Intervistë me Astrit Ramanin: një nga dëshmitarët e eksodit të shqiptarëve drejt brigjeve italiane
“Nisi çuditshëm ajo ditë, pothuajse si të gjitha ditët e tjera të atij Marsi të vitit 1991. Më rrëqethet trupi kur sjell nder mend panoramën e qytetit tim Durrësit. Kisha dalë për të blerë një pale këpucë atë dite, dhe ne xhep kisha 1500 leke te vjetra. Kur arrita afër Vollgës shoh grumbuj njerëzish që i drejtoheshin portit. U bëra pjesë e turmës e cila mësynte drejt anijeve në portin e Durrësit duke menduar: jam i vendosur të shkoj por vallë a më mjaftojnë këto lekë për “udhëtimin” apo duhen “lekë italiane”?”
Kështu nis rrëfimin e asaj dite marsi të vitit 1991, Astrit Ramadani nga qyteti i Durrësit. Në moshën 21 vjeçare, në ditët e para të Marsit bëhet dhe ai pjesë e eksodit të shqiptarëve drejt brigjeve italiane. Sot jeton në qytetin e Albës (CN) dhe akoma punon në të njëjtin vend pune që iu këshillua 20 vjet më parë nga përgjegjësit që u morën me sistemimin e emigrantëve nga Shqipëria.
Astrit si e kujton atë vit dhe si ishin për ty ato ditë marsi?
Atë vit fillova studimet për veterinari në Tiranë. Ishte një vit shumë i çuditshëm për mua. Fillimi i shkollës aq e dëshiruar për mua dhe familjen time më në fund u bë realitet. Por pak muaj më vonë filluan edhe lëvizjet e studentëve dmth të shokëve tanë. Studentët më të mëdhenj se unë flisnin për organizime në grupe edhe përpara se të fillonte shkolla. Më pas filluan protestat të cilat u bënë çdo ditë dhe më të theksuara dhe të rrëmujshme deri në rënien e bustit të Enver Hoxhës. I kujtoj ato ditë si emocionuese por edhe shumë konfuze në të njëjtën kohë. Turbullimi i ideve m’u shtua edhe më shumë kur u ndërpre dhe mësimi, kështu që u detyrova te kthehesha në shtëpi në Durrës.
Më 6 mars udhëtove drejt brigjeve të Italisë me një nga anijet e ankoruara në portin e Durrësit.
Kam udhëtuar me anijen Tirana. E si mund ta harroj atë anije. Gdhendjen e emrit të saj e kam te fiksuar ne mendje. Data 6 mars dhe ky emer tek unë do të mbetet gjatë në mendje. Nuk e di në është emocion apo rrëqethje trupi ndjesia që më përshkon të gjithin sa herë e kujtoj këtë ditë.
Si nisi kjo ditë për ty?
Dola atë mëngjes pasi doja të blija një palë atlete. Babai më dha 1500 lekë të vjetra. Kur dola jashtë u takova me ca miq të cilët më dhanë “lajmin e ditës”.
“Astrit nuk do të besohet”, – më thonin. “Janë nisur për në Itali me anije shumë djem të lagjes sonë. Ti si e ke ndarë mendjen do ikësh?”. “Ehe nuk është aq e lehtë”, – ia priste një tjetër, – “duhet të kesh shumë guxim të hipësh në ato anije, nuk është aq e thjeshtë”.
U nisa drejt dyqaneve, por rrugës shihja grupe njerëzish që ecnin drejt portit. Autobusët e linjës nuk lëviznin. Thoshin se i kishin ndërprerë sepse nga fshatrat e Durrësit dhe lagjet më larg qendrës shumë të rinj po shkonin drejt portit. U çudita! Por vazhdoja të ecja, duke dëgjuar lloj-lloj komentesh dhe përshkrimesh mbi anijet në bregdetin e Italisë.
Pa e kuptuar u gjenda brenda në portin e Durrësit dhe përballë anijes Tirana. Qesha me vete.
Më parë kur isha në plazh dhe shihja në mbrëmje tek i afrohej portit mendoja…. “Vallë si do të ishte udhëtimi në det të hapur me këtë anije kaq të madhe që mbante emrin e kryeqytetit tim?
Dhe tani gjendesha para saj. Futa duart në xhep dhe preka lekët e strukura në fund të xhepit të pantallonave kauboj. Ishin në modë në atë kohë, i kisha blerë në Tiranë. Fill në mendje më shkoi pagesa e udhëtimit. Vallë më mjaftonin kaq lekë për të udhëtuar. Është e çuditshme të mendoje në atë moment se a mund të përdoreshin ato lekë në anije, kur njerëzit nxitonin të hipnin ku të mundeshin dhe si të mundeshin sipër saj. Nxitova dhe unë. U bëra pjesë e atij grumbulli njerëzish që nuk pyesnin as për radhë as për vend. Thjesht hipnin, ishin në të.
Çfarë moshash hipnin në anije, i mban mend?
Oh, të gjitha moshat. Kishte bebe fare të vegjël të mbështjellë në batanije dhe fëmijë, çifte të sapomartuara të cilat i njihja se ishin nga Durrësi.
Çdo lloj moshe e gjinie gjeje në atë anije. Ishim bashkudhëtarë të një udhëtimi që nuk kerkonte as leke shqiptare, as radhe dhe as bileta, por vetem guxim, shumë guxim dhe dëshirë të rrëmbyer për të parë bregun e detit përballë atij tonit. Për të parë shtetin që e kishim sjellë në shtëpitë tona vetëm nëpërmjet antenave të improvizuara, apo përmes iluzioneve tona.
Si ishte udhëtimi dhe si e kujton mbërritjen në bregdetin italian?
Pritëm disa orë për t’u nisur, kishim frikë se do të na zbrisnin përsëri. Rreth pasditës kur u dëgjua dhe sirena e anijes dikush bërtiti, – anija po niset, tani veç mbahuni fort. Kemi udhëtuar për rreth 9 orë natën. Unë isha kapur pas një litari dhe shtrëngohesha fort edhe pse nuk kishte shumë nevojë. Dëgjoheshin të qara fëmijësh dhe pyetje mbi sa orë do të zgjaste udhëtimi. Nuk e mbaj mend se sa ka qenë ora se duhet të kem qenë pak përgjumësh edhe pse kisha ftohtë.
“Shikoni bregdetin Italian, shikoni sa shumë drita që ka!”. Me të dëgjuar këto fjalë jam çuar më këmbë dhe po shikoja bregdetin. Isha shumë i lumtur atë mbrëmje. Arrita të përfundoj udhëtimin që kisha nisur dhe më në fund isha në tokën italiane.
Por mbrëmja e asaj dite kishte edhe një gëzim për mua. Vëllai im Shpëtimi 20 vjeçar, i cili ndodhej në anijen Legend (Panama) ishte me mua. Një tjetër udhëtar, një tjetër histori që i përket atyre ditëve të Marsit pranveror të vendit tonë, ditët të cilat sollën “Erën e ndryshimeve” për shqiptarët.
A ishte e vështirë për ty dhe vëllanë të nisnit një jetë të re në Itali?
Ditët e para ishin kaos i vërtetë. Shpërndarja e të ardhurve siç mund ta kujtojnë të gjithë u bë në mënyrë të organizuar. Mua dhe vëllait na takoi të shkojmë në veri të Italisë, ku sipas zërave ishte vendi më i mirë për punë. Kemi ndenjur në një kamp për 3 muaj ku u trajtuam shumë mirë dhe na ndihmuan pa masë ushtarët që ishin me ne në kamp, por edhe familjet e zonës përreth. Tashmë pantallonat xhins, të cilat në Shqiperi duhet t’i porositnim fshehurazi për t’i mbajtur vetëm në raste festash, ishin veshja jonë e përditshme. Është shumë e trishtuar ta mendosh tani, por në të vërtetë gëzimi ynë asokohe fillonte nga aty.
Kam 20 vjet që jetoj në Itali dhe punoj si murator. Kjo është puna që zgjodha që në fillim të bëja duke i hequr kështu vetes mundësinë të vazhdoja përsëri studimet, pasi nevoja për të ndihmuar familjen ishte e madhe. Jetoj në qytetin e Albës (CN) dhe akoma punoj në të njëjtin vend pune që m’u këshillua 20 vjet më parë nga përgjegjësit që u morën me shpërndarjen dhe sistemimin e emigrantëve nga Shqipëria.
Intervistoi Leonora Memia
Lexo edhe: Mars 1991 – Edhe unë isha në anije