in

Tirana pa kryetar bashkie deri më 3 qershor

Kolegji zgjedhor shtyn për më 3 maj ankimimin e PS-së për aktin e KQZ-së për fletët e kontestuara të Tiranës. Dje Kolegji Zgjedhor shqyrtoi dhe pushoi çështjen mbi kërkesën ankimore të paraqitur nga PS, për mosshpalljen e tabelës së rezultatit paraprak në njësine bashkiake 5, KZAZ nr.49, për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Romë, 27 maj 2011 – Shtyhet për më 3 qershor shqyrtimi i ankimimit të PS-së për aktin e KQZ-së në bazë të të cilit u rinumëruan votat e future në kutitë e gabuara e nga të cilat doli fitimtar për postin e kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha. Kështu vendosi Këshilli zgjedhor sot në mesditë që zgjodhi relator të çështjes gjyqtarin Tom Ndreca.

Arsyeja e kësaj shtyrjeje ishte fakti se PS kishte depozituar dy padi, një për vendimin e datës 18 maj, kur KQZ miratoi në parim aktin, e një për datën 23 maj, kur KQZ miratoi në tërësi aktin dhe ky mori fuqi ligjore.

PS deklaroi se tërhiqej nga padia e parë, ajo e 18 majit dhe mban ngritur vetëm të dytën, që sipas përfaqësuesve ligjorë të PS-së  është më e plotë dhe përmban brenda, në njëfarë mënyre edhe të parën.

Nëse Kolegji pranon ankimimin, duke shpallur të “pavlefshëm” aktin normativ që nxori Bashën fitues me 81 vota, Edi Rama do të shpallet kryetar i bashkisë së Tiranës, me 10 votat diferencë që mori nga rezultatet e 485 qendrave të votimit në 11 KZAZ. Nëse kolegji e hedh poshtë kërkesën e PS-së, Lulzim Basha, do të zërë postin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se rivali i tij, kreu aktual i PS.

Gjithçka mbetet pezull deri të premten e ardhshme më 3 qershor.

Dje Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen tjetër ankimore të paraqitur nga PS, për tabelën e rezultatit të zgjedhjeve në njësinë bashkiake numër 5, ku kontestohej vonesa e KQZ-së në publikimin e tabelës së rezultateve të KZAZ-së nr.49. Ankesa kishte të bënte pikërisht me rezultatin e kutisë së fundit, nga numërimi i së cilës kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Edi Rama kryesonte garën me 10 vota, kundrejt kandidatit të maxhorancës, Lulzim Basha. Sipas juristëve, vendimi i marrë nga Kolegji do të thotë se çështja ose nuk përmban lëndë ankimore, ose lë në fuqi vendimet e mëparshme të KQZ-së, që nënkupton rrëzimin e kërkesës ankimore.

La Mostra fotografica “IntegrAzione” arriva a Acquarica del Capo

Asnjë gjurmë e 15-vjeçareve të zhdukura më 21 maj