Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Fabrizio Morandin, 35 vjeçarin nga Modena për vrasjen me paramendim të Nikolla Ekonomit dhe të Shkëlzen Allkës në shtator të 2009-tës
Sipas akuzës, Morandi ishte bashkëpunëtor me viktimat në trafik droge, dhe u kishte borxh atyre një shumë parash që nuk mund t’u kthente. Për këtë arsye ka organizuar vrasjen e tyre.
Dy shqiptarët u gjetën të vdekur në një makinë Fiat Punto në një kanal në Caselle Crevalcore në provincën e Bolonjës, dy javë pas vrasjes. Ekonomi ishte qëlluar me dy plumba, një pas qafe e një në ballë, ndërsa Allka me një plumb pas qafe.
Nga kontrollet e tabulateve të celularëve të viktimave dhe të Morandit, hetuesit arritën në përfundimin se ata ishin bashkë deri një orë para se makina me trupat e pajetë të shqiptarëve të hidhej në kanal. Kur është arrestuar, Morandit i janë gjetur edhe skeda telefonike e përdorur nga dy shqiptarët.
Morandi nuk e ka pranuar vrasjen, madje në gjyq ka thënë se të gjitha deklaratat i ka lëshuar sepse është ndier i kërcënuar nga policët.
Tashmë pritet që gjykata e Bolonjës për krimet e rënda të japë vendimin e saj.