in

Xhilda Lapardhaja: “Sofia Loren dhe unë”

Nga mesi i marsit do ta shohim në filmin televiziv me dy seri “Shtëpia ime është plot pasqyra” krah Sofia Lorenit dhe Margareth Madèsë. Në një intervistë dhënë Botës Shqiptare, Xhilda rrëfen emocionet e dy muajve xhirime, me një prej yjeve të kinematografisë botërore. Por edhe jetën e saj të përditshme, me pikëpyetjet që ngrenë shumë bij emigrantësh, që edhe pse jetojnë njësoj si bashkëmoshatarët e tyre italianë e me Shqipërinë në adn, jo rrallë ndihen të huaj këtu e të huaj në atdhe

lapardhaja.gifXhilda vjen pak minuta përpara orarit që kishim lënë, e qeshur si gjithnjë, e veshur thjesht, xhinse, bluzë pambuku dhe xhup e shall rreth qafe. Flokët të mbledhur pas koke dhe syza dielli, pa pikë makiazhi në fytyrë. Në dorë një libër të Galimbertit dhe një kopje të të përditshmes Il fatto quotidiano. “Është e vetmja gazetë që më pëlqen të lexoj kohët e fundit” të thotë dhe nuk rrimë dot pa thënë dy fjalë për politikën italiane dhe veçanërisht për çiftin Berisha-Berlusconi.

Xhilda Lapardhanë, aktoren e re shqiptare do ta shohim këtë muaj të recitojë përkrah Sofia Lorenit në filmin tv me dy seri “La mia casa è piena di specchi”. Në film, Xhilda luan rolin e të motrës së Sofias, ndërsa Sofia rolin e të ëmës së vet.

E ka të vështirë të të flasë për veten, të japë intervistë. Të thotë natyrshëm që kur është në rol ndihet e legjitimuar të thotë e të bëjë gjithçka, por kur vjen puna të flasë rreth punës së saj nuk e ka të lehtë. “Kjo është e bukura e punës sime. Hyj nën lëkurën e shumë personazheve, dhe kur i luaj, nuk është më Xhilda Lapardhaja që bën apo thotë diçka, por është personazhi im. Është një gjë e mrekullueshme. Kam vënë re e habitur dhe disi e trembur në fillim, se kur jam në rol kapërcej kufijtë e vetes sime.

Edhe pse nuk e ka për herë të parë të punojë krah një ylli të kinemasë, flet me pasion dhe e emocionuar për dy muajt e xhirimeve të këtij filmi, gjatë të cilëve nuk mund të mbetej indiferente ndaj sharmit të Lorenit. “Ditën e parë më djersinin duart” tregon Xhilda, që shton menjëherë se me kalimin e ditëve ka mbetur e habitur nga puna e palodhur, thjeshtësia, zemërgjerësia e dashamirësia e aktores së madhe, gjë që ndoshta nuk e priste. Tregon e dëfryer se në sheshxhirim, duke qenë se ka punuar shpesh me të njëjtin regjisor, e kanë trajtuar të gjithë, nga Sofia deri te operatori i fundit, si të ish vogëlushja e grupit.

Por sot nuk ndihet më e vogël. Punon prej mëse dhjetë vjetësh, Xhilda. Ka bërë teatër, filma kinematografikë dhe televizivë, me regjisorë e aktorë të njohur. Nga seriali “Un medico in famiglia” kur ishte ende e mitur deri te filmi i fundit me Sofia Lorenin, duke kaluar nëpër punë me Paolo Villaggion apo të Toni Negrit në teatër, apo në pjesëmarrje edhe të vogla në filma të regjisorëve të njohur si Abel Ferrara, apo në filma televizivë të suksesshëm si L’ispettore Coliandro, La squadra, Distretto di Polizia etj. Për L’ispettore Coliandro ka marrë edhe një çmim për Talentin e Ri Italian.

Talenti italian? Vërtet, ç’është Xhilda italiane apo shqiptare? Ka ardhur këtu kur ishte e vogël, ka studiuar dhe ka punuar këtu (edhe në Zvicër, ndonjëherë). Por siç tregon vetë, edhe sot e kësaj dite nuk është qytetare italiane, i duhet akoma të përtërijë lejen e qëndrimit. Ndërkaq në Shqipëri gjatë këtyre 16-17 vjetëve që jeton këtej, ka shkuar rrallë, “ndoshta pesë herë” thotë ajo. Dhe si shumë të rinj të emigruar të vegjël apo të lindur këtej, i vjen natyrshëm të të flasë italisht. Edhe pse kupton shqip, e ka të vështirë të të flasë gjatë gjithë intervistës në “gjuhën e nënës”. Madje edhe ajo ka atë problemin, që vërehet te të rinjtë e rritur jashtë, të theksave të vënë keq, të ë-ve të vëna vend e pavend, të renditjes së fjalëve në fjali në mënyrë të çuditshme. Qesh kur ia vë në dukje këto dhe e pranon që është kështu. Por nga ana tjetër të përgjigjet në një italishte të pastër e të pasur, që nuk i ka zili asgjë një moshatari të saj italian. Edhe pse bën gjithçka që do të bënte po të kish lindur në Itali, edhe pse në përgjithësi të qenit e huaj nuk e ka penguar në punën e saj apo në marrëdhëniet me të tjerët, thotë disi me keqardhje se tani po kupton ç’do të thotë “i paatdhe”. “E huaj këtu, e huaj edhe kur shkoj në Shqipëri!” E megjithatë Shqipërinë e ka në zemër, “në ADN”. Por duke buzëqeshur të thotë se ndoshta është kaq patriote, kaq e dashuruar me vendlindjen sepse nuk e njeh mirë, sepse e idealizon atë, sepse i kanë mbetur në mendje profumet dhe vendet e fëmijërisë, që sot nuk do t’i gjente më në Shqipërinë e sotme.

Por mesa kuptoj, këtu Xhilda është e huaj vetëm kur i duhet të përtërijë dokumentet, apo kur ajo vetë thotë që është shqiptare e atij që ka përpara “i dridhet pak syri”. Hiq këto situata, ajo jeton njësoj si moshatarët apo kolegët e saj italianë, dhe do këtë vend me gjithë zemër. “Nuk do ta ndërroja Romën me asnjë vend tjetër në botë”, të thotë. Por nga ana tjetër Xhilda është edhe bukuroshja që kur Dino Risi i propozon të ndërrojë emrin në “Gilda Lapàr” i përgjigjet maestros “Jo, faleminderit!”. (ke.bi.)

Intervista

lapardhaja_loren.gifSapo ke bërë një film me Sofia Loren, si është të punosh me yll të kinematografisë si ajo?

Po, kam punuar për dy muaj me Sofia Loren, thuajse të gjitha skenat i kisha me të. në këtë filmin televiziv të RaiUno-s me titull “La mia casa è piena di specchi”. Filmi televiziv me dy seri, sipas librit me të njëjtin titull i motrës së Sofia Lorenit, Maria Scicolone-s, trajton historinë e tri grave: të mamasë së Lorenit, dhe të dy vajzave të saj, Sofia dhe Maria. Mamanë e luan vetë Sofia, rolin e Sofias kur ishte e re e luan aktorja Margareth Madè ndërsa unë luaj rolin e të motrës, Marias.

Dhe praktikisht të gjitha skenat që xhiroja i kisha me Lorenin. Ditën e parë nuk arrija t’i shqisja sytë prej saj. E ke të vështirë të besosh që po punon krah një ylli. Je rritur me mitin e saj, i ke parë shumë filma si “La Ciociara”, “Matrimonio all’italiana”, “L’oro di Napoli”. Ka shkruar vërtet historinë e kinemasë. Lexoja kinematografinë e Lorenit, ka punuar me të gjithë më të mëdhenjtë, aktorë e regjisorë. Dhe e sheh sot, shtatëdhjetepesë vjeçe dhe është e mrekullueshme, bel-hollë, shtatlartë e kokëlartë. Ditën e parë mbeta vërtet gojëhapur. Ishte një privilegj i madh për mua që m‘u dha mundësia të punoja me aktoren e madhe Sofia Loren. Është një aktore e madhe dhe grua me ironi të hollë që e zbukuron edhe më figurën e saj.

A ishte siç e prisje? Zakonisht dashurohesh me një artist nga punët e tij dhe krijon një imazh të idealizuar të tij e ndonjëherë mbetesh i zhgënjyer kur e njeh nga afër…

E dija që është një aktore e madhe, e zonja qoftë për komedinë all’italiana qoftë për filmat dramatikë, që ka bërë historinë e kinemasë. Por nuk njihja, për shembull, anën e saj ironike, zemërgjerësinë dhe thjeshtësinë e saj në punë. Është shumë shumë e thjeshtë. Vinte në mëngjes në sheshxhirim e përshëndeste vërtet të gjithë, nga i pari deri te i fundit, gjë që zakonisht aktorët nuk bëjnë. Shkojnë direkt e te regjisori, drejtorin e fotografisë e pikë. Ndërsa ajo ishte shumë e sjellshme me të gjithë, dhe në fakt e adhuronin të gjithë. Një tjetër gjë që nuk e pret nga një aktore e madhe: zakonisht kur të takon të xhirosh një skenë me një aktore të madhe si partnere, nëse ajo nuk filmohet, pra nuk del në ekran, është kontrofigura apo dikush tjetër që thotë batutat e saj që ti të vazhdosh me të tuat; kurse ajo qëndronte gjithnjë në sheshxhirim, më jepte batutat edhe kur nuk inkuadrohej nga telekamera. Ndoshta ishte edhe e lodhur pas tetë orëve xhirim, e megjithatë qëndronte deri në fund. Zemërgjerë dhe profesioniste. Por megjithatë shumë e mbyllur, e përmbajtur. Nuk dua të ngatërrohet zemërgjerësia në punë me familjarizimin me dikë. Sofia nuk të jepte atë afri, atë intimitet që mund të kesh me një koleg më të ri.

Megjithatë me mua ka qenë shumë zemërgjerë, madje u krijua edhe një atmosferë e ngrohtë mes nesh, diskutonim mbi skena të ndryshme, shprehnim këndvështrimet tona. E të punosh me dikë për dy muaj, përditë, nuk është pak. Ditën e parë më djersinin duart, por me kalimin e ditëve dhe falë saj që sillej në mënyrë të tillë që të mos më rëndonte që ajo ishte Sofia Loren, ndihesha gjithnjë e më rehat.

Kisha edhe kolegë të tjerë, shumë të zotët: me Margareth punova shumë pak, vetëm për nja dy skena. Raffaele Esposito, që luan tim shoq, është aktor shumë i mirë teatri; Enzo Decaro që luan babanë tim është person shumë dëfryes në sheshxhirim. Ishim vërtet një grup i mirë. Për më tepër, me regjisorin Vittorio Sindoni punoj që kur isha 15 vjeç, ky duhet të jetë filmi i shtatë a i tetë që bëj me të. Praktikisht është ai që më ka zbuluar, që më ka rritur në këtë profesion. Dhe duke qenë se ai punon pak a shumë me të njëjtët njerëz, ishim si në një familje… Dhe jam gjithnjë më e vogla, e megjithëse sot kam kaluar 25 vjeçët, në sheshxhirim më thërrasin të gjithë “la bambina”. Edhe Sofia Loren, kur regjisori ngrinte zërin, menjëherë i fliste: “Mos iu drejto me këtë ton vogëlushes!”. Le të themi që të gjithë më dilnin në mbrojtje, si të isha vërtet fëmijë.

decaro_loren_lapardhaja.gifKe një curriculum mjaft të pasur për moshën. Punon shumë…

Nuk më duket… E vërtetë që mbahem me filma e teatër por nuk kam edhe aq shumë punë.

Pjesa më e madhe e personave që bëjnë punën time (por nuk them të gjithë) mbahen nga familja, apo kanë një mirëqenie që u lejon të jetojnë edhe pa pasur një rrogë, dhe kjo punë është thuajse një hobby për ta. Është e vërtetë që ka qenë gjithnjë kështu, që arti nuk të jep para, por është edhe e drejtë që artisti të paguhet për atë që bën. Unë jam krenare që arrij të mbahem me këtë punë sepse në njëfarë mënyre kjo tregon që e bëj seriozisht, nuk e kam thjesht një pasion timin, por diçka të rëndësishme për jetën.

Përveç Sofia Lorenit edhe në të shkuarën ke punuar me artistë të mëdhenj, aktorë e regjisorë. Ke bërë teatër me Paolo Villaggion, për shembull, ke luajtur një pjesë në një film të Abel Ferrarës, ke pasur në krah aktorë të njohur. Ç’mund të na thuash për këto eksperienca?

Kam qenë në turne për gjashtë muaj me Villaggion me pjesën “Delirio di un povero vecchio”. Kam qenë shumë e vogël, sapo kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, dhe ajo eksperiencë, edhe pse përpara kisha bërë ndonjë gjë për televizionin, ka qenë e para e rëndësishme e jetës sime. Për mua ka shënuar një rritje qoftë nga pikëpamja profesionale qoftë nga ajo njerëzore. Villaggio është vërtet ‘një mostër i skenës’, në kuptimin që sapo hyn në skenë arrin të tërheqë mbi vete sytë e vëmendjen e të gjithëve në sallë. Të shohësh sesi sallat e mbushura edhe me njëmijë vetë ndjekin për dy orë rresht një person të vetëm është fantastike. Ai di si të bëjë për vete publikun.

Në spektaklin me Villaggion kuptova ç’do të thotë ‘marrësh’ nga të tjerët, nga ana profesionale e kam fjalën, të vëzhgosh, të observosh e të fillosh dalëngadalë të marrësh nga të tjerët: “ah, kjo u bëka kështu, ky mekanizmi funksionon, ky tjetri jo…”. Natyrisht këtë e bëja pa vetëdije, më vonë arrita ta përpunoja e të isha e vetëdijshme për këtë gjë.

Nga ana tjetër ky turne më rriti edhe nga ana njerëzore: ishte herë e parë që për një kohë të gjatë largohesha vetëm nga shtëpia ndaj kisha edhe përgjegjësinë që të përballesha vetëm me përditshmërinë. Të njihesh çdo ditë me njerëz të rinj, të punosh me të tjerë, pa pasur më filtrin mbrojtës të prindërve, sipas meje të ndihmojnë të rritesh si njeri, të bëhesh i vetëdijshëm për rrethana që në adoleshencë ndoshta nuk i vëren shumë. Aq më tepër unë që bëja jetë mjaft të mbyllur: studioja balet atëherë e jeta ime ishte vetëm shkollë-balet-shtëpi.

Të gjithë eksperiencat që kam bërë, të bukura apo jo, të rëndësishme apo jo, që të gjitha më kanë lënë diçka, më kanë pasuruar nga ana profesionale. Unë jam shumë kureshtare, jam si një sfungjer e marr nga të gjithë diçka, në të mirë e në të keq, ndaj edhe them që të gjitha përvojat që kam bërë nga më e vogla deri te ajo më e rëndësishmja më kanë dhënë diçka.

lapardhaja_loren2.gif

Ke bërë teatër, filma televizivë e për ekranin e madh. Cilin zhanër pëlqen më shumë?

Më pëlqen më shumë teatri, pastaj kinemaja dhe televizioni. Ky i fundit të bën të njohur, kinemaja të jep paratë (por jo aq shumë sa mendohet), ndërsa teatri të jep një kënaqësi të rrallë. Por janë tri gjëra krejtësisht të ndryshme. Në teatër ti punon mbi një tekst, i jep ngjyrimet e tua tekstit të zgjedhur nga regjisori. Jo vetëm, çdo natë i jep interpretimit një nuancë të re, njeh përditë e më mirë personazhin tënd dhe veten tënde, ke një afri me publikun që në njëfarë mënyre ndikon në interpretimin tënd. Çdo replikë e të njëjtës shfaqje është një ankth e emocion i veçantë, është një magji që përsëritet ditë pas ditë. Në film është ndryshe, personazhin e përpunon përpara, dhe ajo që arrin të japësh në ciak-un që zgjidhet për t’u montuar mbetet përgjithmonë. Por edhe mes filmit televiziv dhe atij për kinema ka shumë ndryshim: për të parin punohet me ritëm shumë më të lartë, ndoshta edhe në dëm të kujdesit për interpretimin, fotografinë, dritën apo tjetër. Për televizionin “vrapohet” më shumë se për një film kinematografik.

Ke refuzuar ndonjë punë?

Po, ndonjë punë për televizion edhe e kam refuzuar. Kur nuk më ka pëlqyer fare e kur paga nuk ka qenë e mirë: sepse kur mendoj qiranë në fund të muajit, kam pranuar edhe punë që nuk më kanë bindur shumë por që paguheshin mirë. Nga ana tjetër, kur një pjesë më pëlqen, punoj edhe për dy para apo falas, pasi kur puna që bën të pëlqen në njëfarë mënyre të shpërblen shpirtërisht, të bën “më të bukur”. Nuk gjej dot fjalë tjetër, sipas meje zbukurohesh kur bën diçka që të pëlqen.

Xhilda, je ndër ata shqiptarë që praktikisht janë rritur jashtë vendit të tyre: janë larguar nga Shqipëria me familjet e tyre kur ishin ende të vegjël e janë shkolluar e punojnë në vendet që zgjodhën prindërit e tyre. Si ndihesh sot këtu?

Po është e vërtetë që kam ardhur dhjetë vjeçe në Romë, por në radhë të parë dua të them që u jam mirënjohëse prindërve të mi që lanë gjithçka dhe për të ardhmen tonë, timen, të motrës dhe të vëllait, erdhën në Itali ku menduan se do të mund të kishim më shumë mundësi.

Është e çuditshme ajo që provoj sot. Këtu nuk më mungon asgjë, por tani që jam e rritur kuptoj ç’do të thotë apolid, i paatdhe, sepse e përjetoj vetë. Jetoj këtu prej një jete por nuk jam italiane. Ndërsa ato rrallë herë që shkoj në Shqipëri e ndiej veten të huaj edhe atje, fizikisht nuk e njoh Shqipërinë. Jam shqiptare 100%, besoj se të gjithë ne kemi brenda vetes kulturën shqiptare të shekujve, kemi shqiptarinë në gjak, në ADN. Si të të them, kur flasim mes shqiptarësh për një argument merremi vesh menjëherë e dimë ku kërkon të dalë tjetri; të njëjtin argument ta diskutosh me një italian është ndryshe. Por problemi im është që nuk e njoh Shqipërinë e sotme, shkoj atje e ndihem e huaj. Edhe gjuhën për shembull, e flas, e kuptoj, lexoj në shqip por nuk arrij të shprehem. Flas me struktura të thjeshta si të isha në shkollë fillore, me një fjalë nuk jam e zonja të flas seriozisht mbi një argument.

lapardhaja2.gif

Këtu u fute në shkollë sa erdhe. A kishte shumë ndryshim më shkollën që le atje? E pate të vështirë?

Në Shqipëri ndiqja liceun artistik për balet dhe flaut dhe kur erdha këtu u regjistrova në shkollë për balet. Shkolla jonë artistike është aq e mirë sa më kujtohet që këtu, në Akademinë kombëtare të baletit, deshën të më fusnin dy vjet më lart se klasa që ndiqja në Tiranë për përgatitjen që kisha. Në fakt baleti për mua ishte një angazhim serioz, unë mendoja që baleti do të ishte e ardhmja ime, ndërsa këtu pashë që moshataret e mia e kishin më shumë si një hobby, si justifikim për t’u kënaqur e për t’u krenuar “Ua mami, sa bukur, bëj balet!”, studionin por kur të rriteshin, ndoshta, nuk mendonin të bëheshin balerina. Edhe mua më pëlqente shumë baleti por e merrja më seriozisht, për mua baleti ishte punë e mund për tetë orë në ditë, për të arritur objektivin tim.

Në lëndët e tjera shkollore, fillimisht kisha vështirësi sepse nuk njihja gjuhën, por për nja dy-tre muaj, duke shkuar përditë në shkollë, duke ndenjur mes fëmijësh italianë e duke studiuar e mësova shumë mirë e nuk e kisha më atë problem. Sot mund të them që flas mirë italisht, përdor mirë foljet, në mënyrën e kohën e duhur, por mund të them që duhet të kisha studiuar pak më shumë gramatikë. E megjithatë nuk kam probleme me gjuhën edhe për faktin që lexoj shumë, më pëlqejnë librat.

Si kalove nga baleti te aktrimi?

Ndërsa ndiqja akademinë për balet kur isha 15 vjeç mes nxënësve kërkuan dikë për një rol në një film dhe më zgjodhën mua. Kinoprova shkoi keq sepse theksi im prej të huaje ndihej shumë. Nuk di sesi kinoprova dhe fotot e mia i ranë në dorë një agjencie që më telefonoi e më pyeti nëse më interesonte të bëhesha aktore. “Joooo, faleminderit!” ishte përgjigjja ime. Më ranë pas për dy-tre muaj. Ndryshova mendim vetëm kur më thanë “punon pak e fiton shumë” [qesh me të madhe Xhilda]. Isha 15 vjeçe dhe kur më thanë kështu, vërtet iu përgjigja “Ok, ta mendoj njëherë”. Pas një muaji që rrija te kjo agjencia, më bënë një kinoprovë për “Un posto al sole” e më morën menjëherë. Kështu nisa të merresha edhe me aktrim. Kur u detyrova për arsye shëndetësore të hiqja dorë nga baleti, vendosa t’i futesha seriozisht aktrimit ndaj ndoqa edhe një shkollë private pranë një teatri, pastaj edhe një kurs diksioni. Por çuditërisht kur fillova të merresha seriozisht, kishte më pak punë se sa kur luaja ndonjë rol për qejf! Kishte diçka që nuk shkonte… [qesh].

Ke hasur vështirësi si e huaj?

Në jetë sigurisht më shumë se unë mund të kenë hasur probleme prindërit e mi. Por edhe problemet varen nga njerëzit që takon. Ka shumë nga ata që nuk tremben aspak nga ai që është ndryshe, përkundrazi, e shohin si mundësi pasurimi të brendshëm miqësinë e një të huaji. Dhe ka nga ata që kanë dyshimet e tyre ndaj atyre që kanë tjetër kulturë, prejardhje.

Racizmin drejtpërdrejt nuk e kam ndier por gjithsesi më bezdisin jashtë mase shprehje të tipit “Ua, vërtet? Nuk dukesh fare si shqiptare!”. Jam e sigurt që kush më thotë kështu është i bindur se po më bën një kompliment. Mua më ngrihen nervat, edhe sot e kësaj dite pas gjithë këtyre viteve më lë shije të hidhur kjo shprehje.

Një tjetër moment kur e ndiej veten në siklet është kur përtërij lejen e qëndrimit. Nuk di në ta thashë por edhe pse jam në Itali prej 17 vjetësh, nuk kam ende shtetësinë italiane. Prindërit e mi e kanë marrë shtetësinë por ndërkohë unë isha në moshë madhore e nuk mund ta merrja me ta. E meqë kam punë autonome, nuk kam një kontratë fikse, e kam disi të vështirë për shtetësinë.

Kur shkoj në Kuesturë për të përtërirë dokumentet kur u them që jam aktore, më hedhin një vështrim nga këmbët te koka e më pyesin si me mosbesim “E ç’filma ke bërë?” Makar as nuk u intereson fare kinemaja, por kur shohin shqiptare që thotë se është aktore, kushedi ç’mendojnë.

Në aspekte të tjera nuk mund të them që ndiej racizmin. Sipas meje, shqiptarët në përgjithësi jemi një popull individualistësh, jashtë shtetit nuk krijojmë një komunitet të fortë. E për më tepër, jemi një popull shumë krenar, edhe me budallallëk ndonjëherë. Unë jam kështu, krenare, dhe ndonjëherë edhe për inat, kam ngulur këmbë në të qenit shqiptare.

Edhe XH në emër është pjesë e krenarisë tënde? Besoj se ta kanë propozuar ta ndërrosh nga Xhilda në Gilda?

Propozuar the? Ndonjëherë e bëjnë vetë edhe pa më pyetur fare, edhe pse më bezdis shumë. Megjithatë unë besoj se emri im Xhilda Lapardhaja ka një muzikalitet. Ndërsa sa për Xh, mua më duket shumë e bukur. Të gjithë ndryshojmë nga njëri-tjetri për karakter, në pamje e në të tjera gjëra. Ja, edhe emri i shkruar me XH është një veçanti si të tjerat, nuk shoh pse duhet të mos më pëlqejë?

Por më propozojnë shpesh të ndërroj emrin. Më kujtohet njëherë, shumë kohë më parë, shkova të bëj një kinoprovë për Dino Risin për filmin televiziv “Le ragazze di Miss Italia”. Ai më tha: “Të isha në vendin tënd do ta ndryshoja emrin në Gilda Lapàr”. Mbeta e çuditur: “Çfarë? Jo, faleminderit, më pëlqen i imi!” iu përgjigja.

Do të të pëlqente të bëje diçka në Shqipëri?

Para të gjithash përsëris që nuk e njoh mirë Shqipërinë, e jam kaq atdhetare ndoshta pikërisht sepse nuk e njoh mirë Shqipërinë e sotme e jetoj me nostalgjinë e profumeve të fëmijërisë, që nuk i korrespondojnë realitetit të sotëm.

Por për t’iu kthyer pyetjes, e ndjek pak edhe jetën artistike në Shqipëri, nga filmat e fundit kam parë vetëm Letra në erë” të Edmond Budinës. Ndërsa nga letërsia bashkëkohore shqiptare, kam lexuar në italisht Kadarenë, Donesin, Ibrahimin, Vorpsin. E mes këtyre më pëlqen shumë e fundit, Ornela Vorpsi. E megjithatë, do të më pëlqente të bëja diçka në Shqipëri, pse jo po të ketë ndonjë projekt interesant…

Keti Biçoku

Bota shqiptare 231 – 1 mars 2010

 

 

Shqipëria në tekstet e shkollës italiane

Ekspozita”Migranti”: përvoja e zbarkimit kthehet në art