in

Termometri i brigjeve

Migracioni, e në përgjithësi lëvizja midis dy brigjeve të Adriatikut, do të ishte termometër i shkëlqyer i ecurisë socioekonomike të dy vendeve.
Nga Rando DEVOLE

Lajmi që u dha nga gazeta italiane “Il Messaggero”, me titull “La rivincita dell’Albania, arrivano gli italiani a cercare lavoro” (5 qershor 2014) kaloi jo vetëm Adriatikun por edhe dete të tjera, duke u përhapur me shpejtësi edhe në ujërat e internetit. Në fakt, lajmi u njoftua si nga mediat shqiptare, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, për t’u kthyer sërish në atdhe.

Informacioni statistikor u dha fillimisht nga Ministri i Mirëqenies sociale, Erion Veliaj, gjatë vizitës zyrtare në Itali, çka u konfirmua edhe gjatë aktivitetit që u zhvillua në Romë më 15 maj 2014 (i moderuar prej meje), ku eksponenti qeveritar informoi publikun dhe gazetarët se në Shqipëri punojnë e jetojnë aktualisht 19 mijë italianë.

Shifra i befasoi të pranishmit në sallë sikurse lexuesit e lajmeve pasuese. Pa dyshim, kemi të bëjmë me numër të konsiderueshëm, çka ndez kërshërinë e kujtdo. Që ta kuptojmë më mirë rëndësinë e kësaj shifre dhe për ta justifikuar impaktin që pati në publik, mjafton të bëjmë dy llogari të thjeshta për të parë se në përqindje dukuria e tregon qartë entitetin e saj. Në qoftë se do t’i kthenim 500 mijë shqiptarët me banim në Itali në përqindje mbi popullsinë vendase, do të vërenim se nuk janë aq larg nga përqindja e italianëve me banim në Shqipëri.

Pra lajmi qëndron, ndaj gazetarja italiane Angela Padrone ka bërë mirë që e ka dhënë, aq më tepër që shifra është rikonfirmuar nga institucionet shqiptare. 19 mijë italianë në Shqipëri nuk janë pak, e pavarësisht se titujt e gazetave zakonisht i emfatizojnë lajmet, për arsye mediatike, mbi të gjitha duhet parë tendenca e dukurisë se imigracionit në Shqipëri. Numri flet qartë, të paktën lidhur me tendencën.

Pasi kujton historinë e emigracionit shqiptar drejt Italisë, këtu e njëzet vjet më parë, gazetarja italiane përmend të dhënat e sotme zyrtare: “Janë 19 mijë italianët që kanë lejeqëndrimi për punë e studim. Shifër e konsiderueshme në një vend me pak më shumë se 3 milionë banorë. Nga universiteti tek call center, restorantet, ndërmarrjet e vogla, italianët në dy vitet e fundit janë shumëfishuar”.

Gazetarja më citon edhe mua, praktikisht pjesën kur i fola për rolin që ka emigracioni shqiptar në tërheqjen e investitorëve të huaj, në rastin tonë të italianëve. Fenomeni është i njohur teorikisht, por edhe në praktikë; ka shumë shqiptarë që pasi punojnë për një farë kohe në Itali bëhen “promovues zhvillimi” për vendin e tyre, duke i ftuar sipërmarrësit e huaj të investojnë në vendin e tyre, madje duke dhënë kontribut personal, shpeshherë duke u kthyer përkohësisht ose përfundimisht në atdhe.

Një pjesë e italianëve në Shqipëri janë imprenditorë që kanë hapur aktivitete ekonomike. Janë rreth 500-600 ndërmarrjet italiane që punojnë në Shqipëri. Në artikull citohet zv/presidenti i Dhomës italiane të Tregtisë, Luigi Nitido, i cili përmend edhe kategorinë e pensionistëve, që vijnë në vend për arsye se kostoja e jetesës është e ulët. Me sa duket bëhet fjalë për pensionistë italianë, që nuk ia dalin të jetojnë mirë me pensionin e vet në Itali dhe parapëlqejnë të jetojnë në vendin e vogël fqinjë ”një orë larg me avion”.

Së fundi përmendet kategoria e studentëve në mjekësi, ata që nuk kanë pasur mundësi ta kalojnë provimin e hyrjes në Itali dhe janë regjistruar në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, që bashkëpunon me universitetin e Romës “Tor Vergata” dhe ku japin mësim profesorë italianë.

Para se ta mbyllë artikullin me klimën pozitive në vend, gazetarja italiane përmend me të drejtë punëtorët italianë që kanë ardhur në Shqipëri për arsye nga më të ndryshmet, nga kriza e rëndë ekonomike deri tek arsyet familjare meqë, shumë qytetarë italianë e kanë burrin ose gruan me origjinë shqiptare.

Dukuria e imigracionit në Shqipëri, pra ardhja e të huajve në vend, nuk po bëhet për herë të parë. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as lajmet, as përsiatjet e studiuesve. Vetëm një vit më parë vihej re me kujdes prania e të huajve në Shqipëri, pavarësisht se munguan analizat përkatëse. Kujtojmë se sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, gjatë vitit 2012, në Shqipëri u dhanë 2.499 leje pune për të huajt, pjesa më e madhe e të cilave në kryeqytet. Sipas shtetësisë, vendin e parë e zinin turqit me 474 vetë, kurse italianët me 372 shtetas (15% e numrit të përgjithshëm) zinin vendin e tretë.

Për fat të keq, kemi në dispozicion vetëm shifrën e përgjithshme të italianëve në Shqipëri (19 mijë). Mund të mendohet se midis tyre ka sipërmarrës, nëpunës, specialistë, punonjës të thjeshtë, studentë, pensionistë, etj. Tek sipërmarrësit mund të futen ndërmarrjet e shumta që veprojnë në sektorin energjetik, bankar, agroushqimor, ndërtimor, shërbime, e kështu me radhë. Nuk është rastësi që përmenden call center-ët, sektor që ka pasur rritje progresive vitet e fundit, falë njohjes së gjuhës italiane, por edhe prania e të ashtuquajturëve fasonë (prodhimi i veshmbathjeve)…

Vazhdo leximin në blogun Peizazhe të Fjalës

Lexo edhe:
ISTAT: 2.100 shqiptarë janë kthyer në atdhe gjatë vitit 2013
Venti di migrazioni. Gente che va, gente che viene
Facciamo il Bis a casa loro!

 

Shtypi shqiptar: Ministri Bushati kërkon largimin e ambasadorit Ceka

Mutui. Dagli immigrati il 10% delle domande, ma la crisi si sente