Edhe prestigjiozja “The Economist” boton një shkrim mbi kthimin e shqiptarëve të Greqisë në atdhe
Shqiptarët e shqetësuar të veriut të Greqisë përgatiten të kthehen në shtëpi
Është kohë dreke dhe fëmijët vërshojnë nga klasat e një shkolle të diele në Selanik.
Prindërit që presin duken të shqetësuar ndërsa flasin me Valbona Hystunën, një mësuese. Të rriturit flasin shqip, kurse fëmijët i flasin njëri- tjetrit në greqisht. Shumë nga të rinjtë nuk kanë asnjë dijeni për Shqipërinë. Por kriza në Greqi i ka detyruar familjet e tyre të kthehen në shtëpi.
Censusi i fundit i zyrës së statistikave në Shqipëri gjeti se vendi ka vetëm 2,8 milion banorë, disa qindra mijëra më pak nga sa pritej dhe 7,7% më pak se dhjetë vjet më parë. Ndërsa 1,4 milion mendohet se kanë emigruar gjatë dy dekadave të fundit, më shumë se gjysma janë vendosur në Greqi. Por shqiptarët e papunë po kthehen në shtëpi. Shumë prej tyre punonin në ndërtim, një sektor që ka ndaluar në Greqi.
Për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre ka pak statistika e shumë dëshmi anekdotike. Edmond Haxhinasto, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, thotë se vetëm pak janë kthyer. Megjithatë zonja Hystuna thotë se “shumë njerëz janë kthyer dhe shumë prej tyre flasin për tu kthyer”. Në të kaluarën shumë shqiptarë kanë jetuar e punuar në Greqi ilegalisht, por shumë prej tyre tani kanë leje qëndrimi. Por tani ata që humbasin punën mund të humbasin edhe lejen e qëndrimit, çka do i detyrojë ata të kthehen në shtëpi ose të qëndrojnë ilegalisht.
Shqiptarët janë integruar përgjithësisht mirë. Fëmijët e tyre shpesh flasin më mirë greqisht se shqip; shumë prej tyre kanë nevojë për leksione gjuhe përpara se të shkojnë në Shqipëri. Por, thotë Hystuna, grekët po ua bëjnë jetën të vështirë. Prindërit në ankth i thonë asaj se autoritetet kanë insistuar se dokumentet shqiptare të fëmijëve të lindur në Greqi janë të papranueshme – pasi ata përdorin emrin shqiptar në vend të atij grek në Selanik.
Me numrin e emigrantëve, remitancat janë të vështira për tu matur. Por të dhënat tregojnë për një rënie të thellë. Në vitin 2007 emigrantët dërguan në shtëpi 950 milion euro. Në vitin 2010 të dhënat thonë se remitancat ranë në 690 milion euro: në tre çerekët e vitit 2011 shifra ishte 475 milion euro. Në vitin 2009 remitancat përbënin deri në 9 përqind të PBB-së në Shqipëri. Megjithatë ekonomia atje, ndryshe nga sa ka ndodhur në Greqi, nuk ka kaluar në recesion. Ajo pritet të jetë rritur me 2.5 përqind në vitin 2011.
Shumë shqiptarë po dërgojnë kursimet në shtëpi duke i hequr nga bankat nga frika se çfarë mund të ndodhë në rast se Greqia ikën nga euro. Disa kompani greke kanë nisur të ngrenë firma në Shqipëri, të cilat drejtohen nga shqiptarë të besuar që kanë punuar për ta në Greqi. Deri më tani, efektet mbi një ekonomi të vogël që varet nga Greqia dhe Italia – të goditura nga recesioni – kanë rezultuar negative, por jo katastrofike. Megjithatë, sa më shumë shqiptarë të kthehen në vendin e tyre aq më pak vende pune e paga të pranueshme do të gjejnë.