in

Terror në Bruksel, sulm në zemër të Evropës

Të paktën 31 të vdekur, rreth 250 të plagosur. ISIS merr përsipër autorësinë e sulmeve. Ndalohen dy persona, kërkohen të tjerë

Për belgët, “22 marsi nuk do të jetë më një ditë si të tjerat”, për ta thënë me fjalët e Philippe-s, Mbretit të belgëve. Është i zi bilanci i sulmeve të të martës në Bruksel. Nga ministria e Shëndetësisë lajmërojnë se viktimat janë 31 persona, të plagosurit, të paktën, 250.

Brukseli, qendra e Evropës kaloi ditën më të gjatë e më të zezë. Fillimisht dy shpërthimet në aeroportin e Brukselit Zaventem në 8 të mëngjesit kanë vrarë të paktën 11 persona e kanë lënë të dhjetëra të tjerë.

Shpërthimet në aeroport kanë ndodhur në zonën e Nisjeve në Terminalin A, shumë pranë sportelit të American Airlines e Brussels Airlines. Në atë orë të mëngjesit zona ishte plot me pasagjerë. Në atë zonë policia ka gjetur edhe një bombë të tretë që nuk ka plasur. Në orët që pasuan, forcat e rendit që veç të tjerash kanë kontrolluar edhe xhirimet e telekamerave të mbikëqyrjess së aeroportit, kanë publikuar një foto ku shihen tre burra që shtyjnë karrelë me valizhe, si shumë e shumë të tjerë në një aeroport. Ndryshe nga passagjerët e tjerë, dy nga burrat e fotografisë mbajnë dorezë vetëm në dorën e majtë gjë që ka shtyrë të mendohet se fshihnin detonatorët e se janë ata kamikazët që u hodhën në erë në aeroport. I treti, akoma nuk është kapur e policia ka shpërndarë identikitin e tij dhe u bën thirrje qytetarëve të japin informacione nëse kanë.

Nën sulm edhe qendra e qytetit, ku gjenden zyrat të BE-së, ku çdo ditë punojnë me qindra ekspertë e funksionarë të lartë. Rreth një orë më pas, në 9:15, u ndie një shpërthim në stacionin e metrosë Maelbeek, dy hapa larg institucioneve evropiane. Një nga daljet e stacionit çon në selinë e Komisionit Evropian, tjetra në atë të Këshillit Evropian. Këtu humbasin jetën 20 persona.

Të plagosurit janë të paktën 250 vetë. Shumë kanë përfunduar në sallë të operacionit ku u janë prerë gjymtyrë të dëmtuara rëndë nga goxhdët dhe copat e xhamit që përmbanin bombat.

Brukseli blindohet, forcat e shumta të rendit kontrollojnë gjithandej, por nuk lëviz asnjë mjet i transportit urban. Gjithçka ndodh vetëm tri ditë pas arrestimit të Salah Abdeslam, i kërkuari për atentatet e 13 nëntorit në Paris.

Gjatë ditës së martë mbërrin edhe deklarimi i atësisë së aktit terrorist nga ISIS. Fillimisht në anglisht e më vonë në frëngjisht dhe arabisht: “U premtojmë shteteve janë lidhur në aleancë kundër ISIS ditë të errëta në përgjigje të sulmit të tyre kundër nesh. Belgjika u godit sepse është pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër Kalifatit”.

Dy persona të dyshimtë janë arrestuar rreth 2 km nga stacioni i metrosë Maelbeek, por akoma nuk është e qartë nëse ishin të përfshirë në atentatet e mëngjesit. Pa deklaruar asgjë në media, policia ka bastisur shumë shtëpi në lagjen Schaarbeek të qytetit ku jeton një komunitet i madh myslimanësh dhe marokenësh. Aty ka gjetur edhe një bombë që përmbante edhe gozhdë, lëndë kimike dhe flamur të shtetit islamik.

Nga prokuroria lajmërojnë se kontrolle janë bërë në mbarë vendin e se po merren në pyetje të gjithë dëshmitarë të atentateve.

Bie nata e Belgjika përpiqet të marrë disi veten nga dita e gjatë e zezë që përjetoi.

Lexo edhe:
Nga Papa e Obama te Putin e Assad. Reagimet pas sulmeve terroriste në Bruksel
Shqipëria shpreh solidaritet me Belgjikën dhe me qytetarët e Brukselit
Gjermani. Arrestohen 3 kosovarë që vinin nga Brukseli
Lega: “Jemi në luftë, të ndalojmë imigracionin dhe të kontrollojmë myslimanët”

 

 

 

 

 

 

 

 

Lega: “Jemi në luftë, të ndalojmë imigracionin dhe të kontrollojmë myslimanët”

Nga 11 shtatori 2001, gjak e terror në Evropë