Përgjegjësi i aksidentit rrugor ku humbi jetën 30-vjeçari Ervis Bimal është në ndjekje penale, por gruaja dhe dy bijtë (njëri akoma nuk ka lindur) të Bimajt nuk kanë marrë akoma paratë e shoqërisë së sigurimeve
Romë, 29 prill 2016 – Ervis Bimaj, murator 30-vjeçar që jetonte me familjen në Motta di Livenza të provincës së Trevisos, humbi jetën në një aksident rrugor që ka ngjarë më 5 nëntor të vitit të shkuar. U mor përpara dhe u vra nga një kamion shoferi it ë cilit është çuar në gjyq, por megjithatë kompania e sigurimeve e 30-vjeçarit akoma nuk ka dëmshpërblyer të shoqen, që në kohën e ngjarjes mbeti me një vajzë të vogël dhe shtatzënë. Lajmin e jep studioja legale “3A” të cilës i është drejtuar e shoqja e Bimajt.
Aksidenti
Bimaj po ngiste një kamion me të cilin transportonte në Trieste skelat për një shtëpi që ristrukturohej. Me të dalë nga A4 në Sistiana, ka bërë rreth 5 km dhe ka ndaluar në korsinë e emergjencës sepse kishte problem me stabilitetin e ngarkesës. 30-vjeçari bashkë me një koleg që udhëtonte me të kanë zbritur nga krahu i djathtë i automjetit për të kontrolluar rripat me të cilët ishte fiksuar ngarkesa. Në atë çast, një kamionist 23 vjeç, rumun por resident në Milano, që po vinte në të njëjtin drejtim të rrugës, kur ka parë muratorin që po kontrollonte ngarkesën në korsinë e emergjencës, kushedi pse ka kthyer menjëherë timonin majtas: për shkak të manovrës së menjëhershme ka shkaktuar përmbysjen në të djathtë të rimorkios që kishte kamioni i tij, që mori përpara Bimajn dhe e la të vdekur në vend.
“Çfarë duan më shumë se kaq: kanë verbalin e policisë rrugore, hedhjen në gjyq të fajtorit nga prokuroria, pse nuk i japin gruas dëmshpërblimin për të cilin ka të drejtë? – puet president ii studios legale 3A, Ermes Trovò – Për fat të keq jemi shpesh dëshmitarë të kësaj loje të pamëshirshme që kompanitë e sigurimeve, edhe përballë provave më të pakundërshtueshme, bëjnë të pamundurën për të mos paguar apo për të shtyrë sa më shumë likujdimin. Nga ana tjetër ama, janë viktimat e familjarët e tyre, në rastin konkret një grua e re me një vajzë të vogël që pret një fëmijë të dytë që nuk do të njohë asnjëherë të atin”.