Të shtunën shprehu dëshirën për të qenë shqiptare edhe me pasaportë. Sot aktores i plotësohet dëshira. Presidenti i Shqipërisë i dorëzon dekretin e dhënies së shtetësisë, ajo i tregon tatuazhin me shqiponjën dykrenore të bërë pas vizitës së saj të parë në Shqipëri
Tiranë, 9 gusht 2011 – Presidenti Bamir Topi priti sot aktoren e mirënjohur shqiptare të Hollivudit, Eliza Dushku, e cila prej disa ditësh ka nisur një vizitë në vendin tonë për përgatitjen e një dokumentari për promovimin e turizmit shqiptar.
“Me t’u informuar për kërkesën e zonjës Dushku për marrjen e shtetësisë shqiptare, në përmbushje të një detyrimi institucional, por në radhë të parë, të një frymëzimi personal, nënshkrova dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare Eliza Dushkut”, u shpreh Bamir Topi që i ka dorëzuar dekretin presidencial aktores. Ajo i shprehu falënderim dhe mirënjohje për pritjen nga Presidenti Topi dhe në mënyrë të veçantë nënvizoi kënaqësinë e veçantë për këtë nderim nga ana e Kryetarit të Shtetit Shqiptar.
Gjatë takimit, presidenti vlerësoi lart veprimtarinë artistike të Dushkut si “një ndër aktoret e reja të spikatura të kinematografisë botërore” ndërsa ajo i tregoi atij tatuazhin me shqiponjën dykrenor që ka bërë në qafë pas vizitës së saj të parë në Shqipëri në vitin 2005.