in

Vala e azilkërkuesve shqiptarë. Pse qeveria nuk mund të fshihet pas gishtit

Nga Alqi KOÇIKO

Ngjan e largët koha kur një vrull largimesh i qytetarëve të Kosovës drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së, nisi të pasqyrohej edhe në median shqiptare. Theksi vihej tek mungesa e shpresës për përmirësim të ekonomisë dhe punësimit në Kosovë, dhe tek akuzat e shumëkujt mbi perspektivën e zymtë të një vendi të mbërthyer nga korrupsioni dhe trafiqet.

Në fakt, bëhet fjalë për dy-tre muaj deri pak javë më parë. Vëmendja u zhvendos menjëherë brenda kufijve, në fillim sporadikisht e tashmë shpesh e më shpesh: mjaft shtetas shqiptarë po ikin kryesisht drejt Gjermanisë, në kërkim të një azili që do t’u mundësonte dokumente gjermane dhe punësim. Qoftë dhe asistencë. Është quajtur edhe “eksod” në kërkim të krahasimit me largimet e hatashme të viteve 90-të, megjithatë nuk është çështje termash, por faktesh. Dhe fakti është që janë shtuar së tepërmi shqiptarët që duan të largohen nga vendi.

Çfarë po ndodh? Shkurt dhe thjesht, situata ekonomike në vend nuk është aspak e mirë. Le të zihen e të luftojnë me shifrat FMN-ja, BB-ja, BERZH-i, Instat-i dhe institucione të tjera, nëse rritja do jetë 3%, apo 1,5%. Njerëzit nuk arrijnë të gjejnë punë, puna në fshat edhe për ata që kanë toka është thjesht mbijetesë, e shpeshherë në kufijtë e saj. Nëse njerëzit mashtrohen nga sekserë biletash udhëtimi, apo qoftë dhe nga prapaskena politike, kjo nuk ka shumë rëndësi: Një njeri apo një familje që ndihet dhe jeton mirë në vend të vet, nuk ka pse largohet, cilido mafioz të afrohet për t’i mbushur mendjen.

Në këtë pikë, dy vjet pas ardhjes në pushtet, kreditet e këqija të kësaj situate i shkojnë qeverisjes aktuale. Ajo çfarë ka trashëguar mazhoranca e majtë nga qeverisja e kaluar, është bërë e qartë dhe tashmë e dimë që ishte një balonë borxhesh që vetëm fryhej e vetëm priste të shpërthente. Nëse megjithë masat e marra, kjo që po shohim është një lloj shpërthimi, atëherë fajin e ka qeverisja dhe jo Berisha. Ky i fundit, koshient se me bëmat e tij nuk i dilej ndryshe, nuk e kishte problem edhe tolerimin e një doze të mirë ekonomie në të zezë, edhe lulëzimin e hashashit dhe trafiqeve të tjera, edhe blerimin e njëmijë luleve universitare private ku të rinjtë të hardalloseshin në iluzionin e shkollimit në vend të punësimit, mjaft që punët të dukej sikur shkonin mbarë. As kështu nuk ja doli dot, sepse kur e zeza është e zezë, nuk ka detergjent që ta zbardhë.

Ajo që rezultoi prioritare për mazhorancën aktuale, sapo erdhi në pushtet, ishte padyshim ekonomia, por në aspektin rregullator dhe fiskal të saj, ndërsa shina e dytë paralele ishte ligjshmëria. U ftua sërish FMN dhe BB, por problemi është se këto dy organizma vetëm udhëzojnë e këshillojnë; nuk qeverisin, as joshin investime të huaja, as stimulojnë biznesin vendas dhe as hapin vende pune. Dhe qytetari është i gatshëm ose pranon për shkak të autoritetit të shtetit, siç dëshmoi atmosfera e përgjithshme, të paguajë dritat, gjobat rrugore, ndërtimet pa leje; por më parë duhet të ketë të ardhura. Është ky hapi i parë, përmes të cilit pastaj mund të vjelësh taksa, të vendosësh paketa rregullatore etj. Presidenti Regan ka një sentencë për ekonominë: Nëse lëviz, taksoje; nëse vazhdon të lëvizë, rregulloje; dhe nëse pushon së lëvizuri, ndihmoje.

Çdokush e pranon se Shqipëria nuk do shndërrohej në parajsë as për dy vjet, e as për dy mandate. Por qeveria nga ana tjetër nuk mund të mjaftohet thjesht me imazhin e hapjes së vendeve të punës, kur hap thjesht zyra pune; dhe duhet ta mbledhë mendjen se as arrin dot të gufojë zemrat e njerëzve me patriotizma e nacionalizma, për të hequr mendjen nga ekonomia.

Ndërkaq, ka dhe një moment rrethanash jashtë nesh, jashtë Shqipërisë, që po e stimulojnë këtë prirje për largim. Nuk është sekret se BE-ja ndodhet në një periudhë stanjacioni jo vetëm ekonomik, por edhe dyshues ndaj vlerave për të cilat është krijuar; mbase momenti më delikat që nga krijimi i unionit që synon të shndërrohet në Shtetet e Bashkuara të Europës. Pse dhe si ka ardhur kjo gjendje, është trajtuar dhe do të trajtohet në vazhdimësi. Ndërkohë që Shqipëria është në pikën më të afërt të procesit integrues prej 15 vitesh, BE-ja nuk është më ajo e 15 viteve më parë. Ka euroskeptikë, ksenofobë dhe forca retrograde, që tashmë janë përfaqësuar politikisht dhe ushtrojnë presion. Po kështu, ushtrojnë presion të tmerrshëm valët e mëdha emigruese të vendeve kufitare në konflikt, që jo vetëm kanë shkaktuar tragjedi të mëdha, por edhe dilema të forta morale. Padyshim, edhe ekonomike. Në këtë qerthull, shqiptarët gëzojnë liberalizimin e vizave dhe pavarësisht arsimit dhe intelektit, kushdo shqiptar i varfër e kupton që ka një shans të emigrojë pothuajse lirisht pa atë radhën rraskapitëse për viza gjatë viteve 90-të. Para se gjërat, largqoftë, të shtrëngohen në të ardhmen. Dhe para se (ende) parajsës me emrin Europë t’i vihet dryni.

Të gjithë këto sjellin valën e largimeve të fundit, që unë nuk besoj se mund të quhet eksod, por që është njësoj shqetësues. Jo se njerëzit nuk do largohen për një jetë më të mirë, se ky është një proces që nuk do rreshtë kurrë së ndodhuri. Por se atë parajsë që menduan se do krijohej në atdheun e tyre me një të rënë të lapsit, nuk po e shohin gjëkundi në horizont.

Prandaj qeveria dhe qeverisja duhet të tregohen të sinqerta në këtë moment, dhe jo të fshihen pas gishtit. Është e turpshme t’i ndalosh udhëtarët nga pamja, në pikat kufitare, kur kanë dokumentacionin dhe paratë e duhura për të udhëtuar, sipas kushteve të vendosura tashmë. Dhe mund të ishte menduar më gjatë para se të fliste, kandidati i së majtës për bashkinë e Tiranës, kur tha se ikjet janë të mëdha vetëm tek njësitë vendore që janë drejtuar nga të djathtët. Nëse qenka kështu, ç’nevojë kanë të shkojnë deri në Gjermani, kur mund të gjejnë rehatinë në komunat dhe bashkitë e majta?

Gazeta Dita

Ambasadori suedez në Kukës: “Fluksi i azilkërkuesve, shqetësues”

“Ju lutem, mos u nisni, do vdisni…” Letra e vogëlushes që u shpëtoi dallgëve