in

Tiranë. Vidhen disa pllaka nga monumenti “Pavarësia”

Mbrëmjen e të hënës policia ka arrestuar dy të rinj, të cilët shqitën disa pllaka me sqepar dhe thikë nga bazamenti i monumentit për t’i shitur më pas si skrap

Tiranë, 27 mars 2013 – As monumentet kulturore nuk u shpëtojnë hajdutëve të skrapit. Dy të rinj janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi kanë marrë disa pllaka metalike nga monumenti “Pavarësia”, i vendosur në “Parkun Rinia” më 28 nëntor 2012 me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20.00 Amarildo Demiri, 18 vjeç, dhe Qemal Mustafa, 18 vjeç, kanë shkulur disa pllaka në bazamentin e monumentit. Veprimi i të rinjve është pikasur nga kalimtarë që kanë denoncuar rastin në polici. Pas arrestimit, policia ka sekuestruar një sqepar dhe një thikë, që u kishin shërbyer për heqjen e pllakave.

Gjatë marrjes në pyetje, ata kanë deklaruar se pllakat i kishin shitur në pikën e grumbullimit të hekurit, në rrugën “Jordan Misja”. Personi që i ka blerë pllakat është identifikuar me inicialet A.D dhe prej kohësh operon në biznesin e grumbullimit të skrapit. Mësohet se A.D u ka dhënë hajdutëve rreth 2000 lekë të reja, të cilat i kanë ndarë mes tyre në mënyrë të barabartë. Mësohet se pllakat kanë përfunduar në një tjetër pikë në Kashar.

Nga të dhënat e policisë, në ditët e para të inaugurimit, monumenti ruhej nga Policia Bashkiake, por mbikëqyrja ishte hequr pasi dukej se askush nuk i ishte afruar monumentit me qëllime vjedhjeje apo shkatërrimi. Mbrëmjen e së martës, Bashkia e Tiranës ka urdhëruar që monumenti të ruhet sërish.

 

Punonjësit sezonalë. Bëhet shpërndarja provinciale e kuotave

Lavoro. Sono stranieri più del 10% degli occupati in Italia