“Asgjë nuk më kthen buzëqeshjen e djalit, mirësinë, zemërgjerësinë e tij, por unë shpresoj në një drejtësi hyjnore dhe drejtësi tokësore”.
Igli Meta pas pranimit të krimit të rëndë, përmes avokatit të tij, i kërkoi falje familjes së 17-vjeçarit Por nëna e këtij të fundit, Debora Lulli, me të drejtë, shprehet se sot në ditën e varrimit të djalit, “nuk është çasti për të pranuar ndjesën e vrasësit”. Ajo nuk beson në sinqeritetin e vrasësit se “vrasja ka ndodhur ngaqë situata u ka dalë nga duart Igli Metës dhe Marjo Memës”. “Asgjë nuk më kthen buzëqeshjen e djalit, mirësinë, zemërgjerësinë e tij – thotë ajo – por unë shpresoj në një drejtësi hyjnore dhe drejtësi tokësore”.
“Ç’fund të tmerrshëm pësuan ëndrrat e tim biri! – shprehet Debora Lulli – Më kish thënë se në shtator do të fillonte të studionte mirë: donte të bëhej shef kuzhine ose karabinier. I pëlqenin të dyja profesionet, akoma nuk e kish vendosur ç’të zgjidhte”.
“Gjithnjë i kisha thënë të bënte kujdes me miqësitë që zinte, po ai më siguronte gjithnjë “mos u bëj merak, rri me djem të mirë”, e megjithatë unë ngulja këmbë duke i kujtuar se asnjëherë nuk mund t’i besosh kujt tjetër deri në fund” thotë tani me hidhërim e ëma përballë tragjedisë që nuk mund t’i urohet as hasmit.
“Më vjen shumë turp për atë që ka bërë im bir. I kërkoj falje familjes së djalit të vrarë, u kërkoj falje të gjithë italianëve, im bir nuk duhet ta bënte këtë gjë” thotë sot mes lotëve edhe i ati i Iglit, Artur Meta, në Sky tg24 që nuk arrin të shpjegojë krimin e të birit.