë apo atë kandidat apo kanë simpati për arsye personale për këtë apo atë parti. Kjo është pasojë e faktit se shumica kanë jetuar në shoqëri më të civilizuara. Nëse Shqipëria do të ketë në krye elita që mendojnë në mënyrë penguese, atëherë kjo e drejtë do të vonojë e do të vonojë. E përsëris: kohët janë shumë të rëndësishmë, për këtë projekt e për këdo. Shpresoj të mos jetë kjo lloj elite penguese ajo që do të fitojë zgjedhjet shqiptare.

Si e shihni marrëveshjen Rama – Basha, marrëveshja që shtyu afatin e mbajtjes së zgjedhjeve në 25 qershor?

Së pari duhet të them se mendoj se kauza e tendës së Partisë Demokratike nuk ishte garantimi i zgjedhjeve me standarde por një mënyrë që grupi drejtues i asaj partie të mobilizonte elektoratin e tij për t’u parë në pasqyrë e për të thënë se janë ende faktor politik në Shqipëri. Thënë kjo, nuk mund të mohohet fakti se PD është partia e dytë më e madhe e Shqipërisë e gëzon një potencial shumë të gjerë votuesish. Zgjedhjet parlamentare pa PD-në do ta cungonin funksionimin e politikës shqiptare. Në ADN-në e kësaj partie nuk mungon aspak dhuna, kështu që sistemi rrezikonte vërtet shumë me zgjedhje pa PD-në në to. Në këtë prizëm marrëveshja besoj ishte një “ëin-ëin” për sistemin e për momentin që po jeton politika shqiptare: PD hyn në zgjedhje vështirësisht të kontestueshme pas garancive me ministrat teknikë në ekzekutiv në këmbim të ngritjes së komisioneve të vetingut, kusht themelor për përparimin e reformës në drejtësi. Zgjedhjet fituan pjesëmarrjen e partisë kryesore opozitare e aleatëve të saj të vegjël, Shqipëria fitoi vazhdimin e ecjes së reformës në drejtësi. Nuk besoj se marrëveshja ka pakte të fshehta për bashkëqeverisje PS – PD pas zgjedhjeve, madje dyshoj shumë se partia e Bashës do t’i përmbahet asaj marrëveshjeje pa vendosur kushte të mëtejshme. Kjo parti ecën pa busull bashkëkohore sepse busulla i ka mbetur tek lënia e Shqipërisë pa demokraci funksionale, në një kohë që tashmë atë e aspirojnë shumë fort shumica dërrmuese e shqiptarëve. Triumfi i demokracisë funksionale vuloset me aderimin tonë në BE, gjithnjë duke shpresuar që Brukseli të hedhë poshtë demonët e populizmit e të ndjekë politikën e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.

Ç’mendim keni për fushatën elektorale të presidentit të zgjedhur Meta?

Është një fushatë agresive sepse LSI po e ndjen veten të përjashtuarën e madhe të marrëveshjes Rama – Basha, paçka se frytet e saj besoj i korrespondojnë qeverisë së besimit për të cilën thirri LSI në prill. Rama po përjashton kategorikisht një qeveri me LSI brenda pas 25 qershorit e për integruesit ky konsultim elektoral kthehet në një betejë për jetë a vdekje për të mbetur në pushtet. Akuzat e Metës ndaj socialistëve sot po tregojnë se kualicioni i majtë ka pasur shumë pluhur nën tapet përgjatë 4 viteve të jetës së tij. Besoj se Meta ka gabuar që u distancua nga qendrimet e Ramës ndaj çadrës. Po zhvillon një fushatë shpesh me goditje verbale nën brez, si pohimi se do të armatosë popullin nëse policia nuk kap “zagarët” që dhunojnë eksponentë të LSI-së! Dhuna politike është një veçanti që e afron Shqipërinë me botën e tretë, por asnjë politikan nuk mund ta fusë në fjalor. Unë nuk besoj se shqiptarët do të zgjedhin LSI-në forcë të parë të vendit.
Pas një muaji zoti Meta do të hyjë në detyrë si kreu i shtetit dhe uroj të ketë në vëmendje shqiptarët kudo që ndodhen.

Mendoni se është e udhës që presidenti shqiptar të zgjidhet nga populli?

Mendoj se kjo është e udhës vetëm nëse një presidenti të zgjedhur nga populli i rriten kompetencat nga ato aktuale që ka sot. Marrëveshja Rama – Basha përmban edhe dakordësim për dialog për ndryshime kushtetuese brenda saj e, nëse mban, mbase do të diskutojë edhe këtë aspekt.

Shqiptari i Italisë

 

Votuesit dhe spektatorët e 25 qershorit

Leart Dhrami, bukëpjekës i zoti dhe sipërmarrës i suksesshëm