Më 30 dhjetor, 26-vjeçari Abdushi u transportua në spital thuajse i vdekur. Brenda 24 orëve Karabinierët arrestojnë vrasësin
Varese, 3 janar 2016 – Karabinierët e Como-s kanë arrestuar natën e Vitit të Ri Jasin Sulon, 30 vjeç, resident në Locate Varesino (Como). Akuzohet për vrasjen me pistoletë të 26-vjeçarit Ermal Abdushi, resident në Vedano Olona (Varese).
Pasditen 30 dhjetorit, Abdushi u transportua në një spital të Tradate në Vareze nga një i afërm i tij në gjendje kritike, për shkak të një plumbi të marrë në gojë, dhe vdiq menjëherë. Sipas të afërmit, plaga ishte shkaktuar me armë zjarri aksidentalisht në shtëpi të Sulos, por kur Karabinierët shkuan në shtëpinë e këtij të fundit për të verifikuar çfarë kishte ndodhur, 30-vjeçari ishte zhdukur dhe në apartament u dallua se ishin përpjekur të pastronin njollat e gjakut. Këto dy gjëra ngjallën dyshimet e forcave të rendit se ngjarja nuk kishte ndodhur padashje siç iu rrëfye.
Më 31 dhjetor, Jasin Sulo u arrestua tek disa të afërm të tij në Casale Monferrato. I marrë në pyetje ai pranoi ngjarjen. Arma e krimit, një revolver Smith & Wesson, që rezultoi i vjedhur më 28 dhjetor në Alassio, u gjet në fushat e Mozzate. Sulo u arrestua i akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.
Nuk janë akoma të qarta arsyet që çuan deri në vrasjen e 26vjeçarit, por forcat e rendit pohojnë se qoftë viktima, qoftë vrasësi kanë precedent penalë: Sulo për armëmbajtje pa leje në Shqipëri, ndërsa Abdushi për drogë në Itali.
Karabinierët kanë identifikuar edhe dy shqiptarë të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Sulos: njëri u arrestua në flagrancë për mbajtje dhe trafikim kokaine dhe fshehje të armës së krimit, ndërsa një tjetër është paditur në gjendje të lirë për favorizim sepse ka pastruar shtëpinë pas ngjarjes me qëllim që të fshihte provat e krimit.