in

Vota e emigrantëve ndez akuzat reciproke mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri

Ndërsa Rama akuzon mazhorancën se ka frikë nga vota e emigrantëve, Berisha thotë se është Rama ai që po bllokon votat e emigrantëve. Po a është vënë ndonjëherë në rend të ditës në Kuvend diskutimi mbi votën e mëse 1,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë?

Romë, 2 maj 2013 – Në këtë prag zgjedhjesh në Shqipëri, forcat politike kujtohen për emigrantët. Opozita premton se pasi ajo të marrë pushtetin emigrantët  do të votojnë atje ku janë, nga ana tjetër mazhoranca thotë se pikërisht për shkak të opozitës emigrantët nuk mund të votojnë që tani atje ku jetojnë.

Edhe gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri ka sulmuar kreun e opozitës duke e akuzuar se po bllokon ligjin për votimin e emigrantëve në vendet ku jetojnë. Sipas Berishës, lejimi i votës së emigrantëve do ishte një shenjë respekti dhe e drejtë e patjetërsueshme e tyre. Ai u shpreh se “Mosvotimi i emigrantëve s`ka asnjë shkak të vetëm përveç fobinë që ka kreu i opozitës ndaj votës së tyre. Qeveria ka qenë dhe është aktualisht e gatshme t’u krijojë atyre mundësinë e votës online dhe në çdo formë tjetër që do të pranojë opozita me qëllim që ky detyrim që e përmbushin të gjitha vendet të përmbushet edhe nga Shqipëria. Qeveria është e gatshme të mobilizojë çdo fond, të përshtatë çdo teknologji të sigurisë së lartë që ekziston në mënyrë që vota e çdo qytetari të ketë peshën që meriton. Por kjo nuk pranohet nga opozita sikundër nuk u pranua votimi i 16-vjeçarëve të cilët kanë filluar të votojnë në kombet me moshë mesatare shumë herë më të lartë se kjo e jona”.

Vetëm një javë më parë, e njëjta çështje ka ndezur gjakrat në Vjenë, ku Rama ka debatuar ashpër (sipas mediave shqiptare, është grindur verbalisht e fizikisht) me një diplomat shqiptar atje, Egin Cekën, të birin e ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka.

Duke dëgjuar këto akuza të ndërsjellta, lind natyrshëm pyetja: a është vënë ndonjëhreë në rend të ditës zgjidhja e këtij problemi në Kuvend apo në Qeveri? PD bashkë me LSI-në kanë qeverisur për katër vjet, pse nuk e kanë shtruar asnjëherë si përparësi? E njëjta gjë vlen edhe për PS-në që edhe pse në opozitë, mund ta shtronte zgjidhjen e kësaj çështjeje në Kuvend. PS e PD kanë ndryshuar brenda natës kushtetutën, kur u është dashur. Por me sa duket nuk janë kujtuar gjatë këtyre legjislaturave që t’u bëjnë të mundur emigrantëve ushtrimin e të drejtës së votës atje ku janë.

Sot, kur më pak se dy muaj e ndajnë vendin nga zgjedhjet, ky interes ndaj shqiptarëve jashtë Vendit dhe rëndësia që i jepet nevojës se duhet të votojnë atje ku janë bien era interes elektoral e demagogji. Ashtu si herët e tjera, zgjedhjet do të mbahen edhe pa emigrantët. Disa prej tyre do të kthehen në atdhe për të votuar (të bindur për rëndësinë e votës së tyre apo sepse partia për të cilën do të votojnë u ka premtuar shpenzimet e rrugës), ndërsa shumica do të vazhdojnë të jenë të pranishëm vetëm formalisht në listat zgjedhore në vendlindje. Ndoshta do i ndjekin me interes zgjedhjet si spektatorë të një shfaqjeje ku vetëm figurojnë në afishe si aktorë, por që askush nuk u jep mundësinë të ngjiten në skenë. Në një skenë ku edhe pas katër vjetësh, muzika ndoshta do të jetë e njëjta.

Urojmë ta kemi gabim, por siç thuhet në Itali, “a pensare male si fa peccato, ma spesso ci si azzecca”, që shqip është pak a shumë “të mendosh keq bën mëkat, por shpesh i bie në të”.

Shqiptari i Italisë

Lexo edhe: Zgjedhës në mërgim

The Voice of Italy. Sonte radha e Elhaida Danit

Elhaida Dani fiton e vazhdon garën në The voice of Italy (VIDEO)