in

The Economist: Radha e Edit

Rezultati zgjedhor i jep fund tetë viteve të sundimit të Partisë Demokratike të Sali Berishës. Por Berisha ka qenë në lojë prej shumë më tepër viteve se kaq. Asnjë shqiptar nën të 30-tat nuk mban mend ndonjë kohë kur ai të mos ketë qenë prani dominuese politike.

Kryeministri i ardhshëm  i Shqipërisë do të jetë Edi Rama, udhëheqës i Partisë Socialiste. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, me zgjedhjet e 23 qershorit, koalicioni i tij, që mori një lumë votash, ka shumë të ngjarë se do marrë 84 nga 140 vende në parlament. Rezultati zgjedhor i jep fund tetë viteve të sundimit të Partisë Demokratike të qendrës së djathtë të Sali Berishës. Por Berisha ka qenë në lojë prej shumë më tepër viteve se kaq. Asnjë shqiptar nën të 30-tat nuk mban mend ndonjë kohë kur ai të mos ketë qenë prani dominuese politike.

Rama është ish-kryebashkiak i kryeqytetit, Tiranës. Në zgjedhjet e vitit 2009 ai akuzoi demokratët se fituan me mashtrim. Në vitin 2011 ai pretendonte se kishte fituar një mandat të ri si kryebashkiak, por demokratët ia rrëmbyen fitoren nga duart duke shtuar votat e hedhura në kutitë e gabuara. Një protestë në janar të të njëjtit vit, bëri që katër mbështetës të socialistëve të vriteshin nga forcat e sigurisë, që qëllonin nga zyra e kryeministrit. Berisha e akuzoi Ramën se po përpiqej ta largonte nga pushteti me forcë.

Gjatë viteve të fundit, nën Berishën, nisën të ndërtohen rrugë dhe infrastruktura të reja në të gjithë Shqipërinë. Çiklistët kanë korsitë e tyre në Tiranë dhe përgjatë rrugëve të reja në qytete që më parë ishin të rrënuara, si Shkodra në veri. Pas fundit të komunizmit, rrugët në Shqipëri u shpërbënë. Kur ishte kryebashkiak, Rama gjithashtu transformoi Tiranën, duke shkatërruar shumë ndërtesa të shëmtuara dhe pa leje dhe duke ngjyrosur blloqet e modës së vjetër komuniste me ngjyra të shndritshme.

Megjithatë infrastruktura e përmirësuar nuk e shpëtoi dot zotin Berisha. Përveç lodhjes pas tetë vitesh, një varg skandalesh e zhbënë atë. Disa nga eksponentët e lartë dolën ndonjëherë para gjyqit. Një prej tyre ishte Ilir Meta, lideri i një grupi të vogël të shkëputur nga socialistët, që u bë aleat me Berishën në vitin 2009, duke i mundësuar atij formimin e qeverisë. Në televizion u transmetua një kasetë, në të cilën Meta shfaqej duke diskutuar për një ryshfet dhe duke u krenuar për ndikimin që kishte mbi një zyrtar të lartë të drejtësisë. Ai u gjykua dhe u shpall i pafajshëm. Në prill ai e braktisi Berishën për të formuar aleancë të re me Ramën, duke tronditur shumë socialistë, që druheshin se kjo do të dobësonte sulmet mbi qeverinë për korrupsion.

Detyra që ka përpara zoti Rama është kolosale, sepse, thotë ai, ai sistemi që ka  trashëguar është tejet i kalbur.Është i mbushur me të përzgjedhurit politikë të Berishës, të cilët, sipas Piro Mishës, analist vendas, kishin “kontrollin e plotë” të administratës publike dhe gjyqësorit. Ndjekja e interesave partiake duke përdorur pushtetin e shtetit, “këtë herë kishte shkuar në ekstrem”, thotë Misha.

Zgjedhjet i hapin rrugën Shqipërisë për t’u bërë kandidat zyrtar për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Aplikimet e mëparshme ishin refuzuar. Megjithatë rritja ekonomike dhe punësimi janë ende sfida të mëdha, edhe pse më pak se në disa vende fqinje. Lista zgjedhore ka 3,3 milionë të regjistruar, por censusi i vitit 2011 tregoi se në Shqipëri ka 2,8 milionë persona. Diferenca qëndron në faktin që më shumë se një milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit, duke dërguar para në shtëpi dhe duke ndihmuar për mbajten në nivel të ulët të papunësisë – e cila, pavarësisht emigracionit, qëndron në nivelin 12,8%. Gjatë viteve të fundit remitancat kanë rënë, por megjithatë Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që nuk ka rënë në recesion. Por as kjo nuk e shpëtoi zotin Berisha.

Në origjinal: Albania’s election: Edi’s turn

 

 

Marrja e shtetësisë italiane nga të lindurit në Itali

Për Sali Berishën, sot