in

Triumfon PD. Në Bruksel edhe Kyenge: “Do përfaqësoj Italinë me pasion e krenari”

Ish ministrja e Integrimit fiton një vend në parlamentin evropian falë mëse 92 mijë votave. Rezultat që duket si një shpullë ndaj Legës dhe racistëve të tjerë që në facebook e quajnë “mbartëse të ebolës”

Romë, 26 maj 2014 – Me 40,81% të preferencave të votuesve, gjë që nuk kish ndodhur kurrë më parë, PD e Matteo Renzit është fituese absolute e zgjedhjeve evropiane në Itali. Me rreth 93 mijë vota, shkon në parlamentin evropian edhe Cecile Kyenge, ish ministrja e integrimit e qeverisë Letta, e kandiduar në radhët e PD-së në qarkun Veri-Lindje.

Kjo e Kyenges është një fitore ndoshta edhe më e rëndësishme se ajo e shkurtit të vitit të shkuar kur u zgjodh deputete e parlamentit italian. Sepse nëse në Montecitorio hyri falë një liste të mbyllur të përpiluar nga sekretaria e PD-së, në Bruksel shkon falë 92 mijë e 850 personave që në skedën elektorale kanë shkruar emrin e saj.

“Më zgjodhët parlamentare evropiane në zonën e veri-lindjes me jo më pak se 92 mijë vota. Falënderoj të gjithë: do të përfaqësoj Italinë në Evropë me pasion e krenari”. Me këto fjalë Kyenge falënderon zgjedhësit nga profili i saj Facebook. E mes shumë komenteve të mbështetësve të saj edhe sulmet e zakonshme, fatkeqësisht, si ai i Francesco Venturinit që shkruan “Vrit veten” dhe “Mbartëse e mallkuar e ebolës”.

“Të punosh në BE do të thotë të bësh politikë që parashikon të ardhmen, sepse ajo që bëjmë në Evropë brenda pak vjetësh bëhet ligj në Itali” pohonte Kyenge në prill në një intervistë dhënë Africa News, në të cilën shtonte se mbrojtja e të drejtave do të jetë boshti i veprimtarisë së saj në europarlament, sepse “fjala të drejta ka të bëjë me çdo person”.

Duhet të dorëzohet edhe Mario Borghezio, që në një prej pankartave të përgatitura për zgjedhjet evropiane kishte vënë pikërisht një foto të Kyenges me këshillën: “Mos i jep një brengë, jepi dy: voto Legën e shkruaj Borghezio”. Ish ministrja iu përgjigj me një tjetër pankartë, në të cilën fliste, në mënyrë profetike, pikërisht Borghezio: “Votoni Kyenge, sepse sidoqoftë, unë nuk rizgjidhem”.

Të dhënat e ministrisë së Brendshme për votat e PD-së në qarkun Itali Veri Lindje:

Manifesti i Borghezios:

Përgjigjja e Kyenges:

Francia. Vince Marine Le Pen, la paladina contro immigrati ed euro

Shqipëria mpaket e plaket për shkak të emigracionit