in

Tetë të humbur dhe dy të mbijetuar nga përplasja e dy anijeve

Shuhen të gjitha shpresat për të gjetur në jetë ndonjë tjetër person të ekuipazhit të anijes tregtare të mbytur

Romë 21 tetor 2011 – Dy të mbijetuar dhe tetë të humbur. Ky është bilanci përfundimtar i përplasjes mes anijes tregtare turke të drejtuar për në Mal të Zi dhe një trageti maltez të linjës Durrës-Bari.

Të mbijetuarit janë Ahmet Bau 37 vjeç dhe Ahmet Setik, 54 vjeç, të dy nga Stambolli. Ata ndodhen në spitalin rajonal të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti ndodhi rreth orës 01.00 të 20 tetorit në ujëra ndërkombëtare, 20 milje larg brigjeve shqiptare. Mes të zhdukurve dhe të shpëtuarve janë dhjetë shtetasit turq që përbënin ekuipazhin e anijes tregtare “Reina I”, që u mbyt në harkun kohor të pak minutave.

Operacionet e kërkimit të të humburve kanë vazhduar për rreth dhjetë orë. Në kërkime janë angazhuar shtatë mjete lundruese të Rojës bregdetare shqiptare dhe të policisë së kufirit dhe një motovedetë e Guardia di Financa italiane që prej vitesh është e pranishme në Durrës.

“Sipas ekspertëve të flotës sonë detare, nuk ka më asnjë shpresë që të rikuperojmë të humburit” ka shpjeguar gjatë ditës prefekti i Durrësit, Genci Alizoti. 

Fillimisht ishte folur edhe për tre trupa të rikuperuar në të gdhirë të 20 tetorit, por me kalimin e orëve u kuptua që lajmi ishte i pabazë. Burimet zyrtare shpjegojnë që trupat nuk ishin rikuperuar por “ishin parë”, edhe kjo e pavërtetë pasi duhet të ketë qenë një iluzion optik. “Në vendin e ngjarjes kemi gjetur vetëm disa pjesë druri të anijes dhe disa gomë shpëtimi. Asgjë tjetër”, ka saktësuar Alizoti.

Ahmet Bau, një nga të mbijetuarit, ka thënë për News 24, se anija udhëtonte nga Rusia drejt Malit të Zi ku duhet të arrinte në orën 7 të mëngjesit. “Pas përplasjes, mjaftuan vetëm dy minuta që anija të fundosej” ka rrëfyer ai. Gjithnjë sipas tij, vetëm tre apo katër marinarë kanë qenë mbi kuvertë në çastin e përplasjes, të tjerët ishin të gjithë brenda.

Sipas dëshmive nga trageti, anija tregtare duket se lundronte në rrugë të gabuar dhe se ishte lajmëruar me radio të ndërronte drejtim.

Asnjë pasojë nuk patën fatmirësisht 198 pasagjerët e tragetit “Ankara” e kompanisë Denis lines, i marrë me qira nga Adriatica. Trageti ka pësuar vetëm dy goditje të lehta në prua dhe pasditen e 20 tetorit u lejua të vazhdojë lundrimin drejt portit të Barit ku ka mbërritur në darkë. Në mëngjes palombarët do të kontrollojnë tragetin për të kuptuar nëse goditjet në prua mund të lejojnë apo jo vazhdimin e lundrimeve.

Tryezë për bashkëpunimin strategjik Shqipëri-Itali

Dhimitër Anagnosti, Nder i Kombit