in

Turqia mbetet destinacioni i preferuar i shqiptarëve për pushime

Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj: “Ishim të përgatitur për një numër të lartë kërkesash drejt vendeve të BE-së pas liberalizimit të vizave, por Turqia mbetet destinacioni ynë ‘i mirë dhe i lirë’”

“Turqia, destinacion i mirë dhe i lirë”, do të jetë edhe këtë vit argumenti i pushuesve shqiptarë për pushimet verore, për shkak të pesimizmit të konsumatorëve për të shpenzuar para në kohë krize për pushime.

Kjo stepje për të shpenzuar para për të pushuar ka bërë që pavarësisht liberalizimit të vizave, shqiptarët t’i drejtohen sërish Turqisë, kur në fakt operatorët turistikë prisnin që vendet e Bashkimit Europian të renditeshin të parat.

Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë (UOTSH) Sadik Malaj tha të martën në një prononcim për ATSh-në se, kriza ekonomike globale ka bërë që qytetarët të frenohen disi për të zgjedhur oferta turistike të kushtueshme.

“Ishim përgatitur për një numër të lartë kërkesash drejt vendeve të Bashkimit Europian pas liberalizimit të vizave, si Spanjë, Itali etj, por duket se shqiptarët duan të tregohen të kujdesshëm në shpenzimet për pushime. Sërish Turqia mbetet destinacioni ynë ‘i mirë dhe i lirë'”, deklaron Malaj.

Referuar tendencës së kësaj vere, pas Turqisë, vendet e rajonit janë ato për të cilat ka më shumë kërkesa. “Mali i Zi, Kroacia dhe Greqia kanë tërhequr një numër të madh pushuesish. Këtë vit një numër i madh pushuesish shqiptarë kanë zgjedhur Qipron”, shprehet Malaj.     

Sipas Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, nuk vërehet ulje e numrit të pushuesve, por sidoqoftë e  ditëve të pushimeve, që do të thotë se në rast se vitet e tjera qytetarët interesoheshin për paketa 10 ditore, këtë vit numri i kërkesave për paketa 7 ditore është rritur ndjeshëm.

“Jetojmë në një periudhë krize ku buxhetet familjare për pushime janë të limituara”, thotë Malaj. Në këtë drejtim, ai vlerësoi edhe reagimin e industrisë së turizmit shqiptar, e cila këtë vit po ofron paketa turistike më të lira. “Industria e hotelierëve dhe shërbimeve të tjera janë koshientë për situatën e krijuar nga kriza. Zona bregdetare ranore nga Velipoja deri në Vlorë ka një tendencë të uljes së çmimeve. Zonat rreth Durrësit ofrojnë oferta shume të lira. Gjen hotele edhe me 8 euro natën”, u shpreh Malaj. (ATSh)

TEG: “Ejani në kostum banje e ju veshim falas”

Censimento. L’Istat recupera 100 mila immigrati