Simone Barontini, 51 vjeç ishte dënuar fillimisht me një vit e katër muaj burg për vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Lavdnir Lani që po i vidhte shtëpinë. E ka qëlluar gjashtë herë me pistoletë, tri nga të cilat ndërsa Lani largohej shkallëve, e megjithatë për gjykatën e Apelit reagimi i Barontinit konsiderohet mbrojtje e ligjshme
Romë, 27 shtator 2012 – Qëlloi gjashtë herë me pistoletë duke lënë të vdekur një hajdut që i kishte hyrë në shtëpi në zemër të natës. Më 26 shtator Gjykata e Apelit e Firences i ka njohur pafajësinë të pandehurit sepse sipas saj ai ka vepruar “për mbrojtje të ligjshme”.
Gjyqi i referohej një ngjarjeje që ka ndodhur natën e 26 majit 2008, kur Simone Barontini, 51 vjeç, sipërmarrës nga Fucecchio e Firences, u zgjua nga zhurmat. Në dhomë ishte një hajdut, 31-vjeçari Lavdnir Lani, të cilit i hidhet kundër. Në një çast, Barontini nxjerr një pistoletë e qëllon gjashtë herë mbi 31-vjeçarin, tri herë ndërsa ai ishte në dhomë e tri herë të tjera, ndërsa ai po largohej me vrap shkallëve të shtëpisë (dhe këto të fundit e kanë lënë në të vdekur në vend shqiptarin).
Në prill të vitit 2010 Barontini u dënua në shkallë të parë me një vit e katër muaj burg pasi sipas gjykatësve të atëhershëm e kishte tepruar me mbrojtjen e ligjshme. Prokurori apeloi vendimin dhe kërkoi në gjykatë të Apeit që i pandehuri të dënohej me 11 vjet burg për vrasje me dashje, ndërsa avokati mbrojtës i Barontinit kërkonte pafajësinë e klientit pasi akti i tij ishte i justifikuar nga “mbrojtja e ligjshme”. Këtë tezë pranuan edhe gjykatësit që dje i njohën Simone Barontinit pafajësinë e plotë.
Pas dhënies së vendimit, avokati i tij D’Orzi ka përmbledhur kështu arsyet për të cilat kishte kërkuar pafajësinë: “Isht ora katër e mëngjesit dhe hajduti kishte hipur në kat të dytë të shtëpisë ku janë dhomat e gjumit. Ishte e qartë që mund të kishte sulmuar po të zbulohej. Kur Barontini u zgjua dhe e pa, iu duk se kishte diçka në dorë e mendoi se mund të ishte armë. Vetëm më pas u zbulua që ishte celular. Me një fjalë ekzistonin të gjitha kushtet që klienti im të perceptonte rrezik objektiv për vete e familjarët e tij”.
Lexo edhe:
Gjashtë vjet burg sipërmarrësit që në 2006 vrau Elvis Hoxhën, 19 vjeç
Shënjestër
Kushëriri nga Amerika