in

TI: Shqipëria, ndër 4 vendet e Evropës me klasën politike më të korruptuar

Raporti i fundit i Transperency International thotë se Shqipëria po bën përpjekje mesatare në luftën kundër korrupsionit, ndonëse perceptimi për abuzimin e klasës politike dhe ryshfetin mbetet shumë i lartë

Raporti i fundit i Transparency International, i botuar së fundi vlerëson se Shqipëria po bën përpjekje mesatare për të luftuar korrupsionin. Megjithatë, raporti e rendit Shqipërinë si një ndër katër vendet me klasën politike më të korruptuar në Europë.

Raporti “Njerëzit dhe korrupsioni – Europa dhe Azia Qendrore”, pjesë e Barometrit Global të Korrupsionit është një sondazh i realizuar me 60 mijë njerëz në 42 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Në Shqipëri, Transparency International ka intervistuar ballazi 1500 qytetarë gjatë periudhës janar-mars 2016.

Të dhënat e përftuara tregojnë se ndryshe nga Kosova, Spanja dhe Moldavia-vende ku korrupsioni perceptohet si një ndër tre problemet kryesore, në Shqipëri rreziku prej tij konsiderohet mesatar. Transparency International vlerëson gjithashtu se në perceptimin e qytetarëve, qeveria shqiptare po bën përpjekje mesatare për të luftuar korrupsionin.

Transparency International vlerëson megjithatë se në kontrast me këtë perceptim të parë, qytetarët shqiptarë mendojnë se klasa e tyre politike është ndër më të korruptuarat mes vendeve të përfshira në studim.

“Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë, Bosnjes dhe Rumanisë janë më prirur në mendimin se deputetët në Parlamentet e tyre janë shumë të korruptuar. Në këto vende, më shumë se gjysma mendojnë se përfaqësuesit e tyre janë të korruptuar, shifra që rriten në ¾ për Moldavinë,” thuhet në raport.

Paralelisht me korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes, Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet ku ryshfeti në këmbim të shërbimeve publike është mjaft i përhapur. Shqipëria ka marrë pikët më të larta në rajon dhe në Europë-çka tregon se kultura e korrupsionit të vogël është gjerësisht e përhapur, duke u renditur në të njëjtin nivel me Rusinë dhe duke lënë pas vetëm vendet e Azisë Qendrore.

Transparency International vlerëson se ekzistojnë një sërë barrierash për qytetarët, për t’i përfshirë ata në strategjitë antikorrupsion. Sipas raportit, shumë njerëz janë të frikësuar për pasojat negative të raportimit apo denoncimit.

“Një ndër tre qytetarë të rajonit mendojnë se korrupsioni është një ndër problemet kryesore me të cilat përballen në vendet e tyre, çka tregon se kundër abuzimit me pushtetin dhe marrëveshjeve sekrete nevojiten masa urgjente” vlerëson raporti i Transparency International.

(Përgatitur nga BIRN)

 

 

Italiano obbligatorio per i commercianti. Arriva lo stop dall’Antitrust

Shtetësia për bijtë e imigrantëve. Boldrini: “Reforma e dobishme për Italinë”