in

Turist në vendin tënd

Nga Leart Kola

Ndërkohë që në televizorin e kafenesë ku unë dhe një miku im ishim ulur për t’i bishtnuar vapës aspak natyrore të Tiranës, Berisha po shfrytëzonte rastin për të trumbetuar sukseset shumëmilionëshe të turizmit. Ky miku im, si për t’i prishur qejfin Kryeministrit, më tregoi një histori që pak a shumë shkonte kështu:

Motra e tij jetonte prej dhjetë vjetësh në Athinë, vend ku punonte e kishte ndërtuar familjen. Me krizën e fundit ekonomike ajo e humbi punën, por nuk ishte faktikisht kjo që e bëri të mendonte kthimin në Shqipëri. Arsyeja pse ajo donte të kthehej, ishte ngritja serioze e partisë fashiste, që në lagjen e saj kishte edhe anëtarësinë më të madhe. Skenat e dhunës përgjithësisht ndaj zezakëve në mes të ditës, duke qenë se ata ishin subjekti më lehtësisht i dallueshëm, tregonte për një racizëm jo vetëm tanimë simbolik, por konkret, me parti politike dhe me një influencë në rritje. Nuk kuptohej, thoshte ai, që i referohej asaj, pra motrës së tij, nëse ishin polici, apo banda fashiste. Ajo që kuptohej, ishte që ditët po bëheshin edhe më të rënda, e nuk mund të jetohej më aty.

Nën këtë trysni, ajo kthehet, dhe pas një muaji që jetoi në Tiranë, vendos të rikthehet edhe një herë në Athinë. Pyetjes sime sesi është e mundur që një njeri të kthehet në një situatë të tillë, në një ambient të tillë, miku im iu përgjigj, që sado e thellë kriza atje, ekziston prapë mundësia e një pune, ndërsa këtu, kaosi që përjetohet është aq i papenetrueshëm sa nuk mund të shohësh asnjë të ardhme.

Kjo histori nuk tenton të ngrejë një ndjeshmëri filantropike, apo larg qoftë ndonjë ndjenjë nacionalizmi kundër fqinjit grek. Por patjetër duhet të na bëjë të reflektojmë për disa probleme shumë të thella.

Problemi i parë është që ne emigracionin nuk e kemi politizuar kurrë, emigrantët kanë qenë individë të hedhur në botë, e detyrë e tyre ishte që të sillnin para në Shqipëri. Madje jo vetëm kaq, por çdo konsullatë apo ambasadë, nuk e sheh shqiptarin që jeton jashtë si një njeri për t’u mbrojtur por vetëm rrjepur me teknika të ndryshme mashtrimi me bazë certifikatë e pasaportë. Ne si shtet jo vetëm që nuk u kemi krijuar kushte emigrantëve të votojnë për Parlamentin e vendit të tyre, por as nuk kemi pasur politika të jashtme ku të drejtonim votën tonë në Greqi e Itali. Vende këto ku ne përbëjmë një numër të rëndësishëm votash, e kjo politikë do të ndihmonte gjithnjë e më tepër në përmirësimin e kushteve të shqiptarëve.

Institucionet shtetërore shqiptare, emigrantët nuk i numërojnë si shqiptarë, për këtë arsye ata numërohen vetëm si turistë. Edhe motra e mikut tim, që erdhi e dëshpëruar për të gjetur një punë në vendin e saj, patjetër që është numëruar si turiste. Kjo është tragjedia e një kombi që nuk e njeh forcën e tij e nuk ka imagjinatë për të ardhmen. E një shoqërie që jo vetëm gënjehet nga Kryeministri për çdo ditë, por kjo ka filluar dhe t’i pëlqejë. Gjërat nuk janë aq keq sa duken, janë dhe më keq faktikisht, sepse askush nuk po mundohet të shohë më thellë. Gati një milion shqiptarë në Greqi sot nuk përballen vetëm me krizën ekonomike e me terrorin fashist të grupeve paramilitare të Agimit të Artë, por edhe me një dorëheqje sistematike të institucioneve të shtetit shqiptar në raport me nevojat e mbrojtjen e tyre. Paradoksalisht atë që nuk e bën shteti shqiptar, e bëjnë aktivistët e SYRIZA, në rrugët e Greqisë, që dalin kurdoherë në mbrojtje të shqiptarëve. Po tamam ata që nuk i duam ne, që para disa kohësh kur rezultati i tyre u rrit, një turli teveqelësh mbushën gazetat e Tiranës, kundër SYRIZA. Kjo tregon edhe shkëputjen përherë e më drastike të “elitave” të shoqërisë sonë, me dimensionin popullor që duhet të ketë politika. Elita që noton në klishe, e cila as nuk di dhe as nuk do të dijë më shumë se çfarë po ndodh përreth tyre, sepse në fund i intereson vetëm rroga, dhe prestigji fals që të ofron një qytet si Tirana.

Problemi i dytë, është mosshfrytëzimi i krizës në Itali dhe Greqi. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të tyre, duke qenë se pikërisht, nuk kanë punuar në të, kanë pasur tendencën të kenë kursime për “ditë të këqija”. Këto kursime ata janë të gatshëm që t’i investojnë në Shqipëri po të krijohen kushtet e duhura. Janë të ardhura që me një ndihmë nga shteti do mund të rivitalizonin bujqësinë dhe industrinë e lehtë. Për këtë duhet që shteti të mos i shohë më emigrantët si turistë, por si krijuesit e së ardhmes tonë kolektive. Nuk do të ishte e vështirë që të lehtësoheshin kreditimet për ata që vijnë nga jashtë e duan të investojnë. Të kanalizoheshin këto investime në fusha të ndryshme që do të rikonfiguronin ekonominë tonë, nga një ekonomi tërësisht pre e privatizimeve korruptive e masive, në një ekonomi prodhimi.

Duke bërë këtë, Shqipëria do të mund të ndërhynte edhe në një problem tjetër, që është papunësia. E cila këtu është e krijuar nga mungesa e aftësive për të bërë çfarëdo pune e për t’u integruar në tregun modern të punës. Të papunët në Shqipëri kanë vetëm dhe ekskluzivisht trupin e tyre për të ofruar, kjo e bën situatën e tyre tragjike. Sepse edhe nëse ne integrohemi në tregun europian, përsëri shqiptari do të jetë një i papunë, por kësaj here në një territor gjeografik më të madh. Askush në Europë sot nuk ka më kohë të marrë punëtorë të patrajnuar.

Përsëri këtë çështje e zgjidhin emigrantët që do të thërriten për të investuar kursimet e tyre në Shqipëri. Ata e kanë luksin të punësojnë e duke punësuar të trajnojnë, jo vetëm sepse kostot e krahut të punës në Shqipëri janë shumë më të ulëta se në vende tjera të Europës, por edhe sepse pikërisht kjo ka ndodhur dhe me ata kur kanë shkuar në Europë në ’90-n. Atëherë kur Europa e kërkonte pikërisht këtë lloj të punëtorit, për interes të pagesës së ulët, por që tashmë me krizën që ka kapluar dhe me dyndjet e 20 viteve të fundit, nuk është më e interesuar ta bëjë.

Ky vështrimi ynë nga Perëndimi, me sy të perënduar, duke ëndërruar pasuri të menjëhershme, është një gënjeshtër e madhe sa vetë Perëndimi, por është një gënjeshtër, që e mban sot këtë pushtet dritëshkurtër në këmbë. Ne duhet t’i kthejmë sytë nga njëri-tjetri, vetëm shqiptarët mund ta nxjerrin vendin e tyre nga kjo situatë e pashpresë. Nëse ne nuk jemi të gatshëm të integrojmë shqiptarët ne Shqipëri, ka për të qenë e pamundur të integrojmë Shqipërinë diku tjetër. Ky është leksioni i parë që duhet të mësojmë, nëse duam të ecim përpara.

E megjithatë, trajtimi i shqiptarëve që vijnë nga jashtë si turistë, nuk u rezervohet vetëm atyre. Edhe të tjerë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri trajtohen si turistë. E jo vetëm trajtohen kështu nga qeveria Berisha, por dhe ne sillemi si të tillë. Vetëm turistët janë të pandjeshëm ndaj vendit ku janë, ata duan thjesht shërbim, kjo është dhe arsyeja pse ne sot kemi një ekonomi kryesisht të bazuar drejt shërbimit dhe jo prodhimit. Berisha është fajtor për këtë situatë, por historia nuk gjykon vetëm liderët, por dhe shoqërinë që ua bëri të mundur pikërisht këtyre liderëve të bënin politika të tilla antikombëtare. Por ne mbetemi të pandjeshëm përballë këtyre fenomeneve, tamam si të ishim turistë. E nëse ne do të vazhdojmë të sillemi kështu, atëherë askush të mos qeshë kur Saliu deklaron se në Shqipëri ka 3 milionë turistë, për herë të parë ai ka të drejtë.

Gazeta Shqip

Scicli Del nga shtëpia edhe pse në arrest. E fusin në burg për arratisje

Torino. Kodi fiskal në Universitet për studentët e huaj