in

Vrau hajdutin që i hyri në shtëpi, për prokurorinë është i pafajshëm

“Ishte vetëmbrojtje e ligjshme” pranon prokurori që kërkon mbylljen e gjyqit ndaj tregtarit që vrau Valentin Frrokajn

Romë, 13 shtator 2016 – “I qëlloi hajdutit për vetëmbrojtje të ligjshme”. Tani e pranon zyrtarisht edhe prokuroria që e kish hedhur në gjyq për vetëmbrojtje të tepruar. Është fjala për tregtarin argjendar Rodolfo Corazzo që nëntorin e shkuar vrau të dënuarin me burgim të përjetshëm dhe të arratisur dy herë nga burgu, 37-vjeçarin Valentin Frrokaj, që bashkë me dy të tjerë i kishte hyrë në shtëpi për ta vjedhur.

“Doja vetëm të mbroja familjen”. Kështu u shpreh gjithnjë para karabinierëve e më pas në prokurori Rodolfo Corazzo, argjendari tregtar 53 vjeç, sa herë ka bërë rindërtimin e dinamikës së ngjarjes së 24 nëntorit 2015 në vilën e tij në Rodano të Milanos. Tregoi se ishte kthyer nga puna me motor e se kur kish hapur portën prej hekuri të shtëpisë kishte kuptuar që pas krahëve kishte tre vetë. Në shtëpi kishte të shoqen dhe vajzën 10 vjeçe. Banditët e detyruan të hynte në shtëpi e menjëherë më pas të çaktivizonte sistemin e video-mbikëqyrjes. Më pas e kishin rrahur në sy të të shoqes dhe të bijës. Corazzo deklaroi se duke menduar për gruan e vajzën, u përpoq të gjente një rrugëdalje ndaj u propozoi banditëve t’u jepte gjithçka kishte e kështu po bënte. Por situata degjeneroi e në një çast kanë nxjerrë armët e kanë hapur zjarr. Edhe Corazzo ka nxjerrë armën që mbante me leje dhe qëlloi njëherë në ajër si për t’i trembur, por kur pa se bandiëve nuk iu drodh qepallë, qëlloi mbi njërin prej tyre, gjë që mesa duket grabitësit nuk e kishin menduar dhe kur kanë parë njërin prej tyre të shtrirë në tokë, dy të tjerët ia mbathën.

Versioni i tij që në fillim u duk i besueshëm nga prokuroria që gjithsesi e hodhi në gjyq për mbrojtje të tepruar. Tani që rrëfimi i tregtarit është vërtetuar plotësisht nga hetimet e verifikimet teknike, prokuroria i ka kërkuar gjykatës mbylljen e çështjes gjyqësore.

 

 

 

Si bëhet njohja e diplomave të huaja të studimit në Itali

“Pyesni Konsullin”, Ambasada e ShBA-së u përgjigjet qytetarëve shqiptarë