in

Vjen shtatori, fillon shkolla

Në Shqipëri ka rënë sot zilja e parë e shkollës. Ndërsa në Itali kjo do të ndodhë kryesisht javën e ardhshme, sipas krahinave të ndryshme, që vendosin në mënyrë të pavarur ditën e parë të shkollës për fëmijët e adoleshentët që jetojnë në territorin e tyre. Shkarko këtu kalendarin shkollor 2010-2011

Romë 6 shtator 2010 – Në mbarë Shqipërinë ka nisur sot viti i ri shkollor 2010-2011 për sot 645 mijë nxënës, prej të cilëve 42 mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Këtë vit për nxënësit do të jetë më e thjeshtë pajisja me librat shkollorë, pasi do të shpërndahen pranë shkollave me një afat të përcaktuar deri më 15 shtator.

E në Itali? Këtu fillimi i shkollës varet nga krahinat, dhe kush më shpejt e kush më vonë, në të gjitha shkollat fillojnë në shtator. Të parët ulen në bankat e shkollës fëmijët e adoleshentët e provincës autonome të Trentos, më datë 9 dhe të fundit ata të Abruzzos dhe Ligurias më 20 shtator. Pjesa dërrmuese e krahinave kanë zgjedhur si ditë të parë të shkollës datën 13 shtator, Campania, Sardegna dhe Toscana datën 15, dhe Basilicata, Marche dhe Sicilia datën 16 shtator. Thuajse në të gjitha krahinat viti shkollor do të mbarojë në datën 11 qershor 2011, me ndonjë përjashtim si Marche e Puglia që e mbyllin më 8 qershor, Veneto më 9 qershor, Liguria më 15 dhe provinca e Bolzanos më 16 qershor.

Ndryshojnë pak nga krahina në krahinë edhe pushimet për Krishtlindje dhe ato për Pashkë, ndërsa datat kur të gjitha shkollat do të jenë mbyllur janë:

– të gjitha të dielat (bien ditë e diel edhe datat festive të 26 dhjetorit 2010 dhe e 1 majit 2011);
– 1 nëntori, festa e të gjithë Shenjtëve;
– 8 dhjetori, Ngjizja e Panjollë e Virgjëreshës së Bekuar Mari;
– 25 dhjetori, Krishtlindje,
– 1 janari, Viti i Ri;
– 6 janari, Epifania;
– e hëna pas Pashkëve, që përputhet me 25 prillin 2011, festën e Çlirimit;
– 2 qershori, festa e Republikës;
– festa e Pajtorit (shenjti mbrojtës) të qytetit

Ja kalendari i vitit shkollor 2010-2011 në Itali:

Lexo edhe: Brezat e dytë, të parët e klasës

Star Airways anulon fluturimet, asnjë lajmërim për pasagjerët

X Factor 4, Dorina Leka mes 12 konkurrentëve