Arrestohen menjëherë në vendngjarje tre persona
Tiranë, 4 nëntor 2014 – Një ngjarje e rëndë ka tronitur Tiranën mëngjesin e sotëm, në të cilën kanë humbur jetën 4 shtetasve si pasojë e një përleshjeje me armë zjarri në një lokal pranë Rrugës së “Elbasanit”.
Sipas burimeve policore mësohet se rreth orës 04:00 policia u njoftua se në lokalin e natës “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit në Tiranë në një lokal nate ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Nga hetimi paraprak ka rezultuar se në këtë lokal, ka lindur një konklikt i çastit midis disa personave, konflikt i cili më pas ka denigruar përleshje me armë zjarri në të cilën kanë gjetur vdekjen 4 vetë: Edison Jaho, 36 vjeç, i lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Enea Xhaji, 38 vjeç, i lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Arbër Demiraj, 19 vjeç, i lindur dhe banues në Tiranë dhe italiani Giampaolo Azzola, 55 vjeç nga provinca e Bergamos.
Policia ka ndaluar si autorë të dyshuar për ngjarjen Konstandin Xhuvanin, 25 vjeç, Erald Sidën, 24 vjeç, dhe Albano Ballcajn, 19 vjeç.
Nuk është e qartë cilat kanë qenë motivet e ngjarjes së rëndë. Sipas disa mediave, sherri ka lindur pasi të rinjtë kanë ngacmuar këngëtaren që po performonte në klubin e natës. Por aty pranë kanë qenë bashkëshorti i këngëtares dhe italiani Azzola të cilët kanë debatuar me të rinjtë. Mësohet se pas sherrit shtetasi italian është qëlluar me plumb në zemër dhe ka humbur jetën ndërsa e çonin në spital, kurse Edison Jaho dhe Enea Xhaji kanë marrë plumb në kokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Viktima e katërt, 19-vjeçari Arbër Demiraj ka dalë me shpejtësi nga lokali dhe teksa po drejtohej në makinën e tij të parkuar pranë fakultetit të Gjuhëve të Huaja ka tentuar të lajmërojë policinë, por është ndjekur e qëlluar në kokë nga tre të arrestuarit.
Sipas një versioni tjetër mediash, grindja ka nisur për një pazar të prishur droge. E gjithnjë sipas këtij versioni, Arbër Demiraj është vrarë aksidentalisht nga tre të tjerët të cilët i kishte shokë.
Policia akoma nuk konfirmon asnjë nga asnjërin nga këto versione. Forcat e rendit kanë shoqëruar në komisariat disa persona në cilësinë e dëshmitarëve dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të llojit pistolete, 3 gëzhoja fishekësh luftarak si dhe dy automjete.
Për disa nga shtatë personat e përfshirë në ngajrje mesohen edhe disa hollësi.
I arrestuari Konstandin Xhuvani është i biri deputetes së PS-së Luiza Xhuvani. Tre vjet më parë është dënuar me dy vjet burg për një vrasje.
19-vjeçari Arbër Demiraj, që akoma nuk kuptohet nëse ishte mik i të akuzuarve për vrasjet apo jo, është i biri i ish prokurorit Skënder Demiraj.
Për italianin Giampaolo Azzola mësohet se ai nuk është një emër i panjohur në Shqipëri. Sipas A Report, deri në vitin 2012, ka pasur aksionet e kompanisë “Apollonia Investments”, kompani që synon prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera.
Në shtator 2012, ai i ka shitur aksione të vetat të kompanisë edhe ish-ministrit të jashtëm të Perusë Manuel Augusto Blacker Miller. Në janar 2013 ky i fundit u arrestua në Tiranë pas një urdhër arresti ndërkombëtar që kishin lëshuar autoritetet peruane për grushtin e shtetit të vitit 1992. Më pas ai u lirua, pasi Shqipëri nuk ka marrëveshje ekstradimi me Perunë.