Nga viti i shkuar Belle Air ka ndryshuar peshën e bagazhit të lejuar në avion, duke rritur peshën e lejueshme falas qoftë për bagazhin e dorës qoftë për atë të stivës
Edhe ajo që konsiderohet kompania e parë shqiptare low-cost, Belle Air, që tashmë zbret në mëse 20 aeroporte italiane, vjet ka ndryshuar parametrat për bagazhet e lejuara në bord, por kjo në të mirë të pasagjerit. Pesha e lejuar nuk është më 15 kg për çdo pasagjer, por 20 kg, të sistemuara maksimumi në dy bagazhe. Nëse kjo peshë kapërcehet, për çdo kg më shumë pasagjeri duhet të paguajë jo më 5, por 8 euro. Shuma e përmasave të çdo bagazhi që ngarkohet në avion i regjistruar, d.m.th. që dorëzohet në sportelin e pranimit (check-in), nuk duhet të kapërcejë 160 cm (gjatësi + lartësi+ gjerësi). Pra kujdes jo vetëm tek pesha por edhe tek përmasat e bagazheve, megjithëse pesha mbetet gjithnjë elementi më i rëndësishëm kur ai ngarkohet. Gjithsesi për arsye sigurie në punë pesha maksimale e një bagazhi të regjistruar nuk mund të kapërcejë 32 kg. Në bordin e avionëve Belle Air mund të merret vetëm një bagazh dore me peshë deri në 6 kg. Për këtë bagazh, që nuk regjistrohet, përmasa e përgjithshme (gjatësi + lartësi+ gjerësi) nuk duhet t’i kapërcejë 110 cm.
Foshnjat deri në 24 muajsh nuk kanë të drejtë bagazhi, ndërsa fëmijët nga 2 deri në 12 vjeç, kanë të drejtë të ngarkojnë në avion bagazhe njëlloj si të rriturit.
Për transportimin e disa objekteve të veçanta, Belle Air parashikon tarifa më vete. Kështu, nëse merret me vete një bçikletë apo një surfboard duhet paguar 26 euro për fluturim për objekt.
Për transportimin e skive të ujit apo të borës, nuk paguhet asgjë nëse ato nuk janë më të gjata se 1 metër e 60 centimetra, dhe nëse bagazhi përfshirë skitë, mbetet brenda normave të parashikuara për peshën. Nëse janë më të gjata paguhet 25 euro.
Për transportimin e armëve, paguhet një tarifë shtesë që ndryshon sipas aeroportit të nisjes apo të mbërritjes. në këtë rast, për të mësuar tarifën duhet telefonuar Belle Air në numrin +355 (0)4 240 175.
Ç’sende nuk mund të marr në kabinë?
Në bazë të një rregulloreje të BE-së, nga data 1 shkurt 2004, ndalohet në të gjitha fluturimet marrja e sendeve të mëposhtme: revole, armë zjarri e armë në përgjithësi, armë me majë dhe me teh të mprehtë dhe sende të tjera që presin si thika, gërshërë (edhe prerës thonjsh dhe çka duhet tjetër për mirëmbajtjen e thonjve); shkopinjtë e alpinizmi dhe skive, mjete që mund të shkaktojnë plagosje si shkopinjtë e golfit, stekat e bilardos dhe kallamat e peshkimit; lëndë shpërthyese dhe substanca të djegshme; substanca kimike dhe helmuese që paraqesin rrezikshmëri për shëndetin e pasagjereve dhe të ekuipazhit ose dhe për sigurinë e përgjithshme të avionit dhe pasurive.
Përgatiti Irida Cami