in

Viti i Ri dhe monedha në byrek

Më këtë shkrim më kujtuat kohë të bukura por edhe të vështira. Ju falënderoj. Unë kisha shpikur një traditë familjare për ta bërë darkën e Vitit të Ri sa më të paharrueshme për vajzat. Sipas zakonit të shtëpisë sonë, kujt i binte një monedhë në byrek, hante një zog pule të pjekur. Kur u bëmë me dy vajza edhe monedhat në byrek u bënë dy, kurse pjesa që i përkiste fitimtarit, u përgjysmua… u bë gjysmë zogu.

Dezinfektoja mirë me alkool një monedhë një lekëshe dhe e mbështillja me tapën e një shisheje qumështi (nuk di a e mbani mend ju të rinjtë, ishte prej alumini, një lloj domopak i kohës). Natyrisht mbi petë vija një shenjë që, kur ta prija, copa me monedhë t’i takonte vajzës.

Akoma nuk më harrohen sytë e saj kur në çdo kafshatë byreku, priste se mos i binte monedha. Vetëm një vit pati një ngatërrim pjatash, monedha i përfundoi në dhëmbë tim shoqi i cili as nuk e priste e po hante pa kujdes. Kur i kërciti monedha në gojë u çua me vrap duke bëre sikur i ishte thyer nje dhemb. Edhe atë vit vajza ime, ende e vogëel, fitoi. Nga nxitimi në copën e saj të byrekut futa vetëm tapën e shishes së qumështit të palosur si monedhë, kur ajo ishte me të atin në banjë, ku ai bënte sikur po rregullonte “dhëmbin” e thyer.

Ajo kohë ka kaluar por në shtëpinë tonë zakonin e byrekut nuk e kemi harruar. Tani e bëjmë për mbesat…

Eleni G.

Lexo edhe: Si festonim Vitin e Ri njëherë e një kohë?

Viti i Ri dhe dëllinja

Alarm për pako bombë në ambasadën shqiptare në Romë