Po deshe të shohësh ferrin miku im,
eja se të çoj unë
Franco Trincale “Ballata di Attilio”
Ka një xham të trashë mes dy botëve. Një xham që ndan të gjallët nga ata që përpëliten mes jetës dhe vdekjes. Ata që dedhin lot e kapen pas shpresës dhe atyre që duket sikur tanimë janë indiferentë ndaj gjithçkaje, ata që nuk njihen më, të mbuluar nga garzat dhe të përshkuar nga tubat. Ai xham nga njëra anë thith emocionet e tronditjen e të gjallëve, ndërsa nga ana tjetër dëgjon vetëm bip biip të monitorëve të atyre që s’kanë as forcën për të marrë frymë pa makineri.
Po të prisja me darkën shtruar, po mbaja gjellën të ngohte se po vonoheshe, si kurrë ndonjëherë. Një sy lajmeve si për të shtyrë kohën. Nga ai aparat katror, doli gjëma, ai më tha se ishe djegur, se s’do ktheheshe kurrë si më parë, zemër. Askush s’më kishte lajmëruar, unë po gatuaja për ty teksa mjekët llogarisnin se vetëm 5% e trupit tënd nuk është djegur. Një zë profesional dhe i moduluar po më lajmëronte nga televizori se flakët të kishin përqafuar para meje atë mbrëmje…
Mos u shqetësoni, mbase do dal nga kjo dhomë xhami. Nuk ndjej asgjë, trupin nuk e ndiej, më është lehtësuar, është bërë si një re tymi, pjesë e atij zjarri që na përfshiu. Po flisnim në ato çaste, nuk di se cili nga ne, mbase dhe po bënim shaka. Duke përfituar që ishim shqiptarë në skuadër, gjuha e nënës na bënte të ndiheshim më shumë në shtëpi. Si është ajo fjala e urtë? Dera e botës nuk është streha e kokës. S’di të them, unë strehën këtu e kisha ndërtuar, me gruan e fëmijët tanë. 1.200 euro më muaj që me orët jashtë orarit bëheshin dhe 1.300. Me kujdesin që kemi në shpenzime, na mjaftonin.
Na thonë që koma farmakologjike ju ndihmon të mos ndieni dhimbje, që përndryshe do të ishin të padurueshme. Jemi veç ne këtu, pranë jush. Burrat pinë duhan përjashta, në oborrin e spitalit.
Sikur bashkë me tymin duan të nxjerrin dhimbjen nga shpirti. Unë s’largohem dot nga ky xham.
O nëna ime, shpresoj mos të të kenë lajmëruar. Unë të kursej çdo lajm të keq, edhe për një rrufë nuk të them. Se e di që drithërohesh. Do shërohem nënë, se ti më pret.
Prindërit, atje në Shqipëri, po luftojnë nëpër dyert e konsullatave italiane për të marrë ndonjë vizë. Nuk di nëse është më mirë t’ju shohin kështu apo të mbeten me kujtimin që kishin nga pushimet e kësaj vere. Përqafimet e buzëqeshja e fundit para se të hipnim në avion. Me pakëz trishtim, me lotët e nënave që na shoqërojnë nëpër aeroporte e që i marrim me vete si hajmali. Lotë të tjera, të rëndë si ortekë dhimbjeje, po ju qajnë tani.
Nuk di se si ndodhi. Një çast e zjarri na përpiu. Nuk largoj dot atë erë të rëndë. Thirrjet e rënkimet. E pra s’ishte një ditë lufte, duhej të ishte një ditë e zakonshme pune. Nuk e kisha menduar kurrë se ishte një punë me rrezik, me kokë në torbë siç themi nga anët tona. Rregullat i dinim, por mbase jo aq sa ç’duhej. Ajo borderò në fund të muajit, e sigurt dhe në kohë, na jepte qetësi. Për të tjerat mbase dikush dinte, po tashmë s’ka shumë rëndësi.
Dikush kalimthi rrëfente se në një zonë të Italisë thonë që “Fogo e acqua boni sèrvi ma cativi paroni”- Zjarri dhe uji shërbyes të mirë por padronë të këqinj”. Këtë herë zjarri u bë padroni juaj, duke ju transformuar brenda pak çasteve në “martirët e Shqipërisë”. Juve, të thjeshtëve, juve, të padallueshmit nga mijëra e mijëra punëtorë të tjerë, juve që hyni në redaksitë e lajmeve vetëm kur ndodh ndonjë fatkeqësi si kjo. Ndoshta do ju presin dhe gazetarët kur të dilni nga kjo kuti xhami. Do jetë një ditë me diell, edhe pse ju mbase nuk do i duroni më dot rrezet e tij.
Diku duhet të ketë mbetur ndonjë gjë nga ajo ç’isha para shpërthimit. Do më njohin fëmijët? Do më përfaqojnë më? Por të paktën, sido që të jetë, një dëmshpërblim të mirë do e marrim e me të do të mund të bëjmë diçka. Një dëmshpërblim të mirë? Harrova për një çast se jam shqiptar dhe jeta ime, kur këputet në punë, vlen shumë më pak se ajo e një italiani. Jeta ime, e ndarë më dysh nga tehu i mprehtë i flakëve, tani e tutje e vyshkur përgjithmonë. Më parë një luledielli që ndiqte dritën, të ardhmen, tani një kërcell i përcëlluar që mbase do të përfundojë nën tokë…
Irida Cami, Bota Shqiptare 247
Lexo edhe: Shpërthimi në Paderno, kritike gjendja shëndetësore e Leonard Shehut