Humanistja 70-vjeçare, fanse e Che Guevarës, Vitore Stefa Leka, ka lindur në Berat por prej vitit 1990 jeton në Itali, Trieste, ku të gjithë e njohin për shpirtin bujar, bamirës dhe të dhembshur, por edhe si aktiviste plot energji të shumë shoqatave. Emigrantët e thërrasin “nënë Tereza e Triestes” apo “Nana Loke”
S’lë pa përqafuar këdo që takon. I njohur a i panjohur qoftë. E rrethon me gjithfarë përkujdesjesh, thua se është i afërm i saj, prej një gjaku, i njohur kaherë. Veprimi tjetër i menjëhershëm i saj është të dijë ç’nevoja ka ai që po i qëndron përballë. Se mos ka diçka që e bën të vuajë. Jo më kot ‘Nana Loke’ e kanë quajtur kosovarët gjatë luftës së Kosovës, “Nënë Tereza e Triestes” e quajnë emigrantët shqiptarë në Itali. Emrin e vërtetë Vitore Stefa Leka, pakkush ia përmend humanistes me plot 37 medalje mirënjohjeje nga personalitete të vendit të saj dhe jo vetëm.
Trieste, nga rruga në shtëpinë e saj
Merr nga rruga e ço në shtëpinë e saj. Këtë ka bërë dhe bën vazhdimisht në Trieste në qytetin ku banoi që prej vitit ’90-të. Fillimisht për emigrantët shqiptarë, veçanërisht klandestinët, kur zbrisnin në Trieste e ishin njeri pa njeri. “Kërkoja shqiptarët që s’kishin një strehë ku të fusnin kokën, nëpër port, sa zbrisnin nga trageti apo duke fjetur nëpër stola, poshtë urës. Tek tragetet e dija që do të gjeja plot prej gjakut tim. Ishin pa strehë e bukë, pa një banjë ku të laheshin”, – thotë ‘Nënë Tereza e Triestes’, siç e quajtën më pas njerëzit që ndihmoi. Me aq sa mundej. Duke mbushur jo vetëm dhomat, por edhe korridorin e shtëpisë plot. “U shtroja një jorgan përtokë”.
“Kur nuk ia dilja me mundësitë e mia, vrapoja nëpër Kisha dhe kërkoja veshmbathje e ushqim atje”, tregon Vitorja.
Dyert hapur gjatë luftës në Kosovë
Është stërmbesë e Konstandin Kristoforidhit. Dhe fanse e Che Guevarës. D.m.th. nuk kishte si të mungonte ku ka përçapje për liri. Në luftën e Kosovës u hapi përsëri dyert e shtëpisë së saj ushtarëve të UÇK-së. Atyre që merrnin udhën nga të katër anët e diasporës dhe prisnin transit në Trieste, për t’u nisur drejt ‘tokës amë’. Për t’u falur të njëjtat përkujdesje dhe atyre. Nga kjo kosovarët i dhanë emrin ‘Nana Loke’.
“Dilja prapë te trageti, sepse e dija që aty do të ishte dikush që do të kishte nevojë për një strehë, orientim, fjalë të ngrohtë, barna”, – tregon.
Parrullë të sajën kishte: “Ju kam vëllezër më thirrni motër!” Por të tjerët e quajtën “nënë”.
“Nënë Tereza? Ajo ishte nëna e dashurisë së gjithë botës. Unë nuk e bëra për të imituar atë. Jam thjesht Vitorja”, – përgjigjet.
Kitara e ushtarit të vrarë të UÇK-së
Kush i ka numëruar sa njerëz ka ndihmuar?! As vetë ajo. Por më të pashlyerin në zemër ka ushtarin kosovar, që i vdiq në duar, kitarën e të cilit e mban ende varur në shtëpi. Si përshpirtje sa ishte gjallë i kushtoi edhe poemën ‘Mos të shuhet ajo shpresë”. Por shpresa iu shua. “Jo ajo për atdheun ama! Të rrojë Shqipëria!”, thotë ‘Nana Loke’.
“Ndihmova dhe fala vrasësin e babait tim”
Ishte një mes shumë të tjerëve. Ajo nuk e njihte djalin që po rrihte policia italiane. Me autoritetin që gëzonte në qytet, përpiqet ta ndihmojë. E merr në shtëpi. “Kur duhet ta përcillja dhe teksa ai i tha policisë emrin e babait të tij, u drodha e tëra. Ishte i biri i atij që kishte urdhëruar ekzekutimin e tim eti në gjyqet komuniste. Vetë i ati më ka marrë më pas në telefon dhe më falenderoi. Dhe…e fala. Nuk kemi ardhur në botë për të urryer. Ne shqiptarët jemi gjithsej sa gjysma e Milanos, por në vend që të ishim një, jemi gjysma me bukë, gjysma pa bukë, gjysma e korruptuar vjedh gjysmën tjetër”, thotë Vitorja.
Edhe Enver Hoxhën madje, shprehet se nuk ka të drejtë ta gjykojë. “Le ta gjykojë historia! Unë e kam hequr perçen e hakmarrjes”.
Shumë nga forcat që ka tani, i burojnë pikërisht si kundërpeshë ndaj shtypjeve dhe vuajtjeve në komunizëm. “Ato më bënë të kërkoja azil poltik në Itali në nëntor të ‘90-ës”. Dhe ndoshta ato e bënë këtë 70-vjeçare që është sot, qoftë për energjitë, e qoftë për bamirësinë.
Me insulinë në xhep
Kudo e kurdo që e thërrasin, merr rrugën e shkon, përpiqet me të gjitha fuqitë që ka. Edhe pse është plot 70 vjeçe dhe insulinën e mban me vete në xhep. Gjendet këto ditë në Tiranë, ku u zhvillua kongresi i parë i Albanian Women Network, ku ajo ka rolin e këshilltares.
Mirënjohja, a kthehet?
Të pakta kanë qenë mirënjohjet që i janë kthyer pas. E thotë në mënyrë simbolike: “Kam marrë pesë falenderime”. Nuk do që ta pyesësh gjatë mbi këtë: “Nuk e bëj për të marrë diçka në shkëmbim. Më del nga shpirti, siç më del poezia”
Pasioni për poezinë
Ka botuar librat me poezi: ‘La liberta’, ‘Jetoj ringjalljen’, ‘Vetmi e largësisë’, ‘Plagë shpirti”. Ka gati romanin ‘Rrethi i hekurt”, si dhe vëllimet “Novela dhe kujtime”, “Ne të dënuarit” etj. Është bashkëautore në disa antologji me poetë nga disapora. Pjesëmarrëse në shumë aktivitete poetike. Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve në Shqipëri.
Nga një familje e madhe
Stërmbesë e Kostandin Kristoforidhit dhe Gjergj Stefës (veprimtar në Lidhjen e Prizrenit). Bijë e Kostaq Stefës, Martir i Demokracisë, ish-nxënës i Harry Fultz, student në Firence, i pushkatuar nga regjimi komunist. Bijë e Eleni Stefës, “Mësuese e Popullit”, e cila feston në Itali 100-vjetorin e lindjes.
Magdalena Alla, Shekulli