in

Vepra penale e klandestinitetit. Parlamenti vendosi: “Të shfuqizohet”

Dhoma e Deputetëve vendosi përfundimisht ligjin që parashikon mes të tjerash edhe zhdukjen e krimit të hyrjes dhe qëndrimit të parregullt në Itali. Tani e ka radhën qeveria ta çojë deri në fund rrugën e ndërmarrë në këtë drejtim e duhet ta bëjë brenda 18 muajve

Romë, 2 prill 2014 – Parlamenti vendosi: vepra penale e klandestinitetit duhet shfuqizuar. Por akoma nuk është koha për të festuar, sepse do të kalojë akoma shumë kohë para se t’i japim vërtet lamtumirën nenit 10 bis të tekstit unik mbi imigracionin që parashikon këtë krim.

Me 332 vota në favor (të Partito Democratico, Nuovo Centro Destra, Per l’Italia, Scelta Civica, Forza Italia) dhe 104 vota kundër (të (Movimento 5 Stelle, Lega Nord e Fratelli d’Italia), Dhoma e Deputetëve ka miratuar sot në mënyrë përfundimtare propozimin e ligjit  “delegues” (që i  delegon qeverisë nxjerrjen e dekreteve përkatëse mbi objektin e vetë ligjit) mbi “dënimet alternative me burgun dhe reformën e sistemit ndëshkues” që mes të tjerave i jep edhe lamtumirën “veprës penale të hyrjes dhe qëndrimit të parregullt në territorin e shtetit italian”.

Në veçanti, teksti autorizon qeverinë “të shfuqizojë, duke e kthyer në shkelje administrative, veprën penale të parashikuar nga neni 10-bis i tekstit unik mbi imigracionin dhe normat mbi statusin e të huajit të përfshira në dekretin legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998, duke ruajtur karakterin penal për shkeljet e masave administrative të marra në këtë fushë”.

Shfuqizohet vepra penale vetëm për hyrjen e parë, por është mirë që asnjë të mos gënjehet: edhe pse herë e parë, kush kapet pa leje qëndrimi do të marrë masën e dëbimit. Për më tepër, do të vazhdojë të jetë vepër penale mosrespektimi i fletës së dëbimit apo rihyrja në Itali pas dëbimit, apo shkelja e dispozitave administrative kundër të parregulltve, si për shembull detyrimi i firmës në kuesturë apo dorëzimi i pasaportës.

I ardhur në fuqi në vitin 2009 me një të ashtuquajtur “paketë sigurie” të kërkuar me forcë nga qendra e djathtë (Populli i Lirive i Berlusconit dhe Lega e Bossit), vepra penale e klandestinitetit nuk çon në burg asnjë, por kthen në kriminelë ata që nuk kanë një leje qëndrimi dhe detyron gjykatat të hapin procese që mbyllen me masë dëbimi, pa asnjë garanci që riatdhesimi të bëhet efektivisht. Praktikisht arrihet i njëjti rezultat i dëbimit administrativ, që mbetet në fuqi. Siç shpjegonte edhe ASGI pak muaj më parë, “ose Kuestura gjen mënyrën të dëbojë të huajin e parregullt para mbajtjes së gjyqit për veprën penale të hyrjes dhe qëndrimit të parregullt (dhe në këtë rast gjyqi mbyllet për pamundësi procedimi), ose i huaji do të bëjë koleksion dëbimesh, ai i lëshuar nga prefekti, një tjetër nga gjykatësi, masa që zakonisht nuk përmbushen e mbeten vetëm në letër”.

Edhe organet e drejtësisë e kanë hedhur poshtë këtë vepër penale. “Është e kotë, sepse sanksionimi me gjobë nuk ushtron asnjë forcë parandaluese. Është e dëmshme sepse ngarkon me punë zyrat gjyqësore, duke detyruar prokuroritë të shënojnë në regjistrin e të pandehurve mijëra imigrantë. Është e dëmshme edhe sepse pengon hetimet kundër skafistëve dhe përgjegjësve të tjerë të trafikut të personave, duke i kthyer këta të fundit nga dëshmitarë në bashkëfajtorë” padiste në tetor 2013 kryetari i ANM (shoqata kombëtare e magjistraturës) Rodolfo Maria Sabelli.

Nga sot, me gjithë kundërshtimet e Legës, Parlamenti italian vendosi të zhdukë veprën penale të hyrjes dhe të qëndrimit të parregullt. Apo më saktë, – meqë flitet për ligj delegues – vendosi të  autorizojë qeverinë ta shfuqizojë. Tani duhen pritur dekretet legjislative të qeverisë, e cila ka për detyrë t’i nxjerrë brend 18 muajve. Dhe vjeshta e vitit 2015 nuk është shumë pranë.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Bashkëpunëtoret shtëpiake. Këtë vit deklarim të ardhurash edhe me modelin 730

Trafik droge mes Shqipërisë e Sicilisë. Arrestohen 23 persona, 4 janë shqiptarë