Komisioni i Drejtësisë i Dhomës së Deputetëve pranon tekstin e miratuar në Senat. Transformon në shkelje administrative krimin e hyrjes dhe qëndrimit të parregullt të sjellë në fuqi nga qendra e djathtë në vitin 2009
Romë, 24 mars 2014 – Hidhet një tjetër hap drejt shfuqizimit të veprës penale të klandestinitetit. Ta flenë mendjen edhe të gjithë ata që mbrojnë një nga frytet më të dëmshme të qeverisjes së imigracionit që mban firmën e Legës së Veriut dhe të Popullit të Lirive.
Komisioni i drejtësisë i Dhomës së Deputetëve ka përfunduar më 20 mars shqyrtimin e projektit të ligjit mbi “dënimet alternative me burgun dhe reformën e sistemit të sanksioneve”. Teksti do të jetë në sallën e Dhomës së deputetëve për miratimin përfundimtar, sot më 24 mars. “Synimi ynë është të mbyllim këtë çështje brenda pak ditëve, duke e miratuar pa ndryshime pa asnjë ndryshim nga teksti që doli nga Senati. Është një hap domethënës përpara drejt ngritjes së sistemit të ri të dënimeve” ka shpjeguar Donatella Ferranti, kryetare e komisionit të Drejtësisë.
I miratuar në Senat nga fundi i janarit, projekti i këtij ligji parashikon mes të tjerash edhe shfuqizimin e veprës penale të hyrjes dhe të qëndrimit të paligjshëm në Shtetin italian, të sjellë në fuqi nga “paketë sigurie” e kërkuar me forcë nga ministri i brendshëm legist Roberto Maroni i qeverisë Berlusconi.
Më saktësisht, ky ligj autorizon qeverinë “të shfuqizojë, duke e kthyer në shkelje administrative, veprën penale të parashikuar nga nëni 10-bis i tekstit unik mbi imigracionin dhe normat mbi statusin e të huajit të përfshira në dekretin legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998, duke ruajtur karakterin penal për shkeljet e masave administrative të marra në këtë fushë”.
Kështu, kush hyn apo qëndron në mënyrë të parregullt në Itali do të goditet sërish nga masa e dëbimit, por për të nuk do të hapet proces gjyqësor. Do të mbetet vepër penale mosrespektimi i fletës së dëbimit apo riaardhja në Itali pas dëbimit.
Vlen të kujtohet se, nëse teksti do të pësojë modifikime të reja në Dhomën e Deputetëve, ai do të kthehet sërish në Senat.
Mbi të gjitha, duhet të mbahet parasysh që, edhe pas miratimit përfundimtar, është fjala për një ligj delegues. Në fakt, ajo çka do të miratohet është thjesht fakti që parlamenti autorizon qeverinë të nxjerrë dekretet legjislative për aktualizimin e normës. Sa kohë do t’i duhet? Shumë: deri në 18 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit delegues, pa llogaritur gjykimet që duhet të japë parlamenti mbi ato dekrete. Kohë që ndoshta qeveria aktuale nuk ka.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)