in

Vdekjet në punë: Jeta e shqiptarit vlen më pak se ajo e një italiani

Është sentenca tronditëse e gjykatës së Torinos, e cila më 20 korrik 2010  vendosi që familjes së një punëtori shqiptar që humbi jetën pas një fatkeqësie në punë t’i jepet dëmshpërblim e reduktuar. Për më tepër, shqiptarit që humbi jetën i njihet edhe 20% e fajit për vdekjen e tij

Punonjësi që humbi jetën në punë ishte shqiptar. Dhe jeta e tij, zbulojmë, vlejti më pak se ajo e një italiani sepse prindërve të tij që jetojnë në Shqipëri, “zonë me ekonomi jo të përparuar” u takon një dëmshpërblim disa herë më i ulët se ai që do t’u takonte të afërmve të një punonjësi në Itali. Sepse nëse do t’u jepej prindërve të shqiptarit i njëjti dëmshpërblim që jepet për italianët, ata do të siguronin “pasurim të padrejtë”. Kështu thuhet në sentencën e Gjykatës së Torinos.

Gjykatësja civile Ombretta Salvetti, duke u bazuar në një sentencë të Gjykatës së Kasacionit të para dhjetë vjetëve, ka vendosur “t’i përshtatë dëmshpërblimin vlerës reale të parasë në ekonominë e vendit ku jetojnë të dëmtuarit”. Kështu, pasi i ka njohur punëtorit të vdekur edhe 20% të fajit, Salvetti u ka njohur prindërve të tij rezidentë në Shqipëri nga 32.628,24 euro secilit, ndërsa vëllezërve nga 7.446,28 euro, kur për të afërmit në Itali do t’u njiheshin shuma që shkojnë nga 150 mijë në 300 mijë euro.

Sentenca ka shkaktuar menjëherë polemika edhe mes vetë juristëve të cilët vënë në dukje se humbja e jetës nuk ka pse të këtë një vlerë të ndryshme sipas shtetësisë së viktimës, ajo është një dëm që personi dhe të afërmit e tij kanë pësuar në Itali. Ngre zërin kundër kësaj sentence edhe Sandra Gracis, një nga ekspertët më të njohur të të drejtës civile: “Në bazë të kriterit të gjykatës së Torinos, ndërmarrjeve italiane u leverdiska të punësojnë persona që vijnë nga vende të varfra, sepse edhe po të vdesin në kantiere, u kushton më pak dëmshpërblimi që duhet t’u japin familjeve. Dhe po të përmbysim situatën, ç’do të ndodhte nëse viktima do të kishte qenë nga Principata e Monakos apo nga Emiratet Arabe, me këtë kriter dëmshpërblimi do të kishte qenë deri tre ose katër herë më i lartë se për një viktimë italiane?”. Për më tepër, një vit më parë, Gjykata e Lartë, tregon Gracis, ka konfirmuar “që mbrojtja e të drejtave të punonjësve sigurohet në barazi të plotë pavarësisht nga shtetësia, qoftë kjo italiane, europiano apo joevropiane”.

Gentian Alimadhi, avokat në Parma tregon se një rast të tillë e ka ndjekur edhe personalisht. “Por të paktën klientët e mi arritën të marrin shumën e kërkuar. – tregon për Bota Shqiptare avokati. – Trajtuam drejtpërdrejt me shoqërinë e sigurimeve që duhet të paguante pa e lënë çështjen të shkonte deri të vendimi i gjyqit. edhe unë hasa në argumentimin avokatit të shoqërisë së sigurimeve se familjarëve shqiptarë u duheshin dhënë më pak para se familjarëve në Itali. Argumentova të kundërtën me faktin që familjarët në Shqipëri të viktimës do të vinin me bashkim familjar në Itali pranë vëllezërve të personit që humbi jetën. Vura në dukje edhe faktin që një familjar i të ndjerit mund të vendosi shumë mirë që paratë e dëmshpërblimit t’i shpenzojë si dhe ku të dojë, në një vend të Evropës apo edhe në Shqipëri, kjo nuk do të thotë që shpenzon më pak. Dhe pas shumë negociatash ia arritëm të merrnim atë që kërkuam. Shoqëria e sigurimeve u tërhoq nga gjyqi dhe pagoi drejtpërdrejt klientët e mi, pasi nëse çështja shkonte deri te vendimi i gjyqit, shpenzimet për shoqërinë e sigurimeve do të ishin edhe më të mëdha”.

Botuar në Botën Shqiptare 246

Lexo sentencën

Lexo edhe: Zija pa fund e vdekjeve të bardha

Legalizime të rreme, 20 arrestime në Romë

Arben Morina: “Punët e mia janë copëza zemre”