in

Tragjedia e 9 janarit, dhjetë vjet më pas

Dhjetë vjet më parë, në një natë furtune me erën që frynte si e marrë dhe temperaturën nën zero, ëndrra e ndaluar e Italisë mori jetë njerëzish. Njëzetenjë të vdekur dhe shtatë të humbur, bilanci i asaj që do të mbahet mend si tragjedia e 9 janarit 2004
Nga Bota Shqiptare nr. 100, 29 janar 2004

Ëndrra e ndaluar e Italisë ia doli të vrasë përsëri në një natë furtune me erën që frynte si e marrë dhe temperaturën nën zero. Pas 16 muajsh “paqeje” që po ashtu i ngjanin ëndrrës, trafikantët i ndezën sërish motorët e gomoneve. Në udhëtimin e saj të parë, që nisi mbrëmjen e 9 janarit nga bregdeti i Vlorës, një gomone 12 metra e gjatë me 31 persona në bord mbeti në kurth, aty mes dallgëve.

Njëzet nga udhëtarët e saj, – 17 burra dhe 3 gra – u gjetën mëngjesin e 10 janarit nga një helikopter i Nato-s së ushtrisë italiane: të ngërthyer njëri pranë tjetrit, në një pellg uji të kripur dhe benzine, vdekur nga të ftohtit. Njëmbëdhjetë të tjetërt shpëtuan. Ishin në grahmat e fundit, por ishin gjallë. Mes tyre edhe dy skafistët, që u arrestuan menjëherë së bashku me disa funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë, e që akuzohen tashmë si shkaktarët e tragjedisë.

Alarmi i parë u dha në mbrëmjen e 9 janarit, kur një telefonatë nga Shkodra i sinjalizon policisë një avari në gjirin e Vlorës. Deti me dallgët pothuaj 5 metra të larta, i pengoi mjetet e shpëtimit të mbërrinin në vendngjarje. Të paktën kështu u tha. U tha edhe që forcat e rendit vetëm pak orë më parë ishin sinjalizuar për një tjetër gomone, të ngarkuar me drogë, që ishte nisur po ashtu nga bregdeti i Jonit. U mendua se bëhej fjalë për të njëjtën gomone.

Por sinjalizimet vazhduan, deri në një thirrje dramatike që u lëshua nga një celular, pikërisht nga bordi i gomones. Drejtpërsëdrejti në kanalin televiziv Top channel, një nga skafistët kërkonte ndihmë. Nën një emocion të drejtpërdrejtë mijëra shqiptarë ndalën frymën. U thirrën për ndihmë italianët dhe grekët. Nga Durrësi u nis një motobarkë e kalibrit të rëndë, ndërsa nga baza e Nato-s në Brindizi u ngrit një helikopter. Në detin që nuk desh të qetësohej dhe erën me një fuqi deri në 50 nyje, kërkimet përfunduan vetëm mëngjesin e së nesërmes.

Rreth orës 8.45 pilotët kanë dalluar më në fund gomonen me të mbijetuarit. Më pas, përmes mjergullës që mbulonte atë pjesë të detit, zbuluan se nën këmbët e atyre që shkundnin duar e këmbë e ulërinin për të kërkuar ndihmë, qëndronte një kapicë kufomash. Për ta ndihma kish mbërritur me vonesë. Përmasa e tragjedisë u rrok vetëm në orët e para të pasdites, kur gomonia me ngarkesën makabre u rimorkiua deri në bazën ushtarake të Sazanit. Njëzet shqiptarët, përpara se të vdisnin të cfilitur nga uji dhe thëllimi, ishin mbërthyer me dëshpërim në litarët që përshkonin gomonen për të shmangur rënien në det.

Mes trupave pluskonin çanta, valixhe, qese plastike të mbushura me sende pesonale: fërtele kujtimesh. Gomonia, pothuaj fringo e re ishte blerë në Greqi vetëm pak ditë të shkuara. Dy motorët e fuqishëm me siguri janë shkrirë gjatë përpjekjeve për të lundruar me një ngarkesë aq të rëndë në mes të një stuhie detare.

Vdekje e llahtarshme

Për disa prej tyre vdekja ka mbërritur brenda pak minutash. Të tjetrët, duke kërcitur dhëmbët, i kanë parë tek vdisnin pa mundur të bëjnë dot asgjë. Ata që mbetën, kanë shpëtuar për mrekulli. “Mjaftojnë edhe dhjetë minuta për të vdekur kaq tragjikisht”, shpjegon Paolo Arbareli, drejtor i Institutit të Mjeksisë ligjore në Universitetin “La Sapienza” në Romë.

Gomonia ka nisur të ketë probleme të premten pasdite. Në më pak se 12 orë kanë vdekur njëzet vetë, çfarë ka ndodhur me ta?

“Rezistenca e njeriut ndaj të ftohtit është e ndryshme jashtë ujit dhe brenda ujit. Temperatura e detit ulet aq shumë sa mund të vrasë brenda një kohe të shkurtër”

E megjithatë në disa raste ndokush ia ka dalë të mbijetojë edhe pas 48 orësh në kushte të ngjashmë .

“Po, por ka qenë me siguri një stinë tjetër, uji ka qenë më i ngrohtë. Të kacavjerrë në trugje a copa dërrasash, shumë ia kanë dalë të qëndrojnë edhe dy ditë e dy net me radhë. Por në këtë rast, edhe në stere temperatura ka qenë nën zero. Uji dhe i ftohti së bashku janë fatalë.”

Deri në ç’temperaturë mund të durojë njeriu në këto kushte?

“Në përgjithësi deri në 10-12 gradë nën temperaturën e trupit. I rezistojmë më shumë megjithatë të ftohtit në të thatë se atij në ujë apo në dëborë”.

Çfarë ka ndodhur me viktimat?

“Të rrahurat e zemrës janë përshpejtuar, qendrat e rregullimit të temperaturës nuk kanë funksionuar më. Tensioni ka zbritur menjëherë dhe kanë humbur ndjenjat. Kur truri i njeriut furnizohet më pak me gjak, funksionet që ai kryen reduktohen. Vihet re një ngadalësim i lëvizjeve deri në paralizim dhe vështirësi në frymëmarrje, që shpien drejt vdekjes”.

Po vetë ata çfarë kanë ndjerë?

“Kanë ndjerë forcat t’i lënë pak e nga pak. Janë përpjekur të lëvizin për t’u ngrohur, por ka ardhur një pikë që s’kanë mundur të ngrenë dot as krahun”.

Ata që panë vdekjen me sy. Dhe që janë gati të nisen sërish

Avni Cakaj është një prej të mbijetuarve. Me origjinë nga Librazhdi, por jeton në Golem.  I shtruar në klinikën e djegieve të rënda, Avniu ndodhet nën kurim të vazhdueshëm të mjekëve. 20 vjeçari arrin të thotë se ka qenë në një prej gomoneve duke lundruar për në Itali. “Jemi nisur nga Karaburuni dhe në gomone ka pasur shumë njerëz. Nuk më kujtohet me saktësi, por di që kanë qenë shumë…. E pamë që ishte mot shumë i keq, por skafistët këmbëngulën që në raste të tilla është më e lehtë t’u shpëtosh italianëve.”

Avniu thotë se janë nisur në të errur e pas pak kohe ka filluar avaria e madhe. “Dallgët ishin aq të mëdha sa i gjithë uji na hynte në gomone. Gomonia shkonte duke kërcyer e përplasur sa poshtë lart,” thotë 20 vjeçari me zë të ngjirur. “Dëgjova një krismë të madhe dhe një flakë që u përhap menjëherë. Isha në fund të gomones, me gjithë një person tjetër pranë, Gëzimin. Ai ishte pak pas meje, krejt në fund të gomones. Flaka e përhapur e ka zënë të parin Gëzimin. Më pas më ka përfshirë edhe mua. Në ato momente Gëzimi ka ndërruar jetë, e mua më ka rënë të fikët. Nuk di asgjë më shumë, vetëm kur e kam parë veten në spital,”

Kur del me karrigen me rrota ngjan si ndonjë luftëtar pas beteje. E megjithatë ky djalë që i ka shpëtuar vdekjes e largohet buzëgaz nga spitali i Vlorës sapo i ka mbushur të tetëmbëdhjetat. Quhet Fatbardh Pepnikaj. Në fytyrë ka ende puçrrat e pubertetit dhe në telefon i thërret së ëmës “Mami”. Nga ajo natë tragjike i kanë mbetur vetëm plagët në këmbë, djegie të shkaktuara nga përzjerja e naftës së gomones me ujin e kripur. Qull e duke u dredhur ka qëndruar për orë të tëra, ndërsa përreth tij njëzet e një të tjerë vdisnin. Nuk e kish parë vdekjen kurrë më parë, dhe tani, tregon, sapo mbyll sytë i shfaqen fytyrat e atyre që ishin bashkë me të në gomone.”Kanë vdekur nga frika”, të siguron me zë të lartë, si të dojë të trembë kësisoj edhe frikën e tij. Eshtë i ri, por jo më i riu. Përpara se të marrë rrugën për në Shkodër, Fatit i duhet të identifikojë kufomën e një shokut të tij, Adriatikut 17-vjeçar. Ishte nga Shkodra, ashtu si Ermiri, që ka punuar si punëtor krahu dhe shofer në Kieti dhe më pas e kanë përzënë nga Italia. Apo si Rexha, edhe ai i përzënë pas vitesh pune në Romë e Firence. Largohen nga spitali nëpër barrela apo çalë-çalë. “Këtë herë s’na eci”, shajnë nëpër dhëmbë. Si të mos u mjaftonte që mbetën gjallë!

Lexo edhe: Varreza Otranto

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Novellara: Ekspozita fotografike e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë

Durrës. Ndalohen shtatë të rinj, trafikonin drogë nga Lazarati drejt Italisë