Në mitingun e organizuar për të rikujtuar 8 dhjetorin e protestave studentore, në podiumin përkujtimor pranë Kryeministrit Berisha s’mund të mos binte në sy mungesa e disa ish-aktorëve me rëndësi në zhvillimet demokratike të dhjetorit 1990, pasojë kjo e ndarjes politike në Shqipërinë e pas ’90, por sidomos pasojë e këmbënguljes për ta rivizituar historinë me arrogancën e fitimtarit të përkohshëm
Nga Ilirjana Stringa
Në shkurt të vitit 1948, në një çast historik për Boheminë, udhëheqësi komunist Klement Gottwald del në ballkonin e një pallati barok në Pragë për të folur përpara qindra qytetarëve që mbushnin sheshin e Qytetit të Vjetër. Gottwald rrethohej prej miqve të vet dhe shi pranë tij qëndronte shoku Clementis. Binte dëborë dhe bënte ftohtë. Gottwald ishte kokëjashtë dhe Clementis, dhembshurisht, heq beretën e tij prej peliçeje dhe ia vë mikut. Mbi atë ballkon nisi historia e Çekosllovakisë komuniste.
Propaganda shpërndau me mijëra fotografi të ballkonit prej ku Gottwald, i rrethuar nga miqtë, i fliste popullit. Në afishe, në librat e shkollës dhe në muzeume të gjithë fëmijët e panë atë fotografi. Disa vjet më vonë Clementis u akuzua për tradhti. Seksioni i propagandës e fshiu nga historia dhe natyrisht edhe nga të gjitha fotografitë. Që prej asaj dite, Gottwald qëndron i vetëm në ballkon. Atje ku më parë qëndronte Clementis sot është muri i pallatit. Nga Clementis-i ka mbetur vetëm bereta mbi kokën e Gottwald-it.
Kështu nis një nga romanet e shkrimtarit disident çek Milan Kundera (perifrazimi dhe citimet janë marrë nga Milan Kundera, Il libro del riso e dell’oblio, Adelphi, 1980). Situata që rrëfehet më sipër është pa dyshim një dejà vù për shqiptarët që e kanë përjetuar Shqipërinë e para ’90, por sidoqoftë çka na intereson hë për hë është marrëdhënia mes faktit historik dhe historisë zyrtare, si dhe marrëdhënia mes aktorëve dhe dëshmitarëve historikë. Dinamika e historisë zyrtare shprehet qartësisht me vendin bosh pranë liderit, ndërsa bereta e harruar mbi kokën e tij është detaji që tradhton retushimin e historisë. Diku më poshtë Kundera na kujton edhe se “lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës” kinse për të na bërë të qartë ç’kërcënim me vdekje është harresa. Çfarë kërcënimi me përsëritje të historisë, mund të shtohej. Çka në rastin e Shqipërisë do të ishte ripërsëritje e krizës identitare, e amullisë dhe e mungesës së një projekti për të ardhmen, tipare këto që e kanë karakterizuar sot e mot shoqërinë shqiptare. Fotografinë e ballkonit bosh të historisë shqiptare të 60 vjetëve të fundit, për fat të keq, e trashëgojmë ende të tillë, ndonëse një pjesë e aktorëve kryesorë, por edhe një pjesë e dëshmitarëve, bijtë dhe nipërit e atyre që, figurativisht, e kanë ndjekur historinë shqiptare nga poshtë ballkonit janë akoma gjallë.
Deficitare është pjesa tjetër: ajo e historisë si hulumtim shkencor, qëmtimi i dokumenteve dhe i arkivave, verifikimi i burimeve, analiza dhe deduksioni, të cilat do të duhej të kryheshin nëpër qendra universitare dhe institute shkencore, revista e buletine të specializuara, nga studiues të historisë, por edhe sociologë, antropologë e filozofë shqiptarë. Për të sjellë vetëm një shembull të mungesave dhe problemeve që hasin shoqëria dhe kultura shqiptare në këtë drejtim le të kujtojmë hartimin e tekstit të Historisë së Shqipërisë 12 (me autorë Dr. Beqir Metën, prof. Dr. Muharrem Dezhgiun dhe Xhevair Lleshin), tok me debatet që ndezi pasqyrimi dhe interpretimi që autorët u bënin aty protestave të vitit 1997, lindjes dhe lulëzimit të firmave piramidale, ngjarjeve të vitit 1998 etj. etj. S’duhet konsideruar rastësi fakti që tekstet më autoritare mbi historinë moderne dhe bashkëkohore shqiptare mbajnë emra autorësh të huaj. Ky handicap është me pasoja për fiksimin e kujtesës historike, por edhe për regjistrimin e së tashmes, që në një të nesërme do të bëhet e shkuar.
Do të mund të pohonim me siguri që i ashtuquajturi përdorim publik që i bëhet sot historisë kalon përmes ekranit të televizionit, dokumentit televiziv, dëshmitarëve që dëshmojnë në emisione të drejtpërsëdrejta e të ritransmetuara, hulumtimeve dhe përthellimeve në studio televizive. Nga ana tjetër, mungesa dhe fragmentarizimi i subjekteve të legjitimuara për të kryer diskursin historik dhe poroziteti që karakterizon instrumentin televiziv, e shndërron përdorimin publik të historisë në armë të polemikës politike të çastit (shih P. Ortoleva, Mediastoria. Mezzi di comunicazione e cambiamento sociale nel mondo contemporaneo, Net, 2002). Dhe aktualisht prioriteti që ka kjo polemikë në Shqipëri, por edhe kudo në botë, nuk është informimi dhe emancipimi i komunitetit, por shifrat e audiencës televizive, të cilat në terrenin politik “përkthehen” në numër votash dhe mundësi për të qeverisur apo riqeverisur. Pikërisht publikut televiziv – privuar prej vitesh prej të gjitha instrumenteve kritike – i kërkohet të gjykojë të shkuarën e afërt të regjimit, por edhe të votojë për aktorët e politikës së sotme, shumë prej të cilëve kanë qenë aktorë edhe të zhvillimeve historike dhe politikës së djeshme. Ky gjykim shumëplanësh i telespektatorit, do të duhej mbështetur dhe ndihmuar me publikime dhe opinione subjektesh të legjitimuara (apo me oponenca subjektesh të palegjitimuara), që don të thotë me qasje, qëmtim dhe tejçim të historisë në terma shkencore.
Vonesat në përpunimin e kujtesës historike kanë peshën e tyre pothuaj të drejtpërsëdrejtë edhe mbi të tashmen. Jo pa shkak që prej përfundimit të zgjedhjeve të fundit në vend, televizionet shqiptare janë peng i zhvillimeve politike. Arsyet duhen kërkuar së pari në interesat e thella që lidhin politikën me mediat në Shqipëri, interesa ekonomike por edhe të legjitimimit shoqëror e historik.
Politika, përmes televizioneve dhe gazetave, promovon idetë dhe modelet e veta, por edhe pëson tele-klishe dhe tele-modele. Një nga shembujt më të pastër të kësaj simbioze parazitare, ishte fjala që mbajti Kryeministri Sali Berisha në Kuvendin Popullor në prag të Festave kombëtare të nëntorit. Rrallëherë ekrani televiziv shqiptar kish përcjellë kaq drejtpërsëdrejti vetveten. Qarku i shkurtër krijohej mes rolit që Berisha i mveshi kundërshtarit të vet politik, Edi Ramës, (ky u përkufizua si shkatërrues i modelit tradicional të familjes, politikan me background të dyshimtë familjar e politik, dhunues i grave e vajzave, individ me probleme psikike) dhe klishesë së personazhit negativ të telenovelave latinoamerikane që kanë pushtuar palinsestet televizive shqiptare. Me zgjuarsi Berisha e ktheu Ramën në një Gonzalo, personazh ky i telenovelës “Kërkohen meshkuj” që transmetohet çdo pasdite në Tv Klan. Brenda serisë, Gonzalo është personifikim i politikanit të korruptuar, i njeriut shumëfytyrësh e të pamoralshëm.
Çfarë mediatikisht pasoi fjalimin e Kryeministrit në Kuvend mori gjithashtu tiparet e një seriali të dorë së dytë. Bëhemi kësisoj dëshmitarë të realitetit që miklon klishenë shoqërore, krijuar dhe promovuar nga serialet televizive, me pasojën që realiteti mbetet në grackën e kësaj klisheje: sot për sot politika në Shqipëri ka statusin dhe besueshmërinë e një gjinie televizive pseudoartistike.
Duke iu referuar episodit në fjalë, por edhe polemikës politike që zhvillohej ato ditë në media e masmedia, në 4 dhjetor 2009, në artikullin e tij “Sa i mirë debati politik” (Gazeta “Standart”), prof. Artan Fuga e vlerësonte kësisoj raportin agresivitet verbal/shkrehje e tensionit politik (termat janë të prof. Fugës): “Fjala zëvendëson veprimin trupor. Është një zëvendësim jetëdhënës për demokracinë. Lufta reale mes palëve, e kam fjalën, në planin fizik, protestues në rrugë, shndërrohet në shkëmbim fjalësh, fjalish, të cilat sado të forta, të nxehta dhe agresive që të jenë, përsëri e kalojnë konfrontimin drejt e në rrafshin semantiko-linguistik.” Për fat të keq nuk janë të një mendjeje me prof. Fugën ata që i kërkojnë tek i ashtuquajturi “terrorizëm mediatik”, tek pushteti i media-fjalës pra, fajtorët moralë të gjestit të dhunshëm të Massimo Tartaglia-s, italianit që më 13 dhjetor qëlloi me miniaturën e Duomo-s së Milanos Kryeministrin italian Silvio Berlusconi.
Çka thamë më sipër na shtyn të reflektojmë rreth lirisë së realitetit fizik nga realiteti televiziv, e sidomos nga profili i publikut televiziv që është krijuar në këta vjet. Retushimi i vazhdueshëm i historisë, politizimi i të gjitha diskurseve shoqërore, homologimi i individëve dhe i dëshirave të tyre e zbythin kolektivitetin në stadet e fëmijërisë intelektuale, e bëjnë atë viktimë të mekanizmave të pushtetit. Ekrani shqiptar prej vitesh formëson një publik të së tashmes, të “aty-së”, të “tani-së”, në rastin më të mirë një publik me kujtesë të cunguar e, në rastin më të keq, mirëfillit “armik të kujtesës”. Sepse kujtesa, për vetë strukturën e vet, kërkon koherencë intelektuale dhe emotive, virtyte që është e pamundur të kultivohen vetëm brenda dhe nëpërmjet ekranit.
Përvoja por edhe ushtrimi i gjykimit do të duhej të na kishin paralajmëruar mbi atë se çfarë ndodh, për shembull, kur dëshmitari historik është i pozicionuar brenda topografisë së pushtetit. Na e rikujton sidoqoftë emisioni “Opinion” i datës 10 dhjetor 2009 në TV Klan. Drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, dikur student dhe pjesëmarrës i ngjarjeve të dhjetorit, ka ftuar në studio Skënder Gjinushin (ish-Ministër i Arsimit në vitin 1990, prej vitesh politikan aktiv), Mesila Dodën (studente e dhjetorit dhe deputete e PD-së), Arben Demetin (ish-profesor pjesëmarrës i lëvizjeve dhe zv/Ministër i Mjedisit në qeverinë Berisha), Blendi Gonxhen (pjesëmarrës i ciklit të “Refleksioneve” në Akademin e Arteve në 1990) dhe gazetarët analistë Artur Zheji dhe Mentor Nazarko. Titulli i emisionit është “Komunistë të iluminuar apo antikomunistë” dhe qëllimi i deklaruar është ai i shqyrtimit të rolit të pjesëmarrësve të lëvizjeve të dhjetorit dhe mundësia e identifikimit të një profili politik të lëvizjes.
Qysh në batutat e para emisioni rivuri në skenë tele-modelin e “konfrontimit drejt e në rrafshin semantiko-linguistik”, këtë herë mes M. Dodës dhe S. Gjinushit, çka provon se klishetë politiko-mediatike janë modë që përhapet shpejt, por edhe se shanset që historia të mund të sitet brenda hapësirave të pushtetit janë të papërfillshme. Ndodh kështu që dy orë transmetim e debat mbi të shkuarën shndërrohen në dy orë transmetim e politikë e personalizuar, simptomë kjo e një mekanizmi që xhiron bosh e njëherësh shembull i një tele-shoqërie që refuzon t’i bëjë llogaritë me ndërgjegjen e vet.
Larg nga shifrat që dhanë mediat dhe nga manipulimi i tyre për pragmatizëm politik, në mitingun e organizuar për të rikujtuar 8 dhjetorin e protestave studentore, në podiumin përkujtimor pranë Kryeministrit Berisha s’mund të mos binte në sy mungesa e disa ish-aktorëve me rëndësi në zhvillimet demokratike të dhjetorit 1990, pasojë kjo e ndarjes politike në Shqipërinë e pas ’90, por sidomos pasojë e këmbënguljes për ta rivizituar historinë me arrogancën e fitimtarit të përkohshëm. Për ata që përpiqen të lexojnë në “murin bosh” pranë liderit paralajmërimin e historisë, të paktën dy elemente e tradhtuan qëllimin kinse përkujtimor të organizimit të këtij mitingu: ripërsëritja e premtimit për liberalizimin e vizave dhe fjala e mbajtur nga një vajzë 19-vjeçare, e cila duhet të simbolizonte kujtesën e re të kombit. Janë që të dyja elemente të pastra që bien ndesh me mesazhin e festimit të së shkuarës dhënë përmes pamjeve televizive të sheshit mbushur me koka dhe parrulla. E para, premtimi i liberalizimit të vizave si metaforë e ikjes, e mundësisë për t’u larguar, për ta refuzuar e për ta lënë pas të shkuarën. E dyta, vajza, që s’ka asnjë element të kujtesës personale, mund të shihet si metaforë e faqes së bardhë, historike por edhe televizive shqiptare.
Në këto kushte, retushimi i qëllimshëm i kujtesës kolektive shndërrohet në qëllim dhe mjet hakmarrjesh private dhe politike, çka paragjykon si të tashmen ashtu edhe të shkuarën: “Njerëzit bërtasin se duan të krijojnë një të ardhme më të mirë”, na thotë Kundera, “por s’është e vërtetë. E ardhmja është thjesht një boshllëk i pashquajtshëm që s’i intereson kurrkujt, ndërsa e shkuara është plot jetë dhe fytyra e saj na ngacmon, na provokon, na fyen, dhe kështu duam ta shkatërrojë ose ta ripikturojmë. Njerëzit duan të jenë padronë të së ardhmes vetëm që të mund të ndryshojnë të shkuarën.”
Si për të na vënë përballë këtij eventualiteti të frikshëm, aty nga fundi i emisionit “Opinion” përmendur diku më lart, B. Gonxhe akuzoi publikisht kryetarin e opozitës Edi Rama se në spotet e fundit elektorale të PS-së që janë bërë me ciklin “Refleksione” në Akademinë e Arteve është hequr fotografia e tij, pamja e tij filmike.
Në fotografinë e epokës, në mungesë të historianit të profesionit, është audienca e kujdesshme ajo që duhet të shquajë beretën e të mundurit mbi kokën e fitimtarit.
Bota shqiptare 227 – 1 janar 2010