Nga 1 tetori deri më 3 nëntor 2014, shqiptarët që dëshirojnë, mund të paraqesin kërkesë për lotarinë e famshme, për të përfituar një nga 50.000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë të autorizuara nga Kongresi amerikan për vitin 2016
Nis sot, më 1 tetor, në orën 18:00 (ora në Shqipëri) periudha e paraqitjes së kërkesave për Lotarinë Amerikane, apo për “vizën e shumëllojshmërisë” për vitin 2016 që do të mbyllet të hënën, më 3 nëntor 2014, në orën 18:00.
Në deklaratën zyrtare të ambasadës amerikane thuhet se, nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar pёr lotarinë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në Konsullatë, vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur.
Të interesuarit mund të plotësojnë elektronikisht formularin e kërkesës së lotarisë në http://www.dvlottery.state.gov, vetëm gjatë periudhës së regjistrimit. Aplikimet e pjesshme online dhe të gjitha ato me letër nuk pranohen. Aplikantët janë të lutur të mos presin deri javën e fundit të regjistrimit të periudhës së aplikimit, pasi kërkesat e shumta mund të krijojnë mbingarkesë në sistem dhe vonesë të regjistrimit të aplikimit.
Në udhëzimet e botuara nga shteti amerikan sqarohet çfarë është lotaria në fjalë: “Programi i Vizave të Emigrantëve të Diversitetit i autorizuar nga Kongresi administrohet në bazë vjetore nga Departamenti i Shtetit dhe drejtohet bazuar në ligjet e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht të Seksionit 203(c) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA). Ky ligj për një grup emigrantësh të njohur si – emigrantë të shumёllojshmërisë, me viza, që u vihen në dispozicion personave prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shteteve të Bashkuara”.
Për vitin 2016, do të jenë në dispozicion 50.000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (të lotarisë), lexohet në udhëzime ku theksohet që ata që dëshirojnë të kenë shanc “duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmёrisё në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie”.
Një kompjuter përzgjedh rastësisht të zgjedhurit për vizën e lotarisë. Vizat shpërndahen mes gjashtë rajoneve gjeografike dhe brenda çdo rajoni, asnjë vend i veçantë nuk mund të përfitojë më shumë se 7% të Lotarive (DV-ve) të disponueshme për çdo vit, ku pjesa më e madhe e vizave do t’i shkojë rajoneve me raport më të ulët emigracioni dhe asnjë vizë nuk u shkon shtetasve të vendeve që kanë dërguar më shumë se 50.000 emigrantë në SHBA në pesëvjeçarin e fundit, siç janë për shembull Bangladesh, Brazil, Ekuador, Filipine, Indi, Kanada, Kolumbi, Kinë, Mretëria e Bashkuar, Meksikë, Peru, etj. Ndër këto vende nuk renditet Shqipëria, ndaj shqiptarët mund të vazhdojnë të aplikojnë për këtë lotari.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbatuar sistemin e regjistrimit elektronik, duke filluar që nga lotaria e vitit 2005 (DV-2005) për ta bërë procesin e lotarisë sa më efikas dhe të sigurt. Nga ç’lexohet në udhëzimet on-line, “departamenti përdor teknologji speciale dhe mënyra të tjera për të identifikuar ata persona që kryejnë mashtrim për qëllime emigracioni ilegal ose për ata persona që aplikojnë më shumë se një herë brenda të njëjtit vit”.
Veç të tjerash, ambasada amerikane tërheq vëmendjen për të pasur kujdes nga mashtruesit e mundshëm: ” Nëse merrni një postë elektronike (e-mail) që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Lotarisë Amerikane ishte fitues dhe se për të vazhduar duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, atëherë ju jeni viktimë e një mashtrimi. Vitet e shkuara, aplikantët fitues njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore në Kentucky (QKK) me anë të postës, JO me e-mail dhe të përzgjedhurve u jepeshin udhëzimet se si të vazhdonin në hapat e mëtejshëm të procesit. QKK-ja nuk ju kërkon juve t’u dërgoni para (të holla) atyre, apo ndonjë Ambasade tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me postë apo nëpërmjet shërbimeve si Western Union. Për ata që kanë aplikuar për DV-2015, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit (Entry Status Check), i cili do të jetë në përdorim duke filluar nga data 1 maj 2014, në faqen e Internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore “Aplikimi Elektronik për Vizat e Shumëllojshmërisë” sqaron Ambasada.
Për të sqaruar sa më mirë të interesuarit ofrohet një udhëzues i hollësishëm (që mund të shkarkoni duke shtypur këtu) mbi mënyrën e paraqitjes së kërkesave dhe me përgjigjet e pyetjeve më të shpeshta mbi Lotarinë Amerikane.
Redaksia Shqiptari i Italisë