Presidenti reagon prerazi ndaj vërejtjeve që i vijnë nga qeveria për kthimin mbrapsht të ligjit mbi menaxhimin e mbetjeve, por edhe ndaj kryeparlamentares që e quajti “antieuropian”
Tiranë, 15 tetor 2011 – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, sot në Shkodër, i pyetur nga mediat lidhur me komentet e bëra mbi kthimin e ligjit të mbetjeve, u përgjigj se “së pari këta zotërinj duhet të dinë të komunikojnë në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara jo sipas vullneteve të individëve të caktuar, por sipas Kushtetutës”.
Presidenti Topi tha se “gjej rastin të rishpreh edhe një herë atë vullnet të shprehur nëpërmjet dekretit tim. Mund t’ju them që të gjitha betejat e karakterit juridik, që janë zhvilluar, konsiderohen të fituara nga Institucioni i Presidentit, mjafton të merrni në konsideratë atë që ka qenë çështja më e ndjeshme, çështja e pronave. Gjykata Kushtetuese i shkoi në sintoni, sipas të drejtës, vendimmarrjes që pati Presidenti për ta kthyer. Kështu që unë i sugjeroj këtyre zotërinjve që të mos i trajtojnë në sfondin politik gjërat”.
Sipas tij, “Presidenti i Republikës ka të drejtën absolute kushtetuese të shprehë vullnetin e tij, aq më shumë kur ai është i argumentuar qoftë në planin juridik, qoftë dhe në planin tjetër ku Kushtetuta detyron shtetin edhe për sa i përket pozicionit social”.
“Unë nuk kam thënë se ligji nuk bën. Ligji është i ndërtuar në mënyrë të tillë që në pjesën më të madhe të tij është korrekt sipas mendimit tim, por i korrigjueshëm në një çështje që unë nuk e kam konsideruar për ta kaluar. Kjo është e drejta e Presidentit. Pastaj ata le ta marrin në konsideratë, ose jo. Mund ta kthejnë ose ta aprovojnë”, tha Presidenti.
Ndërsa në përgjigje të pyetjes për një koment lidhur me deklaratën e zonjës Topallit që e është shprehur se Presidenti ashtu si edhe Edi Rama janë pjesë e “një celule antievropiane”, presidenti Topi u shpreh se “së pari, këto zonja, apo zotërinj duhet të mësojnë pikërisht artin e komunikimit qytetar, të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, sepse komunikojnë publikisht me Institucionin e Presidentit të Republikës. Së dyti, në rast se do të dalim në një plan tjetër, ju e dini që, për definicion, spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do u thosha të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytetar dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”.
I menjëhershëm reagimi i zyrës së shtypit të Kuvendit: “Topalli flet me krenari dhe me vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!”.