in

Universitet në Itali. Nisin pararegjistrimet për të huajt

Janë shpallur on-line numri i vendeve në dispozicion për çdo universitet. Në shtator testi i gjuhës apo i pranimit

Romë, 22 maj 2011 – U hapet nesër rruga drejt universiteteve italiane studentëve jokomunitarë që jetojnë jashtë Italisë. Një rrugëtim i gjatë që do të përfundojë në shtator, me regjistrimin e mirëfilltë në degën e dëshiruar.

Nga 23 maji, të gjithë ata që dëshirojnë të regjistrohen në vit të parë mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pranë konsolatave italiane në vendlindje. Janë përfaqësitë diplomatike ato që përcaktojnë edhe datën e fundit të vlefshme për paraqitjen e këtyre kërkesave, ndaj është e udhës që të interesuarit të informohen menjëherë për të mos rrezikuar të mbesin jashtë.

Në korrik konsullatat do t’u përcjellin kërkesat universiteteve dhe në gusht do të shpallin listat e kandidatëve që do të pranohen në testin e italishtes apo në provimin e pranimit për fakultetet me numër të mbyllur studentësh, që parashikohen të mbahen javën e parë të shtatorit. Kandidatët do të mund të vijnë në Itali me vizë për studime dhe, nëse e marrin testin, do të regjistrohen përfundimisht në universitet. Është e rëndësishme të mbahet parasysh që kanë nevojë të ndjekin këtë procedurë e të pajisen me vizë për studime edhe shqiptarët që kanë pasaportën biometrike, pasi ajo u jep të drejtën e qarkullimit lirshëm në Schengen për tre muaj por jo për t’u regjistruar në universitet.

Vendet nuk janë pa fund: çdo universitet i ka komunikuar tashmë ministrisë së Universitetit numrin maksimal të studentëve të huaj që do të pranohen për çdo kurs. Për të kuptuar se sa janë apo në cilin universitet mund të kihen më shumë shanse mund të konsultohet banka e të dhënave të ministrisë në faqet dedikuar studentëve të huaj.

Procedura e mësipërme është e vlefshme vetëm për të huajt që janë akoma në atdhe apo sidoqoftë jashtë Italisë. Të gjithë ata që jetojnë në Itali me me leje qëndrimi të rregullt regjistrohen në universitet njësoj si italianët. Natyrisht, të gjithë duhet të kenë në xhep diplomën e shkollës së mesme, të ndjekur këtu apo në atdhe, titull studimi që u lejon regjistrimin në universitet.

Elvio Pasca

Diana Kapo, sekretare e të rinjve të PD-së në Firence

Lega: “Karta e identitetit të zgjasë sa leja e qëndrimit”