Të pistë, të mbushur me njerëz dhe me vonesë. Janë trenat lokalë ku udhëtojnë çdo ditë pendolarët, personat që punojnë e studiojnë në një qytet të ndryshëm nga ai ku jetojnë. Shoqata e konsumatorëve Altroconsumo ka intervistuar 1.500 pendolarë që marrin trenin për Romë, Napoli e Milano, duke zbuluar që 75% janë të pakënaqur nga shërbimi.
Problemet kryesore janë papastërtia e vagonëve dhe i banjave, impianti i ngrohjes dhe i ftohjes që nuk funksionon dhe mosrespektimi i orarit. Për më tepër, reduktimi i orareve të ndryshme të linjave, ka sjellë tejmbushjen e atyre të mbeturave dhe ka ulur mundësinë e kthimit në shtëpi në orët e mbrëmjes.
Pendolarët e çojnë protestën e tyre deri në gjykatë. Në Sicili, Liguria dhe Lazio kanë hapur tre çështje gjyqësore kolektive kundër shoqërisë Trenitalia që administron trafikun hekurudhor.
Ndërkaq, me ardhjen në fuqi të orareve dimërore, pakësohen trenat lokalë, e në të njëjtën kohë rriten çmimet e biletave dhe të abonimeve.