in

Turistët e huaj, vizitorët e kështjellës së Ali Pashait

Gjatë dy muajve të fundit turistët e huaj nga Italia, Gjermania, Franca, Polonia, Bullgaria, Çekia, Kroacia, Suedia, Mali i Zi, Greqia, Norvegjia apo edhe Japonia, kanë qenë më të shumtë se vizitorët vendas

“Gjatë kohës që do të qëndrojmë këtu, do të vizitojmë edhe kështjellën”, thotë Alberto, një 50 vjeçar nga Bari. Së bashku me familjen dhe disa miq të tij, ai ka mbërritur në jug të Shqpërisë me kamper. Një prej bashkëkombasve të tij ka qenë edhe një vit më parë dhe me tregimin e tij i ka nxitur të vijnë këtu.

Kështjella e Ali Pashait që ndodhet rreth 5 km në jug të qytetit të Himarës, është shndërruar tashmë në një objekt mjaft të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të kësaj zone. Kjo reflektohet edhe në rritjen e interesimit të vizitorëve për të. Por, këtë verë ka ndryshuar raporti mes vizitorëve vendas dhe atyre të huaj. Madje edhe gjeografia e shteteve prej ata vijnë. Mes të paktën 5000 vizitorëve që kanë ardhur në muajt korrik-gusht, mbi 75% janë turistë të huaj.

Klearko Koçi, ciceroni i këtij objekti, thotë se “gjatë muajve korrik dhe gusht, numri i turistëve të huaj që kanë vizituar këtë këshjellë është të paktën 30% më i lartë krahasuar me verën e vitit të kaluar”. Sipas tij, në dy muajt e fundit ata kanë qenë më të shumtë se vizitorët vendas. Turistët e huaj vijnë nga një numër i madh vendesh, mes të cilave nga Italia,  Gjermania, Franca, Polonia, Bullgaria, Çekia, Kroacia, Suedia, Mali i Zi, Greqia, Norvegjia. Gjithashtu, për të dytin vit, në kështjellën e Porto Palermos kanë mbërritur turistë edhe nga Japonia e largët. Koçi thotë se ata vijnë si turistë individualë, por e dhe të organizuar në grupe nga agjenci të ndryshme turistike.

Për të shkuar në kështjellën, që Ali Pasha ndërtoi për zonjën e vet, Vasiliqinë, duhet të përshkosh një shteg të ngushtë, mes një bimësie tipike mesdhetare të ulët, e përbërë kryesisht nga shkurre. Në fasadën e kështjellës spikat porta e hekurt. Dikur, në krah të saj ka qenë një pllakë me stemën e Ali Pashait, ku shkruhej “Unë, Pashai i Madh, Aliu, e ndërtova këtë kështjellë”.

Hyrja është ndërtuar në mënyrë të tillë që, në rast se turqit depërtonin ata të asgjësoheshin nga pushkatarët që qëndronin në disa vende të posaçme, përgjatë një tuneli të brendshëm. Sapo kalon këtë tunel gjendesh në një mjedis në formë labirinthi. Në hapësirën e brendshme, spikasin oda e madhe, dhoma e gjumit e Pashait të Janinës, dhoma e fjetjes dhe ajo e ndenjies e Vasiliqisë. Prej këtu del në një mjedis të hapur mbi det, që mbrohet prej dy kullash të fortifikuara, ku Vasiliqia shëtiste dhe merrte ajrin e pastër.

Forma e dhomave, kolonave mbajtëse me harqe dhe disa kthina të tjera, ku përfshihej edhe ajo e mbajtjes së bagëtive dhe kafshëve të tjera, janë elementët që spikasin menjëherë. Në mure dallon mbishkrime që përkojnë me periudhën e komunizmit kur kështjella ka shërbyer fillimisht si një vend internimi, deri në vitin 1957 dhe, më pas, si një depo ushtarake. Diku, në krahun e majtë ndodhet oda ku gjendej pusi, forma e të cilit spikat ende, me disa gurë të thyer. Përmes një palë shkallësh të gurta e të gjera ngjitesh lart, në bedena. Prej aty dallohet vendi i quajtur “Gjiri i nuseve”, ku, sipas tregimeve të të moshuarve lahej Vasiliqija.

Kështjella e Porto Palermos është ndërtuar në vitin 1818 nga Ali Pashë Tepelena, si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë. Ajo ndodhet në një pikë mjaft strategjike, në një mjedis pothuajse ishullor. Kështjella, që është shpallur monument kulture, është në një gjendje të mirëruajtur, ku spikasin fare qartë format e gurta të realizuara me mjeshtëri nga punëtorët e Pashait të Janinës, nën mbikqyrjen e arkitektit të tij Petro Korçari dhe të specialistëve italianë e francezë. (ATSh)

 

Fabriano{br}Marrin padrejtësisht pensionin social. Probleme për 15 të huaj

Ines, me gomone drejt të panjohurës duke lënë pas vendin në luftë